Mbrojtja e Xhelal Sveçlës ka hequr dorë nga marrja në pyetje e tij në gjykimin për rastin e gazit lotsjellës, ndërsa deklarimet e të pandehurit do t’i paraqesë gjatë fjalës përfundimtare.
None found
Avokati Luar Prenaj, pas propozimit të mbrojtjes, ka paraqitur fjalën përfundimtare. Ai ka deklaruar se, pas konsultimit me Sveçlën, mbrojtja nuk do ta shfrytëzojë të drejtën për deklarimin dhe marrjen në pyetje të tij, duke sqaruar se qëndrimet e të pandehurit do të përfshihen në fjalën përfundimtare.
Pas mbylljes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria ka bërë ndryshime në dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.
Në versionin e ndryshuar të aktakuzës thuhet se Xhelal Sveçla, më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një seance të jashtëzakonshme plenare, dyshohet se ka përdorur një bombolë gazi lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS.
Sipas pretendimit të Prokurorisë, bombola është aktivizuar nga Sveçla në disa raste dhe më pas është hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim dhe pa u krijuar personave të pranishëm mundësia për t’u larguar.
Aktakuza e lidh përhapjen e gazit irritues me hapësirat e mbyllura të sallës, ku personat e pranishëm, të frikësuar për shëndetin dhe sigurinë e tyre, janë detyruar ta braktisin atë. Për pasojë, seanca është ndërprerë.
Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, të paraparë në nenin 375, paragrafi 2 të Kodit Penal të vitit 2012.
Ndërkaq, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, pasi për këtë vepër ka arritur parashkrimi.
Ndryshimet nuk kanë prekur pjesën tjetër të aktakuzës, e cila ka mbetur e njëjtë.
Pas këtij ndryshimi, procesi gjyqësor ka vijuar me paraqitjen e fjalëve përfundimtare të palëve.
Përveç Sveçlës, në këtë rast akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, si dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku.
Megjithatë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk ishte i pranishëm në seancën e 16 janarit 2026. Ai njoftoi përmes e-mailit se ndodhej jashtë vendit, ndaj Gjykata vendosi që procedura penale ndaj tij të veçohej.
Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla është deklaruar i pafajshëm lidhur me veprën penale për të cilën akuzohet.
Aktakuza ndaj Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024. Të katër dyshoheshin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend gjatë marsit të vitit 2018. Më vonë, vendimi i Themelores është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.
Në seancën fillestare, të zhvilluar më 26 mars 2024, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi ishin ngarkuar edhe me veprën “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”. Për këtë vepër, gjykatësi i rastit, Sabit Sadikaj, kishte njoftuar në seancën fillestare se kishte përfunduar afati i parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur më 29 korrik 2019, të akuzuarit dyshohet se më 21 mars 2018, nga rreth ora 12:10 deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola gazi lotsjellës dhe i kanë hedhur ato brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po zhvillohej seanca plenare.
Në aktakuzë thuhet se për shkak të këtij veprimi, të gjithë deputetët janë detyruar ta lëshojnë sallën e Kuvendit, duke e bërë të pamundur vazhdimin e seancës.
Për këtë veprim, secili prej tyre akuzohet veçmas për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, sipas nenit 375, paragrafi 1 të Kodit Penal. Për këtë vepër parashihet dënim me burgim prej një deri në tetë vjet.
Ndërsa në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se të akuzuarit, secili veçmas, kanë kryer veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 409, paragrafi 1 i Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në ushtrimin e detyrave zyrtare. Për këtë vepër parashihet burgim nga tre muaj deri në tre vjet.
Një tragjedi e rëndë goditi një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës. Tre fëmijë humbën jetën si pasojë e një…
Dogana e Kosovës ka zbuluar mbi 54 mijë euro mjete monetare të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në pikën…
Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe akuzave të drejtuara ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar…
Deputetja nga Aleanca, Teuta Haxhiu, ka kritikuar Qeverinë për vonesën në procesin e subvencionimit të teksteve shkollore, vetëm pak ditë…
Në seancën gjyqësore ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës, mbrojtja ka hequr dorë nga marrja në pyetje e…
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me rastin e…