Categories: kosovë

Pezullimi i bisedimeve me LVV-në nga Abdixhiku, pasojat e mundshme

Pezullimi i negociatave për krijimin e institucioneve mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, i vendosur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po interpretohet ndryshe nga njohësit e skenës politike. Vendimi erdhi pasi u vendos thirrja e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së për votëbesimin ndaj tij.

Të lidhura

None found

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, e konsideron këtë ndërprerje të bisedimeve si zhvillim që mund të prodhojë pasoja të ndjeshme për partinë e udhëhequr nga Abdixhiku. Ai vlerëson se përçarjet e brendshme në LDK kanë cenuar një proces që mund të përfundonte me marrëveshje politike për formimin e institucioneve.

Sipas Baraliut, LDK-ja, si subjekt me histori të gjatë në jetën institucionale, duhet të mbrojë kohezionin politik dhe stabilitetin e brendshëm. Ai paralajmëron se debatet e brendshme dhe ekzistenca e grupimeve të ndryshme mund ta dëmtojnë pozitën e saj në skenën politike.

Ai thekson se në takimet fillestare mes krerëve të LDK-së dhe LVV-së ishte shfaqur vullnet për dialog, si edhe për arritjen e një kompromisi për çështjen e presidentit.

Vendimi i Abdixhikut për pezullimin e negociatave me LVV-në, çfarë pasojash mund të ketë për formimin e institucioneve të reja

“Mendoj se është diçka jashtëzakonisht e dëmshme për vetë LDK-në, që është një subjekt historik për nga rëndësia dhe aktiviteti institucional. Një parti institucionaliste që ka dhënë kontributin e vet në dekada. Gatishmëria që pati udhëheqësi i kësaj partie në bisedën e parë që pati me kryetarin e LVV-së, tregon se kishte një gatishmëri për të gjetur një çelës të një marrëveshjeje mbase gjithëpërfshirëse për presidentin dhe për bashkëqeverisje. Ndërkohë, vlimet e brendshme dhe grupimet, interesat e ndryshme dhe veprimet konceptualisht dalluese brenda grupeve të caktuara, mos edhe ndikimet nga jashtë brenda këtij subjekti, kanë bërë që tani të ketë një situatë ku detyrohet, për hir të respektimit të statutit, kryetari i kësaj partie që të deklarohej se pezullohen çfarëdo forme kontakti dhe bisede lidhur me bashkëqeverisje dhe eventualisht gjetjen e konsensusit për presidentin”, deklaron ai.

Analisti politik Adrian Zeqiri, nga ana tjetër, vlerëson se një pajtim i mundshëm ndërmjet LDK-së dhe LVV-së do të paraqiste sfidë të madhe për LDK-në, duke pasur parasysh raportin aktual të forcave në Kuvend.

Sipas tij, çdo parti që në rrethanat e tanishme do të hynte në koalicion qeverisës me LVV-në do ta kishte të vështirë të ndikonte realisht në vendimmarrje. Arsyeja, sipas Zeqirit, është se për shkak të shumicës parlamentare, fuqia kryesore politike do të mbetej te LVV-ja.

Ai konsideron se marrja e ministrive pa peshë të konsiderueshme parlamentare mund të kthehet në barrë politike për secilin subjekt që i bashkohet qeverisë. Një parti e tillë, sipas tij, mund të mbajë koston e vendimeve qeverisëse pa pasur ndikim të mjaftueshëm në marrjen e tyre.

Zeqiri: Kushdo që hyn në qeveri me LVV-në realisht nuk do të ketë asnjë pushtet

“Jo vetëm LDK-ja, por kushdo që hyn në qeveri me LVV-në në këto momente dhe me këta numra nuk ka asnjë pushtet. Mund të jetë nominalisht i emëruar prej LDK-së, por nuk ka pushtet si parti. Zoti Kurti e ka shumicën qeverisëse dhe kurdo ai mund të bënte ekzibicione që i ka bërë në të kaluarën, i bën tash dhe në të ardhmen. Ekzibicione të ndryshme duke shkarkuar ministra apo shpërfillur ata e kështu me radhë. Nuk fiton asnjë parti që futet në koalicion qeverisës me LVV-në. Ajo është e determinuar që në një afat të mesëm të pësojë në mënyrë katastrofale prej LVV-së. LVV-ja s’ka asnjë nevojë për asnjë parti politike. Ndërkaq, çështja opsionale është posti i presidentit, ku nevojitet një konsensus. Dhënia e posteve ministrore kur një parti politike s’ka peshë elektorale sa i përket numrave është pozicion i rrezikshëm për çfarëdo partie politike”, thekson Zeqiri.

Vendimi për ndaljen e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje është marrë në një kohë tensionesh të brendshme në LDK. Partia po zhvillon debate lidhur me qëndrimin e saj politik dhe veprimet që duhet të ndërmarrë pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

Më 15 korrik, rreth 150 delegatë të LDK-së dorëzuan nënshkrimet për thirrjen e Kuvendit të partisë, ku kërkohet votëbesim për Abdixhikun. Në shkresën arsyetuese të LDK-së përmenden edhe, siç thuhet, rezultatet e dobëta të partisë në tri palët e fundit të zgjedhjeve.

Në ndërkohë, më 10 korrik, lideri i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zhvilloi takime të ndara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, si dhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Tema e diskutimeve ishte formimi i institucioneve të reja. Edhe pse nuk u arrit marrëveshje, Kurti ka deklaruar se takimet do të vazhdojnë në ditët në vijim.

Takimet u zhvilluan pasi KQZ-ja certifikoi rezultatet zgjedhore më 8 korrik. Lëvizja Vetëvendosje doli partia e parë me 47.13%, përkatësisht 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës u rendit e dyta me 19.44%, apo 22 deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 16.69% dhe 18 ulëse, ndërsa Aleanca mori 6.74% dhe shtatë ulëse. Komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.

të fundit

Ndotën mjedisin në Dhërmi dhe thyen ligjin/ IKMT ndërpret punën dhe sanksionon me gjoba disa firma

Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) ka pezulluar aktivitetin dhe ka vendosur gjoba ndaj pesë subjekteve që operojnë në…

7 minutes ago

Ferati mohon marrëveshjen e raportuar me VV-në, e quan propagandë

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha se kjo parti po merret me punët organizative për thirrjen e kuvendit…

9 minutes ago

Gjashtë të akuzuar për kredi të shpejta me të dhëna dhe dokumente të falsifikuara

Gjashtë persona janë akuzuar për marrjen e kredive të shpejta në emër të dikujt tjetër, pasi kanë falsifikuar të dhënat…

13 minutes ago

Nikolloski: Shkupi po negocion veçmas me BE-në për çështjen e transportuesve

Maqedonia e Veriut po e zgjidh problemin, që shoferët profesionistë të kamionëve kanë me qëndrimin e tyre në vendet e…

13 minutes ago

Riorganizimi në PD/ Berisha falënderon ish-bashkëpunëtorët, Noka dhe Bardhi mbajnë postet drejtuese

Me shpirt të lënduar por pa ambicie garimi. Një ditë pasi u zgjodh struktura e re udhëheqëse e Partisë Demokratike,…

18 minutes ago

Gjykata e Lartë refuzon rekursin e Belinda Ballukut, mbetet në fuqi pezullimi nga funksionet

Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-zëvendës kryeministres Belinda Balluku dhe la në fuqi masën masën e sigurisë “pezullim nga…

19 minutes ago