Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në konferencën që mbajti për media pas takimit me nënkryetarët e partisë për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqje.
Lidhja Demokratike të Kosovës ka pranuar humbjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pasi rezultatet zgjedhore ishin dukshëm më të dobëta sesa pritjet e tyre.
“Trajtuam të gjitha çështjet politike dhe të ardhmen që na pret në vijim. Siç ju kam njoftuar edhe sonte, ju njoftoj se në konsultim kemi vendosur që të thërrasim kryesinë e LDK-së dhe pastaj Kuvendin e LDK-së, e kam obligim moral e politike që të marr përgjegjësinë dhe ta shtroj tutje organizimin politik të LDK-së, nëpërmjet ofrimit te Kuvendi i LDK-së dorëheqjen”, tha Abdixhiku.
Kosova zhvilloi më 28 Dhjetor zgjedhjet e dyta parlamentare, vetëm 9 muaj pas procesit të parë zgjedhor, të përsëritura si pasojë e dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të formuar qeverinë dhe krizës institucionale që e çoi vendin drejt kolapsit politik.
Sipas të dhënave, Lëvizja Vetëvendosje kryesoi bindshëm me më shumë se 49.30% të votave; në vend të dytë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nën drejtimin e Bedri Hamzës, ndërsa e treta Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e drejtuar nga Lumir Abdixhiku.
