Ministrja serbe Snezhana Paunoviq ka shkaktuar reagime të ashpra në rrafshin politik dhe ndërkombëtar, pasi deklaroi se, po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit më 1999, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
None found
Në vend që të distancohej nga ky qëndrim apo të kërkonte falje, Paunoviq e ka thelluar skandalin. Ajo u tha mediave serbe se edhe sot do ta “spastronte etnikisht Kosovën nga terroristët”, ndërsa pretendoi se fjalët e saj ishin shkëputur nga konteksti dhe se ato u referoheshin vetëm ushtarëve të UÇK-së.
Duke folur për “Bota sot”, njohësi i zhvillimeve politike, Nehat Hyseni, tha se kjo deklaratë sjell pasoja serioze politike dhe institucionale. Sipas tij, reagimi i kongresistit amerikan Joe Wilson dëshmon qartë se po pakësohet toleranca ndaj glorifikimit të politikave kriminale të së kaluarës.
Hyseni vlerësoi se pohimi i ministres serbe Snezhana Paunoviq, se në vitin 1999, po të ishte në pozitën e Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, renditet ndër deklaratat më të rënda politike të bëra gjatë viteve të fundit në Ballkan. Sipas tij, kjo nuk mund të konsiderohet vetëm si provokim verbal apo papërgjegjshmëri personale. Fakti që autorja e saj është pjesë e Qeverisë së Serbisë i jep qëndrimit përmasa institucionale dhe ngre dyshime të mëdha për drejtimin politik, moral dhe ndërkombëtar të shtetit serb.
Ai theksoi se reagimi i menjëhershëm i kongresistit amerikan Joe Ëilson, i cili e quajti deklaratën “të neveritshme” dhe kërkoi që Asambleja Parlamentare e OSBE-së të mos e zhvillojë sesionin vjetor në Beograd në vitin 2027, nuk duhet parë vetëm si reagim emocional. Sipas Hysenit, ky është një mesazh politik veçanërisht i rëndësishëm, që tregon se demokracitë euroatlantike po humbin durimin me lavdërimin e politikave kriminale të viteve nëntëdhjetë dhe me refuzimin e Serbisë për t’u përballur me të kaluarën.
Hyseni nënvizoi gjithashtu se lavdërimi i spastrimit etnik nuk mund të përfshihet në kufijtë e një debati demokratik, sepse bëhet fjalë për një prej shkeljeve më të rënda të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas tij, liria e shprehjes është pjesë e shoqërive demokratike, por ajo nuk u jep individëve të drejtën të glorifikojnë krimet kundër njerëzimit. Spastrimi etnik nuk përbën as opinion politik dhe as alternativë historike që mund të diskutohet në mënyrë legjitime. Ai është ndër shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe lidhet drejtpërdrejt me krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe, në rrethana të caktuara, edhe me gjenocidin.
Hyseni rikujtoi se gjatë viteve 1998–1999, regjimi i Sllobodan Millosheviqit ndërmori në Kosovë një fushatë të organizuar për dëbimin masiv të shqiptarëve. Mbi 800 mijë shqiptarë u larguan me forcë nga shtëpitë, mijëra civilë u vranë, qindra fshatra u dogjën dhe u kryen masakra të dokumentuara sot nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Për rrjedhojë, kur një ministre e Qeverisë së Serbisë shprehet se do ta kishte çuar deri në fund atë projekt kriminal, në thelb ajo tregon keqardhje që projekti nuk u përmbush tërësisht. Sipas tij, kjo nuk është më çështje debati historik apo interpretimi politik të së kaluarës, por përpjekje për relativizimin dhe legjitimimin e një politike kriminale me pasoja të rënda juridike dhe humanitare.
Në vlerësimin e Hysenit, një nga problemet kryesore të institucioneve dhe shoqërisë serbe vazhdon të jetë mungesa e një përballjeje të ndershme me të kaluarën.
Ai tha se Serbia bashkëkohore ende përballet me problemin serioz të mosreflektimit të sinqertë mbi të kaluarën. Ndryshe nga Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore, Serbia nuk ka ndërmarrë ende një proces të plotë institucional dhe shoqëror për shqyrtimin e krimeve të regjimit të Millosheviqit. Në diskursin publik, përkundrazi, vazhdon rehabilitimi i figurave të atij regjimi, ndërsa krimet e luftës mohohen ose relativizohen dhe vendimet e gjykatave ndërkombëtare vihen në dyshim. Për këtë arsye, deklarata e Snezhana Paunoviq nuk mund të shihet si një gafë personale apo ngjarje e rastësishme, por si shenjë e një kulture politike që nuk është ndarë ende plotësisht nga mendësia nacionaliste dhe shoviniste, e cila prodhoi luftërat e përgjakshme të viteve nëntëdhjetë.
Pikërisht në këtë kontekst, sipas Hysenit, reagimi i kongresistit amerikan Joe Ëilson merr peshë të veçantë politike. Ai vjen nga një politikan me përvojë të gjatë në fushën e sigurisë euroatlantike dhe shkon përtej dënimit moral të deklaratës. Me propozimin që Serbia të mos e organizojë sesionin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027, ai shpreh qartazi, për herë të parë, qëndrimin se glorifikimi i spastrimit etnik duhet të sjellë pasoja politike dhe diplomatike. Hyseni e konsideroi këtë një ndryshim cilësor në qasjen që komuniteti ndërkombëtar mund të ndjekë ndaj retorikës që rehabiliton krimet e së kaluarës.
Në përfundim, Hyseni kërkoi një përgjigje institucionale nga bashkësia ndërkombëtare, duke paralajmëruar se mosndëshkimi i deklaratave të tilla do të vendoste një precedent të rrezikshëm.
Ai paralajmëroi se, nëse bashkësia ndërkombëtare hesht, mund të krijohet përshtypja se apologjia ndaj spastrimit etnik kalon pa përgjegjësi politike. Një shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian nuk mund të pranojë që ministra apo zyrtarë të lartë të shfaqin admirim ose keqardhje për politika të dënuara si nga historia, ashtu edhe nga drejtësia ndërkombëtare. Në shumë shtete evropiane, mohimi i Holokaustit apo glorifikimi i nazizmit ndëshkohet penalisht. Me të njëjtin standard, sipas tij, duhet parë edhe lavdërimi i spastrimit etnik në Ballkan, pasi ai godet bazat juridike dhe morale mbi të cilat u ngrit Evropa e pasluftës. Kërkimi i pasojave diplomatike nuk përbën hakmarrje politike, por shërben për mbrojtjen e rendit juridik ndërkombëtar dhe të parimeve themelore të të drejtave të njeriut.
Hyseni kujtoi se OSBE-ja është krijuar mbi parimet e demokracisë, sigurisë, bashkëpunimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Nëse një vend, përfaqësuesit e të cilit lavdërojnë publikisht spastrimin etnik, lejohet të organizojë një sesion të kësaj organizate pa u përballur me reagim institucional, atëherë vihet në rrezik vetë besueshmëria e OSBE-së. Ai përfundoi për “Bota sot” se institucionet ndërkombëtare nuk mund të mbajnë qëndrim neutral.
Manchester City po punon intensivisht për transferimin e talentit maroken, Ayyoub Bouaddi. Mesfushori 18-vjeçar ka tërhequr vëmendjen me paraqitjet e…
Policia e Kosovës ka bërë ekstradimin e një shtetasi të Danimarkës në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”,. Ai kërkohej me urdhër-arrest…
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se Kuvendi i së enjtes është një moment vendimtar për të ardhmen e…
Këngëtarja e njohur, Fifi, ka zgjedhur një mënyrë ndryshe për të paralajmëruar projektin e saj më të ri muzikor. Artistja…
Propozimi i ribalancit të plotësuar për Buxhetin e vitin 2026 siguron mjete shtesë për përshpejtimin e investimeve kapitale, mbështetjen e…
Kuvendi miratoi sot me 74 votat e socialistëve marrëveshjen me SHBA-në, e cila parashikon një hua prej 302 milionë dollarësh…