Policia e Kosovës ka njoftuar që është duke i koordinuar aktivitet me KFOR-in lidhur me situatën në fshatin Bare të Kosovës.
Tre policë të Kosovës janë rrëmbyer në fshatin Bare që ndodhet thellë në territorin e Kosovës, dhe arrestimi i tyre dyshohet të jetë bërë nga njësitë speciale të policisë serbe.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp tha se për rastin janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë, në mënyrë që të ushtrohet presion ndaj Serbisë për lirimin e policëve patrullues kosovarë.
“KFOR-i është njoftuar dhe jemi duke i koordinuar të gjitha aktivitetet e ta, dhe janë duke i kryer edhe ekzaminimet brenda në terren”.
“Njëkohësisht, përveç KFOR-it, i kemi njoftuar të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë duke kërkuar që t’u bëhet trysni autoriteteve të Serbisë që zyrtarët tanë të lirohen dhe t’u kthehen familjeve të tyre”, ka thënë Kelani, raporton Klankosova.tv.
Ai theksoi se çdo informatë që ka PK-ja, ia ka përcjellë te KFOR-i dhe këta kanë konfirmuar se i kanë pranuar informatat. “…Janë procedura për të cilat besoj se ata do të japin përgjigje”.
“E kemi shfrytëzuar këtë të drejtë, dhe i kemi lëvizur të gjitha mekanizmat që zyrtarët tanë të kthehen shëndosh e mirë në Kosovë”, theksoi Kelani.