Pas më shumë se tetë muaj nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani është optimiste se vendi mund ta krijojë qeverinë, gjithashtu ajo është kritike ndaj Listës Serbe pasi sipas saj “po përpiqet të sjelle pengesa në formimin e qeverisë”.
Përpjekjet për krijimin e Qeverisë së re nisën më herët këtë muaj, pasi u konstitua Kuvendi i ri më 10 tetor, duke i dhënë fund një ngërçi disamujor pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Presidentja Osmani mandatoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re.
Gjatë një dalje për mediat në Kosovë në kuadër të muajit Ndërkombëtar të Luftës kundra Kancerit të Gjirit, ajo u shpreh se: “ Unë nuk do të ngutesha që të jap supozime se do të dështojë krijimi i Qeverisë, ka edhe pak kohë”.
Vlen të theksohet se Lista Serbe ka bërë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese dhe ka kërkuar nga kjo gjykatë që të vendosi masë të përkohshme, për të ndaluar “veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka pranuar kërkesën e Listës Serbe po nuk ka dhënë ndonjë vendim.
Osmani tha se “vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton interesat, jo vetëm të Kosovës si shtet, por të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe serbët”.