“Nuk besoj që ka dal tym i bardhë”, Krasniqi: Më shumë problem politik sesa juridik, momenti që presidentja t’i drejtohet Kushtetueses

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas përfundimit të takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani tha se ngërçi në të cilën ndodhet vendi më shumë është problem politik, sesa juridik.

Krasniqi tha se nuk ka risi nga takimi, ndërsa sipas tij, momenti që presidentja Vjosa Osmani t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese është tash ose afër.
“Po ndalem me ju fol edhe njëherë më shumë për shkak të respektit dhe punës që po bëni sesa që kam diçka të re për të thënë…Ne shkuam në takim me i shpreh qëndrime tona… me dhënë kontributin… nuk besoj që ka dal tym i bardh, siç po shihet…. a pe shihni që ka tym diku”, u shpreh Krasniqi, kur u pyet nëse ka diçka risi nga takimi.

Krasniqi përsëriti qëndrimin e PDK-së se kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu nuk i ka dhe nuk do t’i ketë votat për kryetare të Kuvendit, raporton Telegrafi.

“Në takim në emër të PDK-së kërkova që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti të ndryshojë kandidaten, të vijë me një propozim që ka mjaft në grupin e tij parlamentar që e marrin shumicën parlamentare. Një gjë e tillë nuk pres që do të ndodh, andaj fatkeqësisht jemi në situatën pothuajse të njëjtë, megjithatë këtë takim duhet ta shohim si një hap para, një përpjeke shtesë për të gjetur një rrugë zgjidhje”, tha ai.

Tutje, kryetari i PDK-së tha se është koshient që ngërçi aktual më shumë është problem politik, sesa juridik.

“Ju njoftoj po ashtu se kam propozuar që presidentja në zbatim të përgjegjësive kushtetuese… ku kërkohet ose obligohet që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve që në një moment, kur te vlerëson, e besoj që ai moment tashmë është këtu apo është afër që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për krejt procesin zgjedhor në mënyrë që të kemi një rrugëdalje”


Shtuar 15.05.2025 15:15