“Ndodhemi në një situatë ku nuk besoj se mund të flasim për zgjedhje të reja pa e thënë fjalën e vet Gjykata Kushtetuese, meqenëse kemi mospajtime dhe kërkesë para tyre. Ata kanë një materie, të cilën tash duhet ta trajtojnë”, ka theksuar Kurti në një konferencë për media.
Kurti tha se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të thotë fjalën e saj, nëse duhet të ketë zgjedhje të reja apo jo, teksa dekretin e presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin e ka quajtur jokushtetues.
“Ky proces nuk arriti ta konsumojë as raundin e parë pasi munguan të gjitha deputetët e partive opozitare dhe partia e cila vazhdon të dirigjohet nga Beogradi. Të gjithë e keni parë mbrëmë pamjen e seancës, kush ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër, nuk ishte sepse nuk erdhi. Asnjë deputet që mungoi nuk ka njoftuar kryetaren për arsyen e mungesës, prandaj është lënda në Kushtetuese. Është detyrë e deputetëve ta kryejnë detyrën e tyre për siç i ka zgjedhur populli, të vijnë në vendin e tyre të punës dhe aty të marrin pjesë dhe të votojnë”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.
Ai ka thënë se deputetët që u zgjodhën për katër vjet në legjislaturën e dhjetë nuk i mbushën as katër javë të detyrës së tyre dhe sot në mëngjes u njoftuan nga mediet se me dekret është shpërndarë Kuvendi.
“Neni 86, paragrafi 6 i Kushtetutës parashikon se Kuvendi shpërndahet nëse në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjedhet president. Pra, asnjëri nga kandidatët nuk i merr 61 vota. Ne nuk kemi mbërri atje. Dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as raundi i parë, e lëre më i tretë. Nga formulimi i kësaj dispozite, pra neni 86 paragrafi 6, del qartë se shpërndarja e Kuvendit lidhet drejtpërdrejt me përfundimin e procedurës së votimit. Pra, pasi të jenë zhvilluar tre raunde votimi dhe votimi i tretë të ketë dështuar për të zgjedhur presidentin. E mbrëmë ne vetëm sa filluam me raundin e parë, kurrsesi nuk jemi tek përfundimi i raundit të tretë”, ka nënvizuar Kurti.
Nagavci: Dekreti i sotëm i presidentes Osmani i paparë ndonjëherë
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, sot në RTK Prime ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend. Ajo tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë shkelje duke nxjerrë një dekret që është kundërkushtetues. Po ashtu, ajo ka folur edhe për atë nëse kanë pasur ndonjë kërkesë për hyrje në qeveri nga PDK dhe LDK dhe marrëveshje politike.
“Fillimisht, ai ka qenë synimi dhe bindja jonë që të kemi dakordim edhe me partitë e tjera, në mënyrë që të votonim një kandidat i cili do të ishte edhe konsensual. Pas takimit me Hamzën, është bërë e ditur nga ata që dëshirojnë të kandidojnë një kandidat që vjen nga partia e tyre, gjegjësisht kërkojnë garanci për dhënien e votave për kandidatin e partisë së tyre. Në mungesë të propozimeve nga emra të tjerë, tashmë është bërë e ditur se është propozuar edhe emri i Andin Ukshin Hotit. Ai do të mund të ishte një opsion. Ka qenë një mundësi që të hapet diskutimi; nëse do të jepej mbështetje, do të ecnim përpara”, tha ajo.
“Ne, si Lëvizje, kemi qenë kundër zgjedhjeve të reja. Mendojmë se vendi ka nevojë për punë, për projekte dhe për shërbim në interes të qytetarëve. Kemi pasur mjaftueshëm bllokada, por duhet përmendur që edhe gjatë vitit të kaluar, kur Kuvendi ishte i pa konstituuar dhe Qeveria ishte në detyrë, qeveria ka vazhduar çdo ditë punët e saj dhe do të vazhdojë edhe deri në shpalljen e zgjedhjeve të reja, kurdo që ato të ndodhin”, shtoi Nagavci.
Osmani takon liderët, mungon Kurti
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar takimin me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të partive të komuniteteve.
Takimi është konsultativ, për të diskutuar në lidhje me datën e zgjedhjeve, pasi mëngjesin e sotëm Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza arrin në kuvend, në takimin e thirrur nga presidentja Osmani lidhur me datën e zgjedhjeve të reja.
Hamza para mediave, deklaroi se fillimisht do t’i shqyrtojë datat e propozuara, ndërsa theksoi se çdo vendim duhet të jetë në përputhje me rendin kushtetues dhe ligjor.
“Do t’i shikoj cilat janë datat e propozuara. Sidoqoftë, mendoj se gjithçka do të vendoset në përputhje me rendin kushtetues dhe rendin ligjor, dhe ne jemi parti që e respektojmë rendin kushtetues dhe ligjin”, tha Hamza.
Po ashtu në Kuvend kanë arritur edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajm, Kryetari i Lidhjes Demokratike rë Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe Deputetja Duda Balje.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, para takimit konsultativ me presidenten Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve, në prononcim para mediave tha se afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nuk mund të ndryshohen dhe se partia e tij do t’i respektojë.
Me këtë rast Haradinaj tha se tash “ne jemi në auto-pilot, dhe komandohemi nga Kushtetuta, nga afatet kushtetuese”.
“Dekreti është i drejtë dhe e respektojmë si të tillë. Kuptohet, presim edhe caktimin e datës së zgjedhjeve”, tha ai.
Kurse sa i përket kërkesë së LVV-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese pas dështimin të djeshëm për zgjedhjen e Presidentit, Haradinaj tha se “ky është vazhdim i talljes me procese e me qytetarë” nga ana e kësaj partie.
Në takim nuk ka marrë pjesë llideri i LVV-së, Albin Kurti. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se nuk ka arsyeje që të merret shkohet në takim me Presidenten, kur lenden Vetëvendosje e ka dërguar në Gjykatën Kushtuese.
“Nuk besoj që ka asnjë arsye të merret pjesë në një takim të tillë, për faktin e thjesht sepse siç e thamë ky është një veprim i cili jo vetëm që bie ndesh me Kushtetutën, por është edhe një veprim i nxituar dhe që nuk është në interes të vendit”, tha ajo.