Të shtunën, më 2 tetor, ka nisur zhbllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, në afërsi të këtyre dy pikave kufitare janë parë pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Ekipet e Radios Evropa e Lirë në të dyja këto pika, kanë raportuar se serbët lokalë, bashkë me disa kamionë – të cilët kanë bllokuar rrugën tash e sa ditë – kanë ndezur kamionët dhe pritet të largohen nga këto hapësira.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të enjten, 30 shtator se tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet, ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë po atë ditë se për shtetin e tij “është e rëndësishme” që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu.
Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 1 tetor se Kosova është e gatshme të zbatojë marrëveshjen për targat.
“Kosova ka qenë e gatshme qysh moti. Kosova ka rreth 300 mijë stikersa (v.j. letra ngjitëse), kur po them 300 mijë stikersa po mendoj 300 mijë pako, për arsye se një pako i ka katër stikers, kaq sa nevojiten për secilën veturë për të mbuluar shenjat e shtetësisë dhe simbolet. Dhe këto mjaftojnë për të mbuluar qarkullimin gjashtëmujor ndërkufitar. Edhe marrëveshja e përkohshme ka një afat prej gjashtë muajsh, kështu që pala jonë është komplet e përgatitur”, ka thënë ai./REL