Ndizen qirinj për viktimat e gjenocidit në Kosovë, 24 vjet nga Masakra e Reçakut

Aktet gjenocidare të 15 janarit 1999 në fshatin Reçak dhe sidomos gjymtimi i viktimave të civilëve shqiptarë nxori në shesh barbarinë e shtetit serb dhe vendosmërinë e pushtetit të Beogradit që të realizonte gjenocidin kundër shqiptarëve autoktonë të Kosovës.

Skenat e tmerrshme me civilë të masakruar përshkuan mediat ndërkombëtare dhe patën ndikim të jashtëzakonshëm në mobilizimin e opinionit publik dhe të qendrave vendimmarrëse në marrëdhëniet ndërkombëtare, që t’i japin fund një herë e përgjithmonë politikës gjenocidare të Serbisë.

Pikërisht për shkak të jehonës së madhe ndërkombëtare që patën krimet monstruoze të kryera në këtë fshat, Kuvendi i Kosovës shpalli 15 janarin si Ditë të Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

Prandaj sot, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, përkujtohen civilët e vrarë 24 vjet më parë në fshatin Reçak, të gjitha viktimat e masakrave në Prekaz, në Likoshan, në Qirez, në Abri, në Poklek, në Podujevë, në Suharekë, në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël, në Celinë, në Mejë dhe qindra masakra që ndodhën para dhe pas 15 janarit 1999.

Siç ka bërë të ditur Qendra “Gjenocidi në Kosovë Plagë e Hapur”, të dielën (sot) do të ndizen qirinj në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë duke filluar në ora 19:30

Qytetarët e Prishtinës janë ftuar që t’i bashkëngjiten këtij aktiviteti në nderim të viktimave të gjenocidit në Kosovë.

Ndërkaq edhe në qytetet tjera të Kosovës si dhe fshatra do të organizohet ndezja e qirinjve.

Këto janë lokacionet kryesore ku do të ndizen qirinj të dielën më 15 janar nga ora 19:30:

Prishtinë:

Sheshi “Skënderbeu” para Teatrit Kombëtar të Kosovës në Prishtinë

Gjakovë:

Para lapidarit “Shokët e Lirisë” në Gjakovë

Prizren:

Sheshi “Shatërvan” në Prizren

Ferizaj:

Sheshi para ndërtesës së Komunës në Ferizaj

Skenderaj:

Sheshi “Adem Jashari” në Skenderaj

Vushtrri:

Shkallët e Shtëpisë së kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri.

Tubime përkujtimore janë organizuar në Zvicër, Danimarkë dhe Spanjë.

Qytetarët që nuk mund të dalin në sheshe, janë ftuar që të ndezin qirinj në dritare dhe ballkonet e tyre./KosovaPress/