Çështja penale ndaj Kreshnik Halitit do të gjykohet sërish për herë të tretë, pasi Gjykata e Apelit miratoi ankesën e mbrojtjes dhe anuloi aktgjykimin ndaj tij.
None found
Haliti ngarkohet se më 6 mars 2017, në rrugën “Myrvete Maksutaj” në Pejë, vrau shokun e tij M.Z. për shkak të një borxhi në vlerë prej 77 mijë eurosh.
Nga shkresat e rastit rezulton se Gjykata Themelore në Pejë, gjatë rigjykimit të dytë, më 1 dhjetor 2025 e kishte shpallur Halitin fajtor dhe i kishte caktuar një dënim unik prej 19 vjetësh burgim.
Aktgjykimi ishte kundërshtuar edhe nga Prokuroria Themelore në Pejë. Ankesa e saj mbështetej në pretendimet për shkelje të Ligjit Penal, në vendimin për sanksionin penal dhe në pjesën që lidhej me shpenzimet procedurale.
Prokuroria i kishte kërkuar Apelit ta ndryshonte vendimin e Themelores, ta shpallte Halitin fajtor për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe t’i shqiptonte një dënim më të ashpër. Si alternativë, duke u bazuar në rrethanat rënduese, ishte kërkuar dënim prej 20 vjetësh burgim.
Sa u përket shpenzimeve të procedurës, Prokuroria kishte propozuar që ato të përcaktoheshin saktë dhe të paraqiteshin në mënyrë të detajuar.
Ankesë ndaj vendimit për dënimin kishte paraqitur gjithashtu avokati Gëzim Kollçaku, në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar. Edhe ai kishte kërkuar nga Apeli ndryshimin e aktgjykimit dhe shqiptimin e një dënimi më të rëndë ndaj të akuzuarit.
Në anën tjetër, mbrojtësja e Halitit, avokatja Nushe Kuka-Mekaj, e kishte ankimuar vendimin për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, cenimit të Ligjit Penal, konstatimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe vendimit për dënimin.
Kuka-Mekaj kishte kërkuar që vepra penale të rikualifikohej në “Vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore” ose që klientit të saj t’i jepej një dënim më i butë. Në rast se aktgjykimi nuk do të ndryshohej, mbrojtja kishte propozuar që shqyrtimi gjyqësor të hapej në Gjykatën e Apelit.
Prokuroria e Apelit, përmes një shkrese, kishte propozuar që të miratoheshin ankesat e Prokurorisë Themelore dhe të palës së dëmtuar, ndërsa ankesa e mbrojtjes të refuzohej.
Gjetjet e Gjykatës së Apelit
Në vendimin e hartuar më 7 prill 2026, Apeli konstatoi se aktgjykimi i Gjykatës Themelore përmbante shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi në masë të madhe mungonin arsyet e qarta lidhur me faktet vendimtare.
Sipas shkallës së dytë, faktet kyçe në këtë çështje ishin përshkruar gjerësisht, por nuk ishte bërë një analizë e mirëfilltë e dëshmive të dëshmitarëve.
“Një vlerësim i tillë i përgjithësuar është i pamjaftueshëm, i papranueshëm”, thuhet në vendimin e Apelit.
Gjykata e Apelit vuri në dukje gjithashtu se Themelorja nuk kishte vlerësuar provat kundërthënëse. Në këtë kuadër përfshihen edhe mospërputhjet ndërmjet ekspertizave që trajtojnë gjendjen mendore të të akuzuarit.
Apeli nuk i shqyrtoi pretendimet e tjera të ngritura në ankesa, pasi arriti në përfundimin se aktgjykimi i shkallës së parë ishte përfshirë nga shkelje esenciale të procedurës penale dhe, për këtë arsye, duhej anuluar.
Në rigjykim, sipas udhëzimeve të Apelit, Gjykata Themelore duhet të veprojë në përputhje me vërejtjet e dhëna, të mënjanojë shkeljet esenciale procedurale dhe ta hartojë aktgjykimin sipas kërkesave ligjore.
Themelorja është udhëzuar që t’i administrojë përsëri të gjitha provat dhe, varësisht nga rrjedha e procedurës, të nxjerrë eventualisht edhe prova të tjera që mund të jenë të rëndësishme për përcaktimin e gjendjes faktike.
Në vendim kërkohet po ashtu që gjatë rigjykimit të sqarohet drejt dhe qartë gjendja e shëndetit mendor dhe psikik të Halitit në çastin kur janë kryer veprimet. Meqë ekzistojnë dy ekspertiza me përfundime të kundërta, Apeli ka kërkuar edhe urdhërimin e një super-ekspertize.
Vendimi i Apelit u mor nga kolegji gjyqësor i përbërë nga Skender Çoçaj, kryetar i kolegjit, si dhe Mentor Hajra e Arben Hoti, anëtarë.
Në gjykimin fillestar, më 4 korrik 2018, Gjykata Themelore në Pejë e kishte shpallur Kreshnik Halitin fajtor dhe e kishte dënuar me një dënim unik prej 22 vjetësh e gjashtë muajsh burgim.
Ky aktgjykim ishte anuluar më pas nga Gjykata e Apelit, me arsyetimin se përmbante shkelje të procedurës penale dhe se gjendja faktike nuk ishte vërtetuar plotësisht.
Në rigjykimin pasues, Gjykata Themelore në Pejë më 31 tetor 2023 i kishte shqiptuar Halitit, për veprën penale “Vrasje”, një dënim unik prej 20 vjetësh e gjashtë muajsh burgim.
Megjithatë, më 18 mars 2024, Apeli e kishte kthyer përsëri çështjen në rigjykim, duke miratuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe të mbrojtësit të Halitit, avokatit Besnik Berisha.
Në rigjykimin e dytë, me vendimin e 12 dhjetorit 2025, Gjykata Themelore e dënoi të akuzuarin me një dënim unik prej 19 vjetësh burgim.
Administrata e Donald Trump publikoi të premten grupin e pestë të dosjeve të deklasifikuara mbi fenomenet ajrore të paidentifikuara (UFO/UAP),…
Liverpooli dhe Paris Saint-Germain ende nuk kanë arritur një marrëveshje për vlerën e sulmuesit francez Bradley Barcola, raporton gazeta prestigjioze…
Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe ka kthyer në rigjykim rastin e Endrit Nikës, i cili ishte…
Cristiano Ronaldo dhe Kristjan AsllaniSkuadra e Interit po kërkon më shumë opsione në fazën ofensive, sikurse “rrugë” të ndryshme për…
8 qarqe në gjithë vendin do të përballen këtë fundjavë me rrezik të lartë nga zjarret, ndikuar kjo edhe nga…
Kryetare e Këshillit Kombëtar të PD, Julinda Emiri ka akuzuar ditën e sotme se kryeministri Rama se ka lënë kryeqytetin…