Moskonstituimi i Kuvendit, Osmani tërheq kërkesën e bërë në Gjykatën Kushtetuese: Më vendosën një gjyqtar serb!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka tërhequr kërkesën që kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit. Ajo tha se këtë vendim e ka marrë pasi gjyqtar i si i rastit ishte caktuar gjyqtari Radomir Laban, një person që sipas Osmanit përbën rrezik kombëtar.

“Sot e kam tërhequr zyrtarisht kërkesën e paraqitur më 22 korrik. Vendimi vjen pasi mora konfirmimin se Radomir Laban është caktuar raportues – një person për të cilin institucionet e sigurisë kanë dhënë informacione shqetësuese në vitet 2018, 2021 dhe 2024,” – u shpreh Osmani në një konferencë për media.

Ajo shtoi se përfshirja e Labanit në këtë rast përbën rrezik për sigurinë kombëtare dhe bie ndesh me parimet kushtetuese të vendit.

Radomir Laban është anëtar i Gjykatës Kushtetuese që nga viti 2018, i propozuar nga Lista Serbe dhe i emëruar nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Në të njëjtin vit, ai ishte shpallur fajtor për marrje ryshfeti nga një gjykatë serbe dhe ishte dënuar me gjashtë vjet burg. Edhe pse Serbia kërkoi arrestimin e tij përmes EULEX-it, kjo nuk ndodhi, pasi misioni pretendoi se nuk kishte mandat për një veprim të tillë.

Presidentja Osmani theksoi se përfshirja e një personi me të kaluar problematike në një çështje kaq të ndjeshme rrezikon seriozisht integritetin e institucioneve dhe vetë procesin kushtetues.


Shtuar 5.08.2025 17:31