Shoqata e qytetarëve nga Beogradi “Badnjak” ka bërë të ditur se më 26, 27 dhe 28 shtator do të zhvillojë një pelegrinazh treditor nga kryeqyteti serb drejt Kosovës. Gjatë këtij udhëtimi, pjesëmarrësit pritet të vizitojnë kisha, manastire dhe vendbanime ku jetojnë serbë.
None found
Programi nis në ditën e parë me vizita në kishën e Babin Mostit, manastiret e Sushicës dhe Graçanicës, si dhe në kishën e Ferizajt. Më pas, grupi do të udhëtojë për në Hoçën e Madhe, ku do të vizitojë Kishën e Shën Arkidiakonit Stefan. Në këtë lokalitet është planifikuar edhe një darkë e përbashkët, ndërsa pelegrinët do ta kalojnë natën te familjet vendase.
Të dielën, më 27 shtator, pjesëmarrësit do të marrin pjesë në liturgji në Rahovec. Pas përfundimit të saj, ata do të vazhdojnë rrugën drejt Prizrenit, ku do të ndalen në Kishën e Shën Premtes, Katedralen e Shën Gjergjit dhe Seminarin Ortodoks të Prizrenit.
Itinerari në Prizren do të pasohet nga vizita në Manastirin e Kryeengjëjve të Shenjtë. Në këtë manastir janë paraparë edhe darka dhe fjetja e grupit.
Më 28 shtator, në orët e para të mëngjesit, pelegrinët do të nisen drejt Manastirit të Deçanit, ku do të marrin pjesë në liturgji. Më tej, ata do të vizitojnë Patriarkanën e Pejës dhe kishën në Vitomiricë, ndërsa kthimi në Beograd është planifikuar për orët e vona të mbrëmjes.
Sipas njoftimit të organizatorëve, udhëtimi do të ketë një kosto prej 90 eurosh për person. Në të njëjtin njoftim përmendet edhe një pjesë humanitare, por nuk specifikohet se çfarë do të përfshijë ajo.
Udhëtimet pelegrinazhi nga Serbia drejt kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë zhvillohen rregullisht. Një material i publikuar nga KoSSev thekson se kërkesa për itinerare të tilla shumëditore është e lartë dhe se disa organizatorë caktojnë disa termine gjatë vitit.
Deri tani, “Badnjak” nuk ka sqaruar nëse për këtë vizitë do të angazhojë një udhërrëfyes turistik të licencuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës.
Që nga 1 Gushti, institucionet e Kosovës kanë nisur zbatimin e Ligjit për Turizëm. Ndër të tjera, ligji kërkon që në çdo rast të vizitave turistike të jetë i pranishëm një udhërrëfyes i licencuar nga autoritetet e Republikës së Kosovës, edhe nëse organizatorët kanë angazhuar një udhërrëfyes “të huaj”.
“Ligji i Kosovës për Turizmin përcakton se udhërrëfyesi i huaj, i cili nuk është i regjistruar në Kosovë, mund të shoqërojë një grup të huaj në cilësinë e shoqëruesit turistik, por gjatë ofrimit të shërbimeve të udhërrëfimit duhet të shoqërohet nga një udhërrëfyes i regjistruar në Kosovë. Ligji nuk përcakton se vetë pelegrinazhi fetar konsiderohet shërbim i udhërrëfimit turistik”, thuhet në ligj, transmeton KosovaPress.
Rregulloret kosovare e lidhin kërkesën për licencë me ofrimin e një shërbimi profesional të udhërrëfimit turistik. Në të njëjtën kohë, priftërinjtë, murgjit dhe përfaqësuesit fetarë që u shoqërojnë besimtarëve në kuadër të rolit të tyre shpirtëror nuk cilësohen udhërrëfyes turistikë vetëm për shkak të kësaj shoqërie.
Kjo çështje megjithatë ka shkaktuar reagime të ashpra, përfshirë edhe nga nivelet më të larta të shtetit serb dhe nga Kisha Ortodokse. Përfaqësues të kësaj të fundit kanë deklaruar se vizitat e besimtarëve në manastire nuk duhet të trajtohen si ture turistike komerciale, pasi bëhet fjalë për vende adhurimi, lutjeje dhe jete monastike.
Grida Duma, ka reaguar ndaj zërave të publikuar ditët e fundit në disa portale, sipas të cilave ajo mund të…
Asociacioni i mediave të Maqedonisë (AMM) dhe servisi publik RTM kanë reaguar ndaj, siç thonë, indikacioneve se disa kompani të…
Bordi drejtues i Atletico Madridit ka dhënë mbështetje unanime për vendimin për të mos negociuar me Barcelonën transferimin e sulmuesit…
Manchester City po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të lojtarit më të mirë të Evertonit, sulmuesit 26-vjeçar senegalez Iliman…
Policia e Kosovës ka ripërsëritur thirrjen për bashkëpunim me qytetarë – për gjetjen e Xhafer Raqit. Raqi është nga Prishtina…
Një ngjarje e rëndë është regjsitruar në Farkë, ku një 24-vjeçar përplasur për vdekje një fëmijë rreth 1-vjeçe e gjysmë…