Kryeministri Albin Kurit ka reaguar për njohjen e pasaportave kosovare nga Armenia. Përmes një postimi në “Facebook”, Kurti ka shprehur urimet e tij për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Albin Kurti ka deklaruar se tashmë pasaporta kosovare sa vjen e bëhet më e fuqishme dhe e njohur ndërkombëtarisht. Më tej, kryeministri ka përgëzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zyrtarëve shtetërorë për punën e tyre.
Më herët autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se prej 20 dhjetorit, Armenia i njeh të gjitha pasaportat e Kosovës, përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.
Postimi i Kurtit:
Pasaporta jonë sa vjen e bëhet më e fuqishme dhe më e njohur ndërkombëtarisht. Pas liberalizimit të vizave dhe njohjes së pasaportës nga Spanja në muajin janar, vitin po e përmbyllim me lajmin që edhe Armenia, një shtet që ende nuk na njeh, nga sot ka vendosur të njohë pasaportën e republikës sonë. Urime qytetarëve dhe përgëzime Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zyrtarëve shtetërorë që punojnë çdo ditë për forcimin e shtetësisë sonë.