Categories: kosovë

Qelaj po vlerëson kërkesën për ta çuar Ligjin e Speciales në Gjykatën Kushtetuese

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka konfirmuar se po analizon kërkesën e dorëzuar nga organizatat e shoqërisë civile, intelektualët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët kërkojnë që Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar nëse Gjykata në Hagë ka vepruar përtej kompetencave të saj në procesin ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të lidhura

None found

Gjatë një interviste për Ekonomia Online, Qelaj tha se është ende herët për të përcaktuar pozicionin e tij lidhur me këtë çështje, por theksoi se do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, duke i kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut dhe interesave të drejtësisë.

“Kemi marrë para pak ditësh një kërkesë nga një grup i konsiderueshëm organizatash civile, intelektualësh dhe aktivistësh të të drejtave të njeriut. E kemi shqyrtuar dhe analizuar kërkesën, kemi zhvilluar edhe një takim për të diskutuar shqetësimet që kanë ngritur këta persona. Jemi në fazën e vlerësimit. Si Avokat i Popullit, veproj gjithmonë brenda mandatit kushtetues dhe kompetencave që më jep ligji, me kujdes të shtuar për respektimin e të drejtave të njeriut, por mendoj se është ende herët për të thënë se cili do të jetë qëndrimi im për këtë kërkesë. Kur bëhet fjalë për interesin e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, jam i gatshëm të veproj në interes të këtyre dy çështjeve,” deklaroi Qelaj.

Ai foli edhe për raportin e Avokatit të Popullit në lidhje me proceset në Dhomat e Specializuara, duke sqaruar se institucioni që ai drejton nuk merret me vlerësimin e vendimeve gjyqësore, por me procesin dhe respektimin e standardeve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

“Avokati i Popullit nuk jep vlerësime për vendimmarrjen e gjykatës në asnjë nivel, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, por raporti që kemi publikuar fokusohet te procesi që zhvillohet atje dhe garantimi i standardeve për gjykim të drejtë e të paanshëm, standarde që Kosova i zbaton në legjislacionin e saj. Raporti, përpara se të shpallej vendimi gjyqësor, ka evidentuar shumë shqetësime lidhur me funksionimin e kësaj gjykate dhe garantimin e procesit të drejtë, duke filluar nga mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies, dhe fakti që gjykata nuk ka asnjë lidhje me sistemin e drejtësisë apo shtetin e Republikës së Kosovës,” tha ai.

Qelaj përmendi edhe shqetësimet e evidentuara në raportin e institucionit të tij, përfshirë kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mënyrën e administrimit të provave të ardhura nga Serbia.

“Paraburgimi ka zgjatur përtej standardeve të përcaktuara nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, me një kohëzgjatje tepër të gjatë. Provat nga Serbia janë administruar pa një filtër verifikimi, pa marrë parasysh që Serbia ka qëndrime armiqësore ndaj Kosovës dhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesëtarë të së cilës janë edhe të akuzuarit në Hagë. Kur del një vendim që nuk i përmbush pritshmëritë e publikut, këto shqetësime të ngritura paraprakisht fitojnë një dimension dhe legjitimitet tjetër. Nuk mund të presim që rezultatet e një procesi me kaq shumë probleme të jenë vendime që publiku i beson. Reagimi i publikut ka çuar deri te veprimet konkrete të ndërmarra edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës,” deklaroi Qelaj.

Në lidhje me ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në Ligjin për Dhomat e Specializuara, Qelaj tha se e drejta e Kuvendit për të miratuar dhe ndryshuar ligje nuk duhet të vihet në dyshim, por ngriti pyetje për efektin juridik të këtyre ndryshimeve dhe përputhshmërinë e tyre me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova.

“E drejta e Kuvendit për të nxjerrë dhe ndryshuar ligje nuk duhet të kontestohet asnjëherë. Megjithatë, në raport me ligjin e fundit për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duhet ta shohim në një perspektivë tjetër: sa do të arrijë ky ligj të ketë efekt juridik në këtë proces, duke pasur parasysh që kemi të bëjmë me një amendament të veçantë të Kushtetutës, pra me norma kushtetuese që përcaktojnë format e themelimit dhe mënyrën e funksionimit të këtyre gjykatave,” tha ai.

Qelaj theksoi se vlerësimi nëse procesi gjyqësor ka qenë i padrejtë i përket Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara dhe se vendimet duhet të respektohen deri në marrjen e vendimit të shkallës tjetër.

“Të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta kenë parasysh se beteja për drejtësi zhvillohet në gjykatë dhe të gjitha vendimet, qofshin të pranueshme ose jo, duhet të respektohen derisa të merret vendimi në gjykatën e shkallës tjetër, pra në Apel. Nëse nisemi nga konstatimi që del nga reagimi publik se gjykimi ka qenë i padrejtë, këtë mund ta vendosë vetëm Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara, pavarësisht dilemave nëse kjo gjykatë arrin ta kalojë pragun minimal të besueshmërisë,” deklaroi Qelaj.

Ai kërkoi gjithashtu mbikëqyrje më të madhe dhe llogaridhënie nga Dhomat e Specializuara, si dhe monitorim nga mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

“Një mbikëqyrje e shtuar demokratike dhe kërkesa për llogaridhënie nga vetë gjykata janë të domosdoshme. Po ashtu, duhet kërkuar vazhdimisht nga mekanizmat ndërkombëtarë, si Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, që të vendosin kontroll dhe monitorim të mirëfilltë në këtë gjykatë për të parë nëse po i zbaton standardet. Shteti, qeveria dhe të gjitha institucionet duhet ta fokusojnë vëmendjen në këtë drejtim. Kosova asnjëherë nuk duhet të krijojë situata që e klasifikojnë si shtet që po e pengon drejtësinë, por duhet të gjejë forma të pranueshme që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe procesin e drejtë, pa u përpjekur ta vendosë drejtësinë me ligje ose me politikë,” tha ai.

Qelaj vlerësoi se struktura dhe mënyra e funksionimit të Dhomave të Specializuara ngrenë shqetësime për raportin e tyre me institucionet e Kosovës, ndërsa tha se zbatimi i ndryshimeve ligjore mbetet çështje që duhet të vlerësohet.

“Nga analiza jonë ka rezultuar që struktura e gjykatës dhe mënyra se si ka funksionuar janë tërësisht jashtë sistemit të Republikës së Kosovës. Kjo formë vendimmarrjeje në një strukturë autonome që nuk i përket Kosovës, të cilën e ka ndërtuar Kosova, ndërsa llogari u jep vendeve donatore, ngre shumë shqetësime dhe dilema. Se si do të shkojnë gjërat më tej është me interes të përcillet me vëmendje. Fakti që zbatimi i ndryshimeve ligjore do të jetë sfidues nuk është i kontestueshëm, ashtu siç nuk është i kontestueshëm fakti që Kuvendi ka të drejtën t’i miratojë këto ligje. Nëse janë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe sa do të gjejnë zbatim, duhet ta shohim, por paralelisht duhet të angazhohemi edhe në aspektet e tjera të veprimit institucional për të garantuar procesin e drejtë,” përfundoi Qelaj.

të fundit

“Studenti i drejtësisë në kërkim të së drejtës”/ I vetëm kundër 6 efektivëve! Klevi Metaj, fytyra e protestës dhe rezistencës ndaj dhunës policore, i biri i gazetares së News24

Studenti Klevi Metaj është kthyer në simbol dhe një nga figurat më të komentuara të protestës së studentëve, pas përplasjeve…

1 minute ago

Luis Enrique synon dy përforcime të rëndësishme nga Premierliga në janar

Objektivi kryesor i Paris Saint-Germain në afatin e ardhshëm të transferimeve të janarit është të forcojë thellësinë e mbrojtjes dhe…

4 minutes ago

VIDEO/ Policia merr nën kontroll zyrat e Halk TV në Stamboll dhe ndërpret transmetimin drejtpërdrejt

Një operacion policor u krye sot në selinë e stacionit televiziv Halk TV në Stamboll, me autoritetet që morën kontrollin…

5 minutes ago

Dhomat e Specializuara nuk pranojnë ftesën e Avokatit të Popullit

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë refuzuar ftesën e Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, për të marrë pjesë në një…

11 minutes ago

Pas disfatës me Atletico Madrid, ylli i Manchester United shpërthen ndaj drejtuesve: Kërkoj më shumë investime

Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Lisandro Martinez, ka kritikuar hapur drejtuesit e klubit për mungesën e përforcimeve në skuadër, duke kërkuar…

13 minutes ago

Dy përballje tërheqëse sjellin sot në fushë Albi Mall Superligën e Kosovës

Albi Mall Superliga e Kosovës do të vazhdojë edhe sot (e mërkurë) me ndeshjet që janë për t’u zhvilluar sipas…

21 minutes ago