Reformat që duhet ta afrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian po ecin ngadalë në disa fusha kyçe. Gjyqësori nuk ka shënuar përparim, rezultatet kundër korrupsionit mbeten të kufizuara dhe krizat politike kanë ndikuar në punën e institucioneve.
Këto janë ndër gjetjet e Komisionit Evropian në “Raportin për Kosovën 2026”, pjesë e Paketës së Zgjerimit të Bashkimit Evropian. Dokumenti shqyrton periudhën nga 1 shtatori 2025 deri më 1 shtator 2026 dhe përfshin edhe disa zhvillime që kanë ndodhur më pas.
None found
Raporti publikohet dhjetë vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe gati katër vjet pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE. Radio Evropa e Lirë i kërkoi kryenegociatorit të Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, një koment për gjetjet e Komisionit Evropian dhe është në pritje të përgjigjes.
Komisioni paralajmëron se ndikimi i interesave politike dhe ekonomike mbi drejtësinë vazhdon të jetë pengesë serioze për pavarësinë e saj dhe, në disa aspekte, është bërë edhe më i fortë. Ai vëren gjithashtu rënie të vendimeve përfundimtare dhe dënimeve për korrupsion të nivelit të lartë, krahas mangësive në mbikëqyrjen parlamentare të Qeverisë.
Raporti përmban edhe vlerësime pozitive: Komisioni evidenton përparim në administratën publike, zgjerim të shërbimeve digjitale dhe shtensionim të gjendjes në veri të Kosovës, çka mundësoi heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.
Ngërçet politike dhe institucionet
Dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, bllokadat e zgjatura dhe fakti që një qeveri me kompetenca të kufizuara ushtroi detyrën gjatë pjesës më të madhe të periudhës së raportimit kanë ndikuar në funksionimin institucional.
Sipas Komisionit, Kuvendi ka pasur mangësi të konsiderueshme në ushtrimin e kompetencave të veta dhe e ka mbikëqyrur ekzekutivin në mënyrë shumë të kufizuar.
Megjithëse zgjedhjet cilësohen përgjithësisht paqësore dhe konkurruese, raporti vë në dukje përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mangësi në rregullat e fushatave dhe masa të pamjaftueshme ndaj dezinformimit.
Pjesëmarrja në votime ra nga 45 për qind në dhjetor të vitit 2025 në 37 për qind në qershor të vitit 2026. Komisioni e sheh këtë si tregues të mundshëm të lodhjes në rritje të votuesve dhe të pakënaqësisë me shpeshtësinë e zgjedhjeve.
Drejtësia pa përparim
Vlerësimi i Komisionit për gjyqësorin është se, në tërësi, nuk ka pasur përparim. Ndërhyrjet e papërshtatshme të lidhura me interesa politike, ekonomike dhe faktorë të tjerë vazhdojnë të cenojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e tij, ndërsa paketa ligjore për reformën në drejtësi ende nuk është miratuar.
Raporti shpreh shqetësim për zbatimin e ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe kërkon që të respektohen rekomandimet e Komisionit të Venecias. Nga ana tjetër, ai vëren zhvillime pozitive në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në ndryshimet e përbërjes së Këshillit Prokurorial.
Komisioni ngre gjithashtu çështjen e përfaqësimit të pamjaftueshëm të serbëve të Kosovës në gjyqësor, duke vlerësuar se kjo dobëson karakterin shumetnik të sistemit të drejtësisë.
Shqetësim i veçantë lidhet me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor. Sipas Komisionit, ato ngrenë pikëpyetje serioze për përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë gjyqësore, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si edhe sigurimin e përgjegjësisë për krimet e luftës.
Raporti vë në dyshim edhe kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve. Presidentja i ktheu ato në Kuvend për rishqyrtim më 22 tetor.
Korrupsioni: më pak dënime në rastet e nivelit të lartë
Në përpjekjet kundër korrupsionit, Kosova ka arritur vetëm përparim të kufizuar, sipas Komisionit Evropian. Vendimet gjyqësore përfundimtare dhe dënimet janë shtuar ndjeshëm për rastet që nuk i përkasin nivelit të lartë, por kanë rënë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Raporti konstaton se vendit ende i mungojnë një strategji gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit dhe një qasje e bashkërenduar për luftimin e tij. Ndërkohë, raportimet e sinjalizuesve të pranuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pothuajse janë dyfishuar në krahasim me vitin paraprak.
Komisioni kërkon verifikim më të mirë të deklarimeve të pasurisë dhe hetime më të forta për korrupsionin e nivelit të lartë.
Pluralizëm mediatik, por edhe vështirësi
Edhe në lirinë e shprehjes dhe të mediave është regjistruar përparim i kufizuar. Komisioni e përshkruan mjedisin mediatik në Kosovë si pluralist, por vëren mungesë transparence për pronësinë dhe vështirësi në qëndrueshmërinë financiare të mediave.
Gjendja është veçanërisht shqetësuese në zonat me shumicë serbe, sidomos në veri, ku kufizimet e mjedisit nxisin autocensurën. Raporti bën thirrje për miratimin e një ligji të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe për rishikimin e ligjit për Radiotelevizionin e Kosovës, në mënyrë që të sigurohen financim i qëndrueshëm dhe pavarësi institucionale.
Komisioni ngre shqetësime edhe për të drejtat themelore. Mes tyre përmend rrënimin e pronave private në veri pa respektuar siç duhet procedurat ligjore, ndërkohë që kundërshtimet në gjykatë vazhdonin të shqyrtoheshin.
Dialogu me Serbinë dhe detyrimet e pazbatuara
Sipas Komisionit Evropian, Kosova dhe Serbia nuk kanë përparuar mjaftueshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023. Veprimet e njëanshme dhe retorika nga të dyja palët vijojnë të pengojnë normalizimin e marrëdhënieve.
Takimet e rregullta mes kryenegociatorëve dhe ekipeve teknike e kanë mbajtur dialogun në vazhdim, por përmbushja e detyrimeve të mbetura nga marrëveshjet e tij ka qenë e kufizuar.
Komisioni i kërkon Kosovës të nisë procesin për vendosjen e aranzhimeve të vetëmenaxhimit për komunitetin serb. Paralelisht, Serbia duhet të fillojë njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës. Raporti thekson se Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe duhet zbatuar pa vonesa e pa parakushte.
Gjendja në veri të Kosovës përshkruhet si e qetë, por e brishtë. Komisioni kritikon veprimet e përsëritura të autoriteteve kosovare ndaj strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, arrestimet e serbëve të Kosovës dhe mospranimin e tërheqjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve e prokurorëve serbë, që ka penguar riintegrimin e tyre në drejtësi.
Nga ana tjetër, Serbia kritikohet për lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Interpolin, si edhe për retorikën nxitëse të zyrtarëve të saj. Sipas raportit, ajo nuk ka ndërmarrë hapa domethënës për të siguruar përgjegjësi për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Komisioni paralajmëron se normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i marrëveshjeve të dialogut janë kushte thelbësore për rrugën evropiane të të dyja vendeve. Pa përparim, ato rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.
Një histori tronditëse dhune në familje po hetohet nga Prokuroria e Milanos, ku një menaxher 51-vjeçar pretendon se është rrahur,…
Real Madridi, Barcelona dhe Atletico Madridi po e monitorojnë situatën e mesfushorit argjentinas, i cili mund të jetë një nga…
"Maqedonia e Veriut nuk ka bërë asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet i përhapur dhe shkak serioz…
Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka prezantuar pikëpamjet e tij mbi situatën politike dhe diplomatike në Kosovë.…
Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti Special, ka aprovuar ankesat e të akuzuarit Muhamet Alidemaj dhe mbrojtësit të tij,…
Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për Vlora Hysenin, ish-kreun e SHISH. Kështu,…