Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Krajl Petra” në Mitrovicën e Veriut. Një 29-vjeçar atje dyshohet se ka therur për vdekje babain dhe vëllain binjak.
Pas ngjarjes, nën shoqërimin e Policisë, i dyshuari është dërguar në spital për të marrë tretman mjekësor.
Sinjali ka publikuar pamje nga momenti kur Policia e nxjerr të prangosur nga spitali 29-vjeçarin, e ku para spitalit të pranishëm ishin edhe shokët e vëllait të tij që mbeti i vrarë, të cilët i janë vërsulur të dyshuarit për ta sulmuar në sy të Policisë.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka dhënë detaje për vrasjen e dyfishtë që ndodhi mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës, raporton Express.
Sipas Prokurorisë, djali ka vrarë babain dhe vëllain e tij binjak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05 e 30 të mëngjesit.
Motivet ende nuk dihen, por dyshohet se vrasjes i kishte paraprirë një zënkë.
“Rreth orës 5 – 5.30 të mëngjesit në banesën në rrugën “Krajl Petri“ në Mitrovicë – Veri, i dyshuari M.B., për motive tani për tani të panjohura ka privuar nga jeta babain e tij M.B., dhe vëllaun binjak U.B., me këtë i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 e 1.11 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në bazë të hetimeve të para dyshohet se viktimat janë goditur në trup me thikë”, thuhet në komunikatë.
I dyshuari është arrestuar nga Policia dhe është ndaluar për 48 orë, derisa trupat e viktimave janë dërguar për autopsy në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalur policia dhe prokurori kujdestar i Departamentit për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe me urdhër të prokurorit trupat e pajetë janë dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
I dyshuari është arrestuar nga policia, dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë, dhe ndaj të njëjtit brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në komunikatë./Gazeta Express