Ndalimi i deputetit të Vetëvendosjes nga Serbia, Kurti: Beogradi tregon që s’do marrëdhënie normale! Të reagojnë ndërkombëtarët

Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi ish-deputeti i Vetëvendosjes Gramos Agusholli u ndalua në pikën kufitare të Merdares dhe më pas u lirua nga serbët. Albin Kurti shprehet se Serbia me veprimet që bën tregon qartë se nuk synon marrëdhënie normale fqinjësore dhe këtë e dëshmon ndalimi i Agushollit.

Albin Kurti shton më tej se praktika të tilla përdoren në vazhdimësi me qëllim keqtrajtimin dhe frikësimin e qytetarëve dhe duhet të dënohen njëzëri edhe nga ndërkombëtarët.

“Serbia nuk lëshon rast për ta dëshmuar se nuk do e as synon marrëdhënie normale e fqinjësore. Ndalimi i ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Gramos Agushollit nga autoritetet e shtetit serb në pikën kufitare në Merdarë për orë të tëra është prova e radhës.

Praktika të tilla që përdoren në vazhdimësi me qëllim keqtrajtimin dhe frikësimin e qytetarëve tanë duhet të dënohen zëshëm dhe njëzëri edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Përgëzoj institucionet tona dhe shtetet partnere për reagimin e shpejtë dhe të suksesshëm. Gramosit i dëshiroj qëndrim të mbarë në Lubjanë.”-shprehet Kurti.


Shtuar 26.05.2025 23:05