Adriana Matoshi dhe Edona Llalloshi, dy figura të njohura të skenës artistike shqiptare që sot janë edhe deputete të zgjedhura nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, u panë duke shkëmbyer përqafime e buzëqeshje në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Këto momente miqësore ndodhën gjatë seancës së 30-të me radhë, në përpjekjen për konstituimin e Kuvendit, ku dy deputetet u takuan dhe u përfshinë në një bisedë të ngrohtë, të shoqëruar me përqafime e afërsi të ndjeshme njerëzore.
Pamjet nga salla plenare treguan se lidhja midis tyre shkon përtej politikës – me shumë gjasë e ndihmuar edhe nga e kaluara e përbashkët artistike që të dyja e ndajnë.
Matoshi vjen nga bota e aktrimit, ndërsa Llalloshi është një nga zërat më të dashur të muzikës shqiptare, dhe duket se ky përbashkëtim i rrugëtimit artistik ka ndikuar në krijimin e një afrimiteti të veçantë mes tyre.
Ky shkëmbim përqafimesh e përzemërsi në një ambient shpesh të tensionuar siç është ai i Kuvendit, solli një çast njerëzor e pozitiv, ndonëse atmosfera brenda këtij institucioni nuk duket të jetë aspak e mirë, shkaku i mos-konstituimit të kuvendit tash e sa kohë.