Pas rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, në këtë subjekt janë rikthyer tensionet e brendshme dhe debatet për kursin politik të partisë. Ky rezultat nuk ndryshoi pozicionin që LDK-ja kishte mbajtur edhe në dy palë zgjedhjet e mëparshme, duke rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e përgjegjësisë së lidershipit.
Gjatë kësaj jave, kërkesat publike për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku u artikuluan nga emra të rëndësishëm të partisë, mes tyre kryetari i Degës së LDK-së në Lipjan, Imri Ahmeti, dhe kryetari i Degës së LDK-së në Pejë, Gazmend Muhaxhiri.
None found
Sipas tyre, Abdixhiku duhet të mbajë përgjegjësi për rezultatin zgjedhor dhe për mungesën e një rritjeje të dukshme elektorale të LDK-së.
Nga ana e tij, Abdixhiku iu kundërpërgjigj këtyre kritikave duke u bërë thirrje vetë kritikëve që të japin dorëheqje, çka e ka ashpërsuar edhe më shumë debatin e brendshëm për të ardhmen e partisë.
Këto zhvillime kanë hapur diskutime për situatën aktuale në LDK, mënyrën se si po menaxhohen sfidat paszgjedhore dhe drejtimin politik të saj në vijim. Në këtë kuadër, po shtrohen pyetje për ndikimin që këto përplasje mund të kenë në unitetin e partisë, rrezikun e thellimit të ndasive dhe hapat që mund të ndërmerren në ditët dhe javët e ardhshme.
Mjaki: Lumiri nuk është ai që e bashkon LDK-në
Për këto zhvillime foli fillimisht për “Bota sot” veprimtari i LDK-së në Zvicër, Ismet Mjaki, i cili u shpreh i pakënaqur me drejtimin aktual të partisë.
Sipas Mjakit, Abdixhiku ka vepruar sipas vullnetit të tij, duke zgjedhur ta afrojë Osmanin, por pa përfshirë në parti figura të rëndësishme të LDK-së, si Bisimi dhe Murtezaj.
“Po e përcjellim nga larg atë që po ndodh në LDK pas zgjedhjeve. Pra, Lumiri kishte kërkuar votëbesim nga Kuvendi dhe atë e ka marrë nga 55% e delegatëve, që në demokraci është në rregull. Por, si lider, pa asnjë kundërkandidat, me dalë kundër 45% është tmerr me vazhdu. Megjithatë, Lumiri bëri si të dojë vetë, pa e bërë as Kryesinë e LDK-së për disa kohë, që ai vetë të vendosë, bash si pasha, dhe këtë e ka bërë me cep më cep.
Lumiri e afroi Vjosën për ta shpëtuar veten, dhe Vjosa, meqë ishte e vdekur politikisht, Lumiri e shpëtoi. Unë mendoj që mirë ka bërë Lumiri që e ka sjellë Vjosën, por nuk ka afruar as Faton Bislimin, as Valon Murtezajn nga mërgata, e as plot të tjerë që ishin ADN-ja e LDK-së”, deklaroi ai.
Mjaki vlerëson gjithashtu se Abdixhiku nuk është figura që mund ta mbajë të bashkuar LDK-në, pasi, sipas tij, merr vendime të pamenduara dhe dëmton veten edhe para elektoratit.
“Lumiri i ka shfrytëzuar kompetencat e Kuvendit, edhe pse vendimi ishte që të mos angazhohen ata që kanë poste. Prapë se prapë, sekretar e ka bërë Ilir Feratin, edhe pse mban postin e kryetarit të komunës, dhe Sokol Halitin sekretar për jashtë, që s’kemi asnjë nevojë për këso filmash në mërgatë.
Lumiri nuk është ai që e bashkon LDK-në. Është idhnak i madh dhe merr vendime pa menduar, duke dalë keq para elektoratit. Një kryetar që ka problem me një kryetar komune, e merr makinën, shkon e ha një darkë dhe sqarohen, e jo me deklarata fëmijërore: “Le të ma dërgojnë dorëheqjen, ua pranoj.” Kjo tregon se ky e përçan LDK-në”.
Më tej, ai u rreshtua në mbështetje të thirrjeve për dorëheqjen e kryetarit, duke thënë se ai duhet të përgjigjet për gjendjen e krijuar në parti.
“Me statutin e LDK-së, që ky as gjallë s’ka qenë kur është bërë, anëtarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi, dorëheqje dhe ta thërrasin Kuvendin me 1/3 e votave. Lumiri mundet me e përça, por jo me e bashku LDK-në”, përfundoi Ismet Mjaki për “Bota sot”.
Dajaku: LDK-ja ka nevojë për reformim dhe rigjallërim
Për zhvillimet e fundit në LDK dhe përplasjet që po e shoqërojnë atë, foli edhe Xhevat Dajaku, vëllai i ish-truprojës së presidentit Rugova, Besim Dajaku.
Ai theksoi fillimisht se një post drejtues në një parti politike nuk duhet parë si privilegj, por para së gjithash si përgjegjësi. Në këtë kuadër, ai vlerësoi se brenda LDK-së ka individë që partinë e konsiderojnë thjesht si mjet për interesa personale.
“Partitë politike janë formacione të organizuara rreth një programi dhe vizioni politik, të ndërtuar nga ekspertë dhe njerëz me ide e koncepte për të ardhmen e shoqërisë dhe të shtetit. Prandaj, marrja e një pozite udhëheqëse në një parti politike nuk është vetëm privilegj, por mbi të gjitha përgjegjësi ndaj partisë, qytetarëve dhe vendit në tërësi.
Megjithatë, shpesh ndodh që individë të caktuar ta shohin partinë si mjet për realizimin e interesave personale ose të grupeve të papërgjegjshme, duke dëmtuar interesin publik dhe duke krijuar pengesa që në shumë raste i kanë kushtuar shtrenjtë shtetit dhe shoqërisë”.
Dajaku rikujtoi edhe periudhën kur LDK-ja drejtohej nga presidenti historik Ibrahim Rugova, duke theksuar se pas vdekjes së tij, sipas tij, në vazhdimësi janë shfaqur ndarje dhe mospajtime brenda partisë.
Në këtë frymë, ai mbështeti kërkesat për dorëheqje të kryetarit, duke theksuar se ato nuk duhen parë si sulm ndaj vetë subjektit politik.
“LDK-ja ka një histori të pasur dhe të lavdishme. Gjatë rrugëtimit të saj ka ndërmarrë hapa të matur dhe vendimtarë, veçanërisht në organizimin e institucioneve paralele në rrethana jashtëzakonisht të vështira, të njohura për të gjithë ata që gjykojnë me arsye dhe objektivitet. Ajo u sulmua dhe u kritikua si nga armiqtë serbë, ashtu edhe nga shqiptarë me qëndrime të ndryshme politike. Megjithatë, vazhdoi rrugëtimin e saj deri në vdekjen e Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Pas asaj periudhe filluan të shfaqen ndarje dhe mospajtime të brendshme, të cilat janë të njohura për opinionin publik dhe që vazhdojnë të reflektohen edhe sot.
Prandaj, kërkesat për dorëheqje apo për përgjegjësi politike nuk duhet të interpretohen si sulme apo kundërshti ndaj subjektit, por si thirrje për debat të hapur, transparent dhe demokratik brenda organeve legjitime të partisë. Në çdo subjekt politik ka individë dhe grupe me qëllime të mira, por mund të ketë edhe të tillë që udhëhiqen nga interesa të ngushta dhe dëmtuese. Pikërisht për këtë arsye nevojiten debate serioze, analiza të thelluara dhe vlerësime të bazuara në argumente, duke pranuar realitetin politik, shkaqet, rrethanat dhe pasojat e zhvillimeve të ndryshme”.
Në fund, ai tha se LDK-së i duhen reforma të thella, pasi, sipas tij, bashkëpunimet joparimore me subjekte të caktuara e kanë dëmtuar ndjeshëm.
Madje, ai paralajmëroi se në mungesë të ndryshimeve të nevojshme, ekziston rreziku që partia të vazhdojë të humbasë mbështetjen qytetare.
“LDK-ja ka nevojë për reformim dhe rigjallërim. Një pjesë e madhe e elektoratit të saj tradicional, i cili sot mbetet kryesisht i heshtur, ka qenë i lidhur me vlerat dhe politikat që dikur e karakterizonin këtë subjekt. Megjithatë, zhvillimet e brendshme, jo gjithmonë të drejta, si dhe bashkëpunimet jo parimore me subjekte ku janë përmendur elemente të dyshuara për veprimtari kriminale, kanë ndikuar që shumë votues të humbin besimin dhe të distancohen nga procesi politik, deri në abstinim.
LDK-së i nevojitet rikthimi i meritokracisë, ashtu siç ishte një nga parimet themelore në kohën e Presidentit Rugova. Pa meritokraci, pa debat të lirë dhe pa kulturën demokratike që dikur e dallonte këtë parti, jo vetëm që do të dështojnë përpjekjet aktuale për kërkim llogarie dhe reformim, por ekziston rreziku që LDK-ja të vazhdojë të humbasë mbështetjen qytetare dhe të shtyhet edhe më tej drejt margjinave të skenës politike”, përmbylli Xhevat Dajaku për “Bota sot”
Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari ka folur mëngjesin e kësaj të shtune për Euronews Albania me moderatore Alba Xhani. Lamallari…
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot mblidhet në orën 11:00. Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të…
Një incident i rëndë në pishinën e një hoteli në Santa Susanna, në Katalonjë, ka ngjallur reagime të forta si…
Që nga dita e parë e kemi marrë përsipër detyrimin që siguria të jetë prioritet më i lartë. Gjatë dy…
LSDM akuzon se kryeministri Hristijan Mickoski ka nisur krijimin e një sujekti të ri politik satelit, pasi, sipas partisë opozitare,…
Shatërvani i Wroclawit, një prej pikave turistike më të frekuentuara në Poloni, u godit nga rrufeja, duke pësuar dëme të…