Paralajmërimi i Kurtit: Priten sulme të tjera në veri para dhe pas Vitit të Ri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në deklaratën e tij për mediat paralajmëroi sulme të tjera në veri të vendit, para dhe pas festave të fundvitit. Paralajmërimi i tij për sulmet erdhi pasi deklaroi se në 5 muaj në Kosovës janë kryer 15 sulme terroriste Millan Radoiçiç dhe njerëz të afërt me të. Ai tha se 14 prej sulmeve ishin përgatitje për shpërthimin në kanalin e ujit në Ibër-Lepenc.

“Kësi metodash të sfidimit të sigurisë në Republikën e Kosovës, të cilat për pasojë kanë jo vetëm cenimin e dëmtimin e infrastrukturës vitale, shkaktimin e incidenteve ndëretnike të cilat Serbia i nxitë fort, pastaj shkaktimin e panikun në mesin e qytetarëve, e krejt në fund, edhe krijimin e një imazhi të një vendi jostabil pritet të ndodhin edhe në të ardhmen e afërt dhe veçmas para dhe pas Vitit të Ri”, tha ai.

Kurti tha se institucionet e sigurisë në Kosovë janë përkushtuar që ato të ndalohen, ndonëse sulme të tilla, sipas tij janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme.

“Mirëpo ne jemi të përkushtuar që edhe këtë metodë të mbetur të Serbisë ta neutralizojmë maksimalisht, përkundër faktit se sulmet e tilla terroriste janë sfiduese edhe për shtete të fuqishme, veçmas nëse këto sulme e kanë mbështetjen dhe sponsorizimin e një shteti tjetër, në këtë rast si Serbia”, tha ai.


Shtuar 24.12.2024 18:24

Tags: ,