Categories: kosovë

Përplasje në komision për KPMShCK-në, Bajrami e pyet Shabanin për përkatësinë partiake

Funksionimi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), mungesa e kuorumit dhe vonesat në trajtimin e ankesave shkaktuan debate të ashpra mes deputetëve të pozitës dhe opozitës në Komisionin për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Të lidhura

None found

Gjatë raportimit të përfaqësuesve të Këshillit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, e vuri në pikëpyetje sjelljen e anëtarit Eshref Shabani. Sipas tij, mënyra e reagimit të Shabanit kishte karakter politik, ndaj e pyeti se cilës parti i përkiste.

Bajrami tha se përfaqësuesit e KPMShCK-së duhej të ishin paraqitur të përgatitur me raportet dhe të dhënat përkatëse. Ai kritikoi edhe një prej anëtarëve për deklaratat e bëra në komision, duke i cilësuar ato si të panevojshme dhe me ngjyresë politike.

“Është e rëndësishme që ju jeni ftuar sot dhe e keni pasur mundësinë të raportoni. Unë minimalisht do ta merrja raportin për 2024 ose 2025. Ne ua dhamë mundësinë, por ju nuk vazhduat. Mendoj se është dashur t’i keni këto të dhëna. Edhe nëse nuk i keni, unë kam një propozim për ju që deri të premten të përgjigjeni në pyetjet që i kemi bërë”, deklaroi Bajrami.

Ai shtoi se Shabani duhej të kërkonte falje për mënyrën e komunikimit dhe përmendi deklaratat që, sipas tij, e lidhën diskutimin me Serbinë. “Nuk mund të shkosh në komision dhe të thuash se e di pse na keni thirrur, duke e lidhur çështjen me Serbinë. Këto janë diskutime të panevojshme dhe më bëjnë të mendoj se keni ngjyrosje politike. A po na tregoni në cilën parti politike jeni?”, tha Bajrami.

Shabani u përgjigj se është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se në Këshill është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Për emocionet në fillim kërkoj falje. Tani po flas si anëtar i Këshillit dhe në emrin tim personal. Jam në këtë detyrë prej gjashtë vjetësh dhe kam provuar edhe shkarkimin nga Kuvendi. Më ka zgjedhur Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 55 vota. Të gjitha vendimet mund t’i dërgojmë në gjykatë dhe, kur kam qenë kryetar kolegji, gjykata ka kthyer vendime”, deklaroi Shabani.

Ai shtoi: “Sa i përket partisë, jam shumë krenar që i përkas Partisë Demokratike të Kosovës. Jam po ashtu krenar që puna ime në Këshill nuk u pëlqen deputetëve të VV-së”.

Debati vazhdoi edhe për kuorumin e Këshillit. Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e pyeti kryesuesin e KPMShCK-së, Arben Mehmeti, nëse organi aktualisht i plotëson kushtet për të zhvilluar mbledhje, për të formuar kolegje dhe për të shqyrtuar ankesat.

“Po të pyes nëse Këshilli aktualisht ka kuorum për të mbajtur mbledhje, për të caktuar kolegje dhe për të shqyrtuar ankesat”, tha Kryeziu-Hyseni.

Mehmeti iu përgjigj se ajo e njeh ligjin, pasi e ka votuar vetë atë. “Deputete, këtë pyetje nuk duhet ta bësh, sepse ti e di ligjin dhe e ke votuar ligjin”, tha ai.

Kryeziu-Hyseni kundërshtoi duke deklaruar se, ndonëse ajo e njeh ligjin, Mehmeti mund të mos dëshironte ta zbatonte atë, pasi mënyra aktuale e funksionimit i përshtatej.

“Unë e di ligjin, por po të pyes ty. A nuk e di unë ligjin apo nuk e dini ju? Ndoshta unë e di ligjin dhe ju gjithashtu e dini, por nuk doni ta dini, sepse ju konvenon të funksiononi në këtë mënyrë”, deklaroi ajo.

Gjatë mbledhjes, Arben Mehmeti bëri të ditur se mandati i tij kishte përfunduar më 25 janar 2025.

“Mua më ka skaduar mandati më 25 janar 2025”, tha Mehmeti.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, reagoi duke iu referuar periudhës kur Albin Kurti kishte ushtruar detyrën e kryeministrit pa mandat të ri.

“Për dy vjet Albin Kurti ka qëndruar pa mandat dhe nuk u bë kiameti. Edhe ti, Albulena, mund të rrish 10 vjet ushtruese e detyrës”, tha Zemaj.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, kritikoi mënyrën e organizimit të raportimit. Ajo tha se në ftesë nuk ishte përcaktuar as periudha për të cilën duhej të raportohej dhe as temat që do të trajtoheshin.

“Kur një institucion ftohet jashtë raportimit të rregullt, duhet të përcaktohet periudha kohore ose çështjet për të cilat do të raportohet. Në këtë rast, së paku në ftesë është dashur të shkruhej se do të diskutohej për funksionimin e këtij komisioni”, tha Musliu.

Ajo shtoi se përfaqësuesit e Këshillit kishin ardhur pa e ditur saktësisht për çfarë do të raportonin. “Ju përgëzoj për guximin që keni ardhur pa e ditur se për çfarë po vini. Po të isha në vendin tuaj, do t’i ktheja 304 email-e në ditë për të kuptuar se për çfarë do të flisnim. Sot keni ardhur në mal pa sëpatë dhe, nëse arrini t’ia dilni, ju përgëzoj”, deklaroi ajo.

Kritika ndaj pushtetit shprehu edhe deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi. Ajo tha se shpresonte që thirrja e Këshillit në komision të synonte funksionalizimin e tij dhe jo kapjen politike të institucionit.

“Shpresoj që tendenca të jetë ndihma për ta bërë Këshillin funksional dhe jo përpjekja e pushtetit për ta kapur edhe këtë institucion, i cili ka rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shërbyesve civilë”, tha Bytyqi.

Ajo shtoi se Këshilli përballej me shumë sfida dhe paralajmëroi pushtetin që të mos ndihej i sigurt, duke thënë se mund ta gjente veten jashtë detyrës.

Deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, ngriti shqetësimin për kohën e gjatë të shqyrtimit të ankesave. Ai përmendi një rast të dorëzuar më 6 nëntor 2025, për të cilin përgjigjja ishte dhënë pas rreth 267 ditësh, ndërsa një ankese tjetër i ishte kthyer përgjigje brenda 45 ditëve, në afatin zyrtar.

“Në çfarë baze bëhet ky selektim i rasteve?”, pyeti Azemi.

Përfaqësuesit e KPMShCK-së u përgjigjën se kohëzgjatja e shqyrtimit varet nga natyra dhe përmbajtja e secilës lëndë.

Alban Bajrami kritikoi gjithashtu faktin që, sipas tij, Këshilli nuk kishte raportuar në këtë komision që nga viti 2023. Ai tha se përfaqësuesit duhej të paraqiteshin me të dhëna konkrete për punën e institucionit.

“Raportimi në këtë komision është i rregullt një herë në vit, por Këshilli mund të ftohet edhe disa herë. Duhet ta keni vlerësuar faktin që ju kemi thirrur, pasi që nga viti 2023 nuk keni raportuar. Është sikur të ekzistoni në një botë paralele”, deklaroi Bajrami.

Albana Bytyqi iu përgjigj duke thënë se gjatë dy vjetëve nuk kishte pasur qeveri dhe, për këtë arsye, Këshilli nuk kishte pasur mundësi të ftohej për raportim.

“Për dy vjet nuk ka pasur qeveri, prandaj nuk ka pasur mundësi të thirreshit”, tha Bytyqi.

Bajrami u kundërpërgjigj se partia e saj kishte kërkuar vazhdimisht mbajtjen e zgjedhjeve gjatë këtyre dy vjetëve.

“Për t’u përgjigjur, partia jote ka kërkuar vazhdimisht zgjedhje gjatë këtyre dy vjetëve”, tha Bajrami.

të fundit

Çeku discusses the 2035+ Education Strategy with the UP Student Parliament

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim një delegacion të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës,…

39 seconds ago

Limaj: Trendafilova’s statement shows the first impact of the new law on the Specialist Chambers

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si hap pozitiv reagimin e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës…

1 minute ago

Egzon Shalti sentenced to 25 years in prison for killing Auron Ferizi in Viti

Gjykata Themelore në Gjilan shpalli aktgjykim dënues ndaj Egzon Shaltin i akuzuar për vrasjen e Auron Ferizit, më 8 nëntor…

1 minute ago

Vitia për ndërrimin e foshnjës në Spitalin Amerikan 2: Rasti u trajtua me urgjencë, qytetarët të denoncojnë shkeljet

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka folur lidhur me rastin e ndërrimit të një foshnje në Spitalin Amerikan 2. Vitia…

1 minute ago

Çeku diskuton me Parlamentin Studentor të UP-së për Strategjinë e Arsimit 2035+

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim një delegacion të Parlamentit Studentor të Universitetit të Prishtinës,…

11 minutes ago

Limaj: Deklarata e Trendafilovës tregon ndikimin e parë të ligjit të ri për Dhomat Specializuara

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, e ka cilësuar si hap pozitiv reagimin e kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës…

11 minutes ago