Reshje të fuqishme dhe breshër në disa rajone të Kosovës

Reshje të dendura shiu dhe breshër të fuqishëm kanë përfshirë disa rajone të Kosovës gjatë pasdites së sotme, duke shkaktuar përmbytje dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Zonat më të prekura janë Brezovica, Gjilani, Ferizaj dhe disa fshatra të komunës së Gjakovës.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë rrugë dhe oborre të përmbytura, me nivele të larta të ujit dhe shtresa të dendura breshëri në shumë lokacione.

Rrugët urbane janë mbuluar nga uji, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke rrezikuar objektet afariste dhe banesat në katet e ulëta.

Situatë e ngjashme është raportuar edhe në Ferizaj, ku rrjetet e kanalizimit nuk kanë përballuar vëllimin e madh të ujit.

Në komunën e Gjakovës, disa fshatra janë goditur nga breshëri i madh.

Ndërkohë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njoftoi se reshjet kanë shkaktuar dëmtime në rrjetin elektrik, duke lënë pa energji një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve, veçanërisht në rajonin e Anamoravës.

“Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me energji sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e KEDS-it


Shtuar 4.08.2025 17:29

Tags: ,