Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar ditën e sotme takim me kongresistët Claudia Tenney dhe Chrissy Houlahan, të shoqëruara nga e ngarkuara me punë në ambasadën e SHBA-ve në Kosovë, Anu Prattipati dhe delegacionin e Kongresit.
Në këtë takim, përveç situatës aktuale politike dhe të sigurisë në Kosovë, u diskutua për forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Fokus të veçantë kishte fusha e mbrojtjes, investimeve dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Osmani theksoi se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shtylla kryesore për të garantuar stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Ajo nënvizoi se sa herë që SHBA-ja ka qenë e përfshirë dhe ka luajtur rol aktiv në Ballkan, janë arritur zgjidhje të qëndrueshme dhe është shënuar përparim i rëndësishëm.
Presidentja shprehu falënderimet për prezencën e vazhdueshme të trupave amerikane në Kosovë duke theksuar se ky angazhim ka qenë themelor për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në momentet më të vështira.
Ajo nënvizoi se ndihma dhe mbështetja amerikane, të ofruara që nga ditët më sfiduese, janë dëshmi e miqësisë së palëkundur dhe angazhimit të përbashkët për paqen dhe prosperitetin në rajonin tonë.
Osmani theksoi se bashkëpunimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara është po ashtu jetik për realizimin e synimeve euroatlantike të vendit, që mbeten qëllim i palëkundur për Republikën e Kosovës.