Categories: kosovë

Halil Geci: Sulmet ndaj Albin Kurtit tregojnë se kush qëndron pas propagandës, si dikur ndaj Rugovës

Halil Geci ka reaguar me tone të ashpra ndaj kritikave dhe akuzave të bëra kundër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke i cilësuar ato si një fushatë të organizuar politike dhe mediatike.

Të lidhura

None found

Sipas Gecit, situata e sotme i ngjan sulmeve që dikur iu drejtuan presidentit historik Ibrahim Rugova. Ai pretendon se pas diskursit kundër Kurtit qëndrojnë të njëjtat qarqe që në të kaluarën e etiketonin Rugovën si spiun dhe tradhtar, përcjell “Bota sot”.

Geci ka folur edhe për ndikime ruse e serbe, si dhe për përfshirjen e qarqeve të caktuara politike shqiptare. Ai ka kërkuar hetimin e çdo dyshimi për dëmtim të interesit shtetëror dhe publikimin e fakteve.

Shkrimi i plotë

SULMET NDAJ KURTIT NXORËN NË PAH TË NJËJTËN STRUKTURË QË DIKUR GODISTE RUGOVËN

Ata që vite më parë e quanin Ibrahim Rugovën spiun dhe tradhtar, sot po përpiqen ta paraqesin Albin Kurtin si “spiun të Iranit, Rusisë apo Serbisë”. Megjithatë, kalimi i kohës po zbulon gjithnjë e më qartë njerëzit dhe interesat që, sipas kësaj bindjeje, fshihen pas kësaj propagande.

Për të kuptuar se kush është Albin Kurti, mjaftonte të vëzhgohej me kujdes se nga cilat burime vinin sulmet ndaj tij.

Kritikat ndaj Kurtit kanë ardhur nga ambasadori rus në Këshillin e Sigurimit, nga Serbia, nga persona të lidhur me struktura të ndryshme politike dhe të sigurisë, nga disa zëra në Tiranë, nga qarqe që mbështesin narrativat ruse e serbe dhe nga një pjesë e opinionistëve që prej vitesh kanë ndjekur një linjë të pandërprerë kundër tij.

Kur analizon autorët e sulmeve dhe arsyet e tyre, shpesh mund të kuptosh vetë se ku fshihet problemi, edhe pa pasur nevojë për shumë prova.

Kjo nuk është një skemë e shfaqur për herë të parë.

Në thelb, bëhet fjalë për të njëjtën frymë që dikur drejtohej kundër Ibrahim Rugovës. Të njëjtat qarqe dhe njerëz e quanin atë spiun, tradhtar dhe pengesë për Kosovën. Kundër tij pati edhe atentate, ndërsa u vranë bashkëpunëtorë dhe atdhetarë të LDK-së.

Sot, kjo frymë shfaqet përmes një fjalori tjetër, duke e cilësuar Albin Kurtin si “spiun të Iranit”, “të Rusisë” ose “të Serbisë”.

Por historia tregon se, me kalimin e viteve, maskat përfundimisht bien.

Ne, si vëllezër, e kemi dalluar këtë realitet shumë kohë më parë. Për këtë arsye, u mbyllëm derën njerëzve që i shihnim si të dyshimtë dhe të rrezikshëm për interesin kombëtar. Jo të gjithë na besuan. Madje, për një periudhë, as Rifati i Jasharajve nuk na besonte. Por, pasi e kuptoi çfarë po ndodhte, edhe ai i largoi, ua mbylli derën dhe ua bëri të ditur se nuk donte t’i shihte më aty.

Për këtë qëndrim, mirënjohja ime u shkon para së gjithash varreve të të parëve tanë. Prej tyre mësuam se atdheu nuk mbrohet vetëm në rrethana të favorshme, por veçanërisht atëherë kur kjo mbrojtje kërkon sakrifica.

Ne zgjodhëm anën që e konsideronim të drejtë shumë vite përpara se shumë të tjerë ta kuptonin të njëjtën gjë.

Ky pozicionim nuk ka qenë pa kosto.

Na janë vrarë shokë dhe miq, ndërsa vëllezërit tanë janë plagosur. Për bindjet tona kemi paguar një çmim të lartë. Megjithatë, sot ndihemi krenarë që kemi qëndruar krah për krah me atë që e kemi parë si të drejtë, me Kosovën dhe me aleatët tanë historikë — Amerikën, Anglinë dhe Gjermaninë.

Besimi ynë ka qenë se, ashtu siç e mbrojtëm vendin gjatë luftës, duhet ta mbrojmë atë edhe në kohë paqeje dhe lirie.

Për këtë arsye, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla, ju përgëzoj për qëndresën tuaj përballë një propagande të fuqishme politike e mediatike, e cila, sipas bindjes sime, përbëhet nga ndërthurja e interesave sllave, ruse, serbe dhe e qarqeve të caktuara politike shqiptare.

Kur ndaj institucioneve të Kosovës janë ngritur akuza të rënda dhe kur brenda tyre janë shfaqur dyshime për tradhti ndaj interesit shtetëror, detyra ka qenë dhe vazhdon të jetë pastrimi i institucioneve dhe nxjerrja e fakteve në dritë.

Nëse ka persona që e kanë shitur interesin e Kosovës, ata duhet të deklasifikohen dhe të dalin para drejtësisë. Kjo nuk duhet të bëhet për hakmarrje politike, por për mbrojtjen e shtetit.

Qytetarët kanë nevojë sot më shumë se kurrë për fakte dhe jo për etiketime, për transparencë dhe jo për propagandë, si dhe për institucione të fuqishme e jo për struktura që funksionojnë në fshehtësi.

Prandaj, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla, qëndroni të palëkundur përballë trysnisë dhe mos iu nënshtroheni propagandës.

Në fund, të vërtetën nuk e përcakton zhurma e studiove televizive, por historia dhe faktet.

Unë do të vazhdoj të mbështes çdo qëndrim që mbron Kosovën, sovranitetin e saj dhe aleancat e saj strategjike.

Edhe sikur një ditë të më duhet ta shpreh këtë me krrole në dorë, si një plak që e mban kokën lart, mesazhi im do të mbetet i njëjtë:

Kosova qëndron mbi interesat e individëve. Atdheu është më i rëndësishëm se pushteti. Dhe e vërteta, herët ose vonë, i rrëzon të gjitha maskat.

të fundit

Aktakuza ndaj Fatmir Shehollit rikthen debatin për rrjetet e spiunazhit, Racaj: Kërcënimet kanë marrë forma të reja

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar për bashkëpunim me Agjencinë e Sigurisë dhe…

2 minutes ago

Cunami nga qielli”: Si u shkaktua katastrofa në Nepal, vala u ngrit deri në 200 metra

Cunami nga qielli e kanë pagëzuar tragjedinë që kushtoi qindra jetë njerëzish në rajonin e Himalajeve në Nepal dhe Kinë,…

3 minutes ago

Katastrofa e përmbytjeve në Nepal dhe Tibet/ Ndalen kërkimet, autoritetet paralajmërojnë rrezikun e një vale tjetër

Është të paktën 475 bilanci i jetëve të humbura nga vërshimi katastrofik i ujërave që goditi rajonin kufitar mes Nepalit…

3 minutes ago

BE-ja rishqyrton propozimin për shfrytëzimin e rezervave ruse të ngrira në ndihmë të Ukrainës

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian po kërkojnë që Brukseli të rikthejë përpjekjet për përdorimin e aseteve sovrane ruse të…

3 minutes ago

Fotot e Ergys Agasit nga ambientet e brendshme të Policisë/ Pezullohen dy efektivë, hetimi ende pa autor

Dy punonjës të Policisë së Tiranës, janë pezulluar nga detyra pas publikimit të fotografive të Ergys Agasit nga ambientet e…

6 minutes ago

PDK and AAK return to the Assembly, call for the resumption of the constitutive session

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë mbledhur sërish të premten në sallën e…

7 minutes ago