Valon Murtezaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar ndaj zhvillimeve dhe ndarjeve brenda partisë. Ai u ka kërkuar grupeve që veprojnë aktualisht në LDK të vënë interesin e përbashkët përpara ambicieve personale.
Në shkrimin me titull “Kthimi i arsyes”, Murtezaj paralajmëron se përplasjet e brendshme dhe interesat klanore po vënë në rrezik të ardhmen e partisë. Ai bën thirrje për dialog, maturi dhe përgjegjësi, si edhe për ruajtjen e vlerave demokratike mbi të cilat LDK-ja u themelua nga presidenti historik Ibrahim Rugova.
None found
Sipas Murtezajt, partisë i duhet unitet dhe një organizim i lirë e demokratik. Ai shpreh gjithashtu angazhimin për një LDK moderne, të mbështetur te integriteti, drejtësia, meritokracia dhe lufta kundër korrupsionit.
Shkrimi i plotë i Murtezajt, “Kthimi i arsyes”:
Duke iu drejtuar anëtareve dhe anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëqytetarëve, bashkëpatriotëve, zonjave dhe zotërinjve, dua të kujtoj qëllimin për të cilin presidenti Ibrahim Rugova dhe themeluesit e krijuan LDK-në: një forcë politike demokratike në shërbim të lirisë, demokracisë, shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij.
Në këtë çast, është me rëndësi të mbajmë parasysh një mësim njerëzor: vendimet duhet të udhëhiqen nga arsyeja. Ajo duhet të ketë përparësi ndaj pasioneve egoiste; urtësia, ndaj ambicieve kokëforta që shkatërrojnë; ndërsa e mira e përbashkët, ndaj përfitimit personal.
As një shoqëri, as një institucion dhe as një organizim kolektiv nuk mund të përparojë kur njerëzit e ngarkuar me zhvillimin e tij kthehen në autoritarë ose mbeten peng i interesave, ambicieve dhe këndvështrimeve të ngushta për pushtetin e tyre, duke dëmtuar të tjerët dhe tërësinë.
Kam një thirrje për reflektim dhe kujdes ndaj tri grupeve që ekzistojnë sot në LDK: mendoni mirë se në ç’drejtim po e çoni partinë. Një interes i kufizuar nuk duhet të marrë përparësi ndaj vlerave universale dhe së mirës së përbashkët të subjektit ku bëjmë pjesë të gjithë, pavarësisht sa bindshëm paraqitet apo mbrohet ai interes.
Kur përfitimi vetjak e vë arsyen në shërbim të tij, gjykimi humbet paanshmërinë. Përvojat e hershme dhe ato të kohëve të fundit tregojnë se shpërfillja e vlerave kolektive për hir të ambicieve egoiste sjell dëm. Nëse kjo rrugë vazhdon, e mira e përbashkët do të gërryhet derisa të humbasë, diçka që nuk mund të falet.
Për LDK-në, mbi çdo preferencë personale, sukses të përkohshëm apo ambicie individuale qëndron nevoja për të funksionuar si një tërësi e lirë dhe demokratike. Ky interes përbën bazën e përbashkët morale, intelektuale dhe institucionale nga e cila varen dinjiteti, qëndrueshmëria dhe e ardhmja e partisë. Në një rrafsh tjetër, me të lidhet edhe e ardhmja e Republikës së Kosovës, atdheut dhe mëmëdheut tonë.
Përgjegjësia politike nuk vlerësohet nga ajo që një njeri arrin të fitojë, të kontrollojë apo të mbajë për vete. Shërbimi i vërtetë shihet te gatishmëria e politikanit për të kontribuar në të mirën e qytetarëve, të shoqërisë e të popullit dhe, më gjerë, të njerëzimit.
Tani dhe në kohën që vjen, duhet ta kemi të qartë se brenda LDK-së askush nuk duhet të dalë i mundur. Asnjë individ ose grup nuk mund t’i atribuojë vetes epërsi morale ndaj të tjerëve. Pakënaqësitë duhen trajtuar me arsye, bisedë dhe përgjegjësi, në frymën e lirisë dhe demokracisë. Ndikimi apo triumfet e përkohshme, qofshin edhe të rreme, nuk janë zëvendësim për urtësinë dhe maturinë që partisë i duhen sot e nesër.
Ajo që mund të duket si fitore për interesa personale ose klanore do ta dëmtojë suksesin e gjithë LDK-së. Historia tregon se partitë përballen me sfida nga jashtë, por mund të dobësohen edhe më rëndë nga konfliktet e tyre të brendshme, veçanërisht kur politikanët egoistë harrojnë synimin e përbashkët dhe përpiqen të marrin gjithçka për vete.
Duhet t’i jepet fund logjikës së grupeve. Secili prej nesh ka nevojë të reflektojë për veprimet e ardhshme. Korrigjimi i gabimeve me dinjitet dhe arritja e një mirëkuptimi mbi parime kërkojnë më shumë forcë sesa vazhdimi i përçarjes, e cila mund të jetë fatale.
Sot duhet t’u shërbejmë plotësisht synimeve që ndajmë, jo të harxhohemi në beteja për përfitime individuale ku humbasim të gjithë. Konfliktet e pandërprera po kërcënojnë vizionin e përbashkët të LDK-së. Pikërisht në këtë moment vihet në provë pjekuria jonë morale, intelektuale dhe qytetare.
LDK-së nuk i duhet pushtet për t’u imponuar vullnetin të tjerëve. Ajo ka nevojë për njerëz që dëgjojnë, kuptojnë dhe zgjedhin interesin e përgjithshëm në vend të përfitimit vetjak. Bashkimi dhe përgjegjësia kolektive janë sot forca e saj më e madhe. E ardhmja e partisë kërkon përkushtim serioz ndaj unitetit, mbrojtje të lirisë së mendimit, tolerancë e respekt për pikëpamjet ndryshe, gjithnjë me liri dhe demokraci.
Autoriteti dhe pushteti burojnë nga besimi, ndaj duhet të përdoren për të mirën e përgjithshme. Kjo kërkon përgjegjësi përtej grupeve, dialog përtej mospajtimeve dhe një vizion që shkon më larg se llogaritjet afatshkurtra. Nëse betejat e brendshme për interesa personale vazhdojnë, historia nuk do të na falë. Na duhet urtësi dhe maturi për ta ruajtur partinë si një të tërë.
Të gjithë duhet të udhëhiqemi nga arsyeja dhe nga bindja se e mira e përbashkët është më e rëndësishme se çdo interes individual. As grupet dhe as ambiciet nuk qëndrojnë mbi të; një fitore e çastit nuk e justifikon dobësimin afatgjatë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për ruajtjen dhe kultivimin e saj mbajmë përgjegjësi së bashku.
Zonja dhe zotërinj, do të punoj për një LDK moderne, të ngritur mbi integritetin, drejtësinë, barazinë, meritokracinë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Për një parti që u shërben qytetarëve të Kosovës dhe e sheh shërbimin publik si përgjegjësi, jo si biznes; ku udhëheqja u kushtohet qytetarëve, jo interesave të ngushta grupore apo klanore; ku korrupsioni luftohet pa kompromis dhe profiterizmi nuk pranohet.
Besoj se vetëm një LDK që mbështetet në këto parime mund t’u japë qytetarëve të Kosovës mundësi të vërteta për përparim, një jetë më të mirë e dinjitoze dhe ta bëjë Kosovën një vend europian të respektuar.
Ta ndjekim këtë rrugë duke mbajtur parasysh punën dhe shembullin e prijësit Ibrahim Rugova, si dhe duke nderuar historinë e lavdishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Me respektin më të thellë për kontributin e brezave në lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, për vetëmohimin e tyre deri në flijim, të shohim me vizion e besim drejt së ardhmes së ndritur të Republikës së Kosovës si shtet europian.
Një operacion dyditor i autoriteteve hungareze ka zbuluar miliona euro të fshehura në pyje, magazina, ndërtesa bujqësore dhe banesa private.…
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka dhënë detaje për vendimet e marra në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare…
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste,…
Një operacion për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur në zonën e Zefyrit, në bashkinë e Fylit,…
Juventusi mund të hyjë në garë për transferimin e mesfushorit të Interit, Hakan Calhanoglu, në rast se negociatat për rinovimin…
Instalacioni gjigant, i mbushur me mbetje plastike, është vendosur në Antalia të Turqisë, në kuadër të një proteste simbolike të…