Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka miratuar vazhdimin e programit kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) të Qeverisë amerikane për Kosovën, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas Osmani, për këtë çështje ajo është njoftuar zyrtarisht nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau.
“Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi ajo në Facebook.
Presidenca e Kosovës tha se Osmani gjatë qëndrimit në SHBA më herët gjatë korrikut kishte paraqitur kërkesën para zyrtarëve amerikanë për vazhdimin e këtij programi.
Në prill të vitit 2024, MCC-ja dhe Qeveria e Kosovës nisën zbatimin e këtij programin kompakt, që është i përqendruar në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër.
Programi kap vlerën e 236.7 milionë dollarësh. Nga kjo shumë, 202 milionë janë nga MCC-ja dhe 34.7 milionë të tjera janë kontribut i Qeverisë së Kosovës./REL