Kërkesa e Bashkimit Evropian që hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër të bëhet vetëm pas koordinimit ndërmjet institucioneve qendrore të Kosovës, komunave veriore me shumicë serbe dhe komunitetit lokal ka shkaktuar reagime të shumta. Politologu Adnan Qaka e cilëson këtë qëndrim të Brukselit si të njëanshëm dhe të dëmshëm për Kosovën, duke kërkuar që të njëjtat standarde për të drejtat individuale e kolektive të vlejnë edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Të lidhura
None found
Më 18 gusht, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, deklaroi se pozicioni i BE-së nuk ka ndryshuar. Sipas saj, çdo veprim për urën duhet të paraprihet nga koordinimi efektiv dhe konsultime kuptimplota. Hipper kërkoi edhe që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në pajtim me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Aktualisht, ura mund të kalohet nga këmbësorët, ndërsa qarkullimi i automjeteve vijon të jetë i ndaluar. Qëndrimi i Brukselit u bë publik pak ditë pasi KFOR-i konfirmoi se kishte nisur një tranzicion gradual të pranisë së tij të përhershme në këtë pikë.
Ura mbi Ibër bashkon pjesën jugore të Mitrovicës, ku shumica e banorëve janë shqiptarë, me pjesën veriore, ku shumicën e përbëjnë serbët. Për vite me radhë ajo ka qenë një prej pikave më të ndjeshme politike dhe të sigurisë në Kosovë. Hapja për automjete ishte paraparë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi dhe, sipas planit të zbatimit të vitit 2016, duhej të ndodhte në janar të vitit 2017.
Megjithëse punimet për revitalizimin e urës përfunduan në vitin 2018, pas një investimi prej 1.5 milionë eurosh, automjetet nuk u lejuan asnjëherë të qarkullonin aty. Përpjekjet e institucioneve të Kosovës janë kundërshtuar nga serbët lokalë, ndërsa partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar që çdo ndryshim të ndërmerret në koordinim me ta.
Qaka thotë se hapja e urës nuk mund të reduktohet në një veprim fizik ose politik, pasi ajo duhet të jetë pjesë e një procesi më të gjerë të menaxhimit të sigurisë dhe analizimit të rrezikut.
“Hapja e urës mbi lumin Ibër nuk duhet të vlerësohet vetëm si një akt fizik, politik apo institucional, por si rezultat i një procesi shumë më të gjerë të menaxhimit të sigurisë, të vlerësimit të situatës dhe të ndërtimit të kapaciteteve operative. Përtej momentit simbolik të hapjes, ajo që ka rëndësi profesionale është ambienti i sigurisë që është krijuar, mënyra se si është analizuar rreziku, si janë identifikuar indikatorët e mundshëm të përshkallëzimit dhe si janë organizuar strukturat për ta parandaluar çdo situatë që mund të cenonte rendin dhe sigurinë publike”, ka deklaruar politologu Adnan Qaka.
Megjithatë, ai e quan të papranueshëm reagimin e BE-së, të cilin e sheh si të dëmshëm dhe të njëanshëm. Sipas Qakës, të drejtat e komunitetit serb në Kosovë duhet të maten me gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ku ai pretendon se vazhdojnë diskriminimi, segregacioni dhe mungesa e të drejtave.
“Reagimi i Bashkimit Evropian është tejet i papranueshëm dhe tejet i dëmshëm për shtetin e Kosovës dhe i njëanshëm. Të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive që i gëzojnë pakicat serbe në Kosovë, do të duhej së paku të njëjtat të drejta t’i gëzonin edhe shqiptarët në rajonin e Luginës së Preshevës, që po përballen me segregacion dhe spastrim etnik, mungesë pothuajse totale të çdo të drejte, frikësim nga autoritetet e sigurisë së Serbisë, pengim të investimeve nga shteti i Kosovës në atë rajon dhe vetë shteti serb, duke e lënë rajonin si rajonin më të prapambetur në Serbi”, shprehet Qaka për “Bota sot”.

Një nga problemet që ai veçon është pasivizimi i adresave. Qaka pretendon se, përmes kësaj praktike, Serbia po ndikon në mënyrë sistematike në zbrazjen e Luginës së Preshevës.
“Përmes pasivizimit të adresave, shteti serb në mënyrë sistematike po e depopullon atë rajon. Shqiptarët janë duke u larguar nga ky terror sistematik serb që po ndodh në vazhdimësi. Në krahinën e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, nuk po respektohet vullneti plebishitar i shprehur dhe i manifestuar me referendumin e 1-2 marsit 1992, për barazi dhe gëzim të të drejtave individuale dhe të drejtave kolektive, si dhe për autonomi politike e territoriale të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, thotë ai.
Politologu thekson se, sipas tij, po anashkalohet edhe sakrifica e shqiptarëve të kësaj treve për mbrojtjen e pragut, dinjitetit dhe identitetit të tyre, përfshirë luftën e armatosur të UÇPMB-së.
Ai deklaron gjithashtu se Serbia nuk po e zbaton Marrëveshjen e Konçulit të 20 majit 2001. Në vlerësimin e tij, zbatim të plotë nuk kanë pasur as marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të kësaj krahine në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022.
“Nuk po përfillet sakrifica në mbrojtje të pragut, dinjitetit dhe identitetit, mbrojtja përmes luftës së armatosur nga UÇPMB-ja. Nuk po zbatohet nga Serbia Marrëveshja e Konçulit e 20 majit 2001, por nuk ka zbatueshmëri edhe për të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të kësaj krahine në vitet 2001, 2009, 2013 dhe 2022”, deklaron Qaka.
Qaka përmend sërish çështjen e adresave të qytetarëve shqiptarë në Luginë. Sipas tij, mbi 25 mijë shqiptarë janë prekur nga pasivizimi dhe rreth çdo i katërti banor i kësaj krahine nuk figuron në evidencat civile.
“Janë mbi 25 mijë qytetarë shqiptarë që u janë pasivizuar adresat, apo çdo i katërti qytetar i kësaj krahine nuk figuron në evidencat civile; kemi një pasivizim alarmant të adresave”, thotë ai.
Ndër problemet e tjera të renditura prej tij janë mungesa e arsimit universitar në gjuhën amtare, mungesa e një spitali rajonal për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, moskthimi i lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë dhe nevoja për rikthimin e gjykatës në Preshevë.
Ai kërkon edhe vende të rezervuara për shqiptarët në Parlamentin e Serbisë, si dhe përfaqësim proporcional në strukturat shtetërore e në institucionet lokale dhe qendrore.
“Jo vetëm që mohohet shkollimi në nivel universitar në gjuhën amtare, por mungon spitali rajonal për pacientët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, nuk është kthyer lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së në Preshevë, duhet të kthehet gjykata në Preshevë, duhet përfaqësimi me vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë; fatkeqësisht, kemi një mos-përfaqësim proporcional në strukturat shtetërore, në të gjitha instancat lokale dhe qendrore”, shprehet ai.
Sektori i sigurisë është një tjetër burim shqetësimi, sipas politologut. Ai thotë se në Luginën e Preshevës nuk ekziston një stacion policor dhe pretendon se që nga viti 2016 nuk është punësuar asnjë polic shqiptar në Serbi.
“Nuk ka një stacion policor në Luginën e Preshevës dhe, nga viti 2016, nuk është pranuar asnjë polic shqiptar në këtë shtet. Serbia, përveç të tjerash, vazhdon të mbjellë frikë, përdorimin e gjuhës së urrejtjes, racizëm dhe ksenofobi, diskriminim në kulturë, në informim, në investime, mohim sistematik shtetëror, diskriminim klasik”, deklaron Qaka.
Ai e lidh situatën edhe me praninë e konsiderueshme ushtarake dhe të sigurisë përgjatë zonës kufitare.
“Militarizim më të lartë pothuajse në të gjithë BE-në, ku ka 48 minibaza në zonën tokësore të sigurisë në këtë rajon, dhe është instaluar një psikozë, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, arsimilim dhe spastrim etnik”, thotë Qaka.
Në këtë kuadër, ai akuzon BE-në se po toleron diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe e sheh këtë si dëshmi të standardeve të dyfishta.
“BE-ja tani lejon këtë diskriminim sistematik; është diskriminim klasik i strukturuar dhe është një provë kredibiliteti, pasi kemi respektim të standardeve vetëm në një drejtim. Duhet të praktikohet reciprociteti: standard të njëjtë për të gjitha të drejtat individuale dhe kolektive që i gëzojnë pakicat serbe në Kosovë, do të duhej së paku të njëjtat të drejta t’i gëzonin edhe shqiptarët në rajonin e Luginës së Preshevës dhe gjithandej Serbisë”, shprehet ai.
Sipas Qakës, serbët në Kosovë kanë një gamë të gjerë të drejtash politike dhe institucionale të garantuara me Kushtetutë. Ai përmend vendet e rezervuara në Kuvend, përdorimin zyrtar të gjuhës, vetëqeverisjen lokale dhe përfaqësimin proporcional në institucione.
“Pakicat serbe në Kosovë i gëzojnë të drejtat e gjera dhe të garantuara me Kushtetutë, në një nivel më të avancuar në të gjithë BE-në, të drejtash politike dhe institucionale, duke përfshirë të drejtat e përfaqësimit në Parlamentin e Kosovës me vende të rezervuara, deri te përdorimi zyrtar i gjuhës dhe vetëqeverisja lokale në komuna, përfaqësim proporcional në Qeveri, Parlament, gjykata, prokurori, kryetarë të komunave, komandantë të stacioneve të Policisë së Kosovës dhe zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës dhe FSK-së”, thotë ai.
Ai përmend edhe institucionet arsimore dhe simbolet e trashëgimisë kulturore serbe në Kosovë. Sipas pretendimit të tij, komuniteti serb ka universitete në Mitrovicën e Veriut, ndërsa në zonat ku jeton janë vendosur shtatore dhe lapidare.
“Pakicat serbe në Kosovë kanë universitetet në Mitrovicën e Veriut, gjithashtu kanë vendosur shtatore të ndryshme nga trashëgimia e tyre kulturore dhe lapidare me kriminelë serbë që kanë marrë pjesë në krimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë; pra, në të gjitha poret e jetës kanë përfaqësim. Me një fjalë, në asnjë shtet të BE-së nuk zbatohen dhe nuk i gëzojnë si të drejtat e pakicës serbe si në Kosovë”, deklaron politologu.
Kritikat e Qakës shtrihen edhe te emisarët e BE-së të angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi. Ai vlerëson se të gjithë kanë përdorur të njëjtin diskurs dhe kanë zbatuar, sipas tij, standarde të dyfishta ndaj shqiptarëve në Serbi dhe serbëve në Kosovë.
“Të gjithë emisarët e BE-së, pa dallime, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, kanë ndjekur diskursin e njëjtë me standarde të dyfishta nga BE-ja për pakicën shqiptare në Serbi dhe pakicën serbe në Kosovë”, thotë Qaka.
Duke iu rikthyer urës, politologu e interpreton kërkesën evropiane si presion politik ndaj Kosovës dhe si përpjekje për të minimizuar atë që ai e konsideron sukses të institucioneve kosovare në veri.
“Kërkesa e Bashkimit Evropian mund të kuptohet si një presion politik ndaj shtetit të Kosovës për t’ia zbehur ose minimizuar pothuajse suksesin e plotë të Kosovës në atë pjesë, duke luftuar organizatat terroriste ortodokse serbe, krimin e organizuar, ekonominë joformale, kontrabandën dhe vënien e sigurisë, edhe pse ende atje ka mjaft punë për t’u bërë që shteti i Kosovës ta krijojë një siguri të plotë dhe një fuqizim të sovranitetit”, shprehet ai.
Sipas tij, trysnia e faktorëve ndërkombëtarë duhet të përqendrohet te Beogradi dhe te serbët lokalë në Kosovë, në mënyrë që ata ta pranojnë realitetin e Kosovës së pavarur dhe të mos pengojnë bashkëjetesën përmes ndarjeve e bllokadave.
“Mendoj se presioni politik duhet të bëhet mbi Beogradin dhe serbët lokalë në Kosovë që ta pranojnë realitetin dhe të jetojnë së bashku në Kosovën e pavarur, të mos krijojnë ndasi e bllokada, siç kanë bërë serbët në mbi dy dekada nga paslufta në Kosovë”, deklaron Qaka.
Ai e përshkruan urën e Ibrit si një kufi psikologjik, i cili për shumë vite e ka ndarë qytetin dhe ka kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve.
“Ura e Ibrit ka qenë një kufi psikologjik dhe jo shtetëror që, fatkeqësisht, e kishte ndarë shtetin dhe e pengonte qarkullimin e lirshëm të qytetarëve shqiptarë me çdo automjet. BE-ja, me këtë rast, dëshiron ta zvarrisë këtë çështje dhe t’i japë sinjal Beogradit se nuk ka përkrahjen tonë, ani pse në prapaskenë mund të jetë e kundërta; sidoqoftë, kjo është thirrje e tyre për një zvarritje dhe është rrezik i madh që çështja e urës, nga një vendim teknik, të kalojë në vendim politik”, thotë ai.
Qaka u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të komunikojnë drejtpërdrejt me BE-në dhe të sqarojnë se hapja e urës nuk përbën kërcënim për sigurinë e serbëve, por mund të ndikojë në integrimin e komuniteteve dhe në zhvillimin ekonomik.
“Shteti i Kosovës duhet të ketë komunikim me Bashkimin Evropian dhe t’ia bëjë të qartë se ndërtimi i urave dhe hapja e tyre nuk cenojnë sigurinë e qytetarëve serbë që jetojnë atje; kjo paraqet siguri dhe integrim të komuniteteve dhe prosperitet ekonomik”, deklaron ai.
Politologu pretendon se serbët lokalë kanë refuzuar të integrohen në shtetin e Kosovës për afro tri dekada dhe se vazhdojnë të shërbejnë si instrument destabilizues i Beogradit.
“Janë vetë serbët që nuk po duan tash e pothuajse tri dekada nga paslufta në Kosovë të integrohen në shtetin e Kosovës dhe vazhdojnë të jenë instrument destabilizues i Beogradit kundër shtetit të Kosovës”, shprehet Qaka.
Në përfundim, ai thotë se ura nuk duhet të mbetet peng i politikave që prodhojnë ndarje dhe standarde të ndryshme. Sipas tij, nëse BE-ja kërkon demokraci, të drejta të njeriut, sundim të ligjit dhe siguri për të gjitha komunitetet, këto parime duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë.
“Çështja e urës mbi Ibër nuk mund të mbetet peng i një politike që prodhon ndarje, frikë dhe standarde të dyfishta; nëse Bashkimi Evropian kërkon demokraci, të drejta të njeriut, sundim të ligjit dhe siguri për të gjitha komunitetet, atëherë këto standarde duhet të jenë të njëjta, të zbatueshme dhe të matshme në të dyja anët e kufirit. Kosova nuk mund të kërkohet vazhdimisht të dëshmojë përgjegjësinë e saj, ndërsa diskriminimi sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës të trajtohet si çështje dytësore”, thekson Qaka.
Ai kërkon që të drejtat e komuniteteve të mos përdoren si mjet politik vetëm ndaj Kosovës, por të trajtohen si një parim universal.
“Respektimi i të drejtave të komuniteteve nuk mund të jetë instrument politik vetëm kur i kërkohet Kosovës; ai duhet të jetë parim universal, pa standarde të dyfishta, pa tolerim të diskriminimit dhe pa relativizim të realiteteve. Hapja e urës mbi Ibër duhet të shihet si hap drejt integrimit, lëvizjes së lirë, sigurisë dhe funksionimit normal të shtetit të Kosovës, ndërsa presioni ndërkombëtar duhet të orientohet aty ku ekzistojnë pengesat reale për normalizim, integrim dhe bashkëjetesë”, thotë ai.
Qaka e përmbyll qëndrimin duke theksuar se urat duhet t’i afrojnë njerëzit dhe jo t’i thellojnë ndarjet. Në vlerësimin e tij, standardet evropiane kanë vlerë vetëm nëse zbatohen njësoj ndaj të gjithëve.
“Sepse urat ndërtohen për të bashkuar njerëzit, jo për të legalizuar ndarjet, ndërsa standardet evropiane kanë kuptim vetëm atëherë kur zbatohen njësoj për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike, territorit apo interesit politik”, përfundon politologu Adnan Qaka.
