Lista Serbe ka kërkuar nga Kushtetuesja caktimin e masës së përkohshme për konstituimin e Kuvendit

Lista Serbe në kërkesën që ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me votimin e nënkryetarëve të Kuvendit, ka kërkuar që votimi për nënkryetarët nga partitë e komuniteteve joshumicë të kthehet në pikën zero, të zhvillohet në mënyrë të unifikuar, apo thënë ndryshe në “pako”, dhe të vendoset masë e përkohshme, në mënyrë që mos të hapet rrugë për rrjedhjen e afateve për formimin e Qeverisë.

Në kërkesën e Listës Serbe të cilën e ka siguruar KALLXO përmes burimeve zyrtare, kjo parti ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta pranojë kërkesën si të bazuar, nën arsyetimin se është bërë në pajtim me nenin 113 paragrafi 5, dhe është parashtruar nga dhjetë deputetë.

Lista Serbe ka kërkuar që Kushtetuesja të konstatojë se Kryetari i Kuvendit ka shkelur nenin 67, paragrafin 4 të Kushtetutës dhe nenin 12, paragrafin 6, pika 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, si dhe, se ai ka vepruar në kundërshtim me dispozitivin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese KO119/14, KO124/25 dhe KO193/25 dhe K0196/25.

Në kërkesën e Listës Serbe kërkohet që Kushtetuesja të konstatojë se “Kryetari i Kuvendit ka shkelur kompetencat e tij dhe se ai, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, së pari i ka ftuar komunitetet e tjera jo-shumicë të bëjnë propozimin, edhe pse në Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit është përcaktuar qartë se propozimi i parë para komuniteteve jo-shumicë paraqitet nga komuniteti serb.”

Poashtu në këtë kërkesë të Listës Serbe nga Kushtetuesja kërkohet që “të konstatojë se Kryetari i Kuvendit ka shkelur kompetencat e tij dhe se ai, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, ka veçuar votimin për nënkryetarët e Kuvendit para komuniteteve jo-shumicë, edhe pse, në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe praktikên e deritanishme te Kuvendit, si dhe dispozitivin e aktgiykimeve të Gjykatës Kushtetuese, ai duhet te zhvillohet si një votim i vetëm, përkatesisht i unifikuar për dy nënkryetare para komuniteteve jo-shumicë.”

Në pikën pesë të kësaj kërkese, kërkohet që Kushtetuesja të konstatojë se zgjedhja e Nënkryetarit para komunitetit jo-serb jo-shumicë është kundërkushtetuese sepse është zhvilluar në kundërshtim me nenin 67 par. 4 të Kushtetutës dhe nenin 12 par. 6 pika 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, si dhe se ai ka vepruar në kundërshtim me dispozitivin e aktgiykimeve të Gjykatës Kushtetuese KO119/14, KO124/25 dhe KO193/25 dhe K0196/25.

“Të urdhërojë Kryetarin e Kuvendit të zbatojë kthimin në gjendjen e mëparshme, me të cilin do të anulohen veprimet kundërkushtetuese të Kryetarit të Kuvendit të përshkruara më sipër”- shkruan në kërkesë.

Tutje, deputetët e kësaj partie kanë kërkuar që Kushtetuesja të urdhërojë që në pajtim me sigurinë juridike të përsëritet procedura e votimit për nënkryetarët nga komunitetet jo-shumicë në një votim të unifikuar.

Krejt në fund, Lista Serbe ka kërkuar që Kushtetuesja të caktojë masë të përkohshme në mënyrë që “Të caktojë, duke pasur parasysh interesin publik, masën e përkohshme, me të cilën do të ndalojë veprimet e mëtejshme kundërkushtetuese të Kryetarit te Kuvendit, në mënyrë që të mos zgjidhet Qeveria kundërkushtetuese ose të fillojnë të rrjedhin afatet për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, për shkak se moscaktimi i masës së përkohshme do të shkaktonte dëme të pariparueshme dhe potencialisht do të çonte në formimin e institucioneve kundërkushtetuese, duke cenuar kështu rendin juridik dhe demokratik në Kosovë”- shkruan në kërkesën e tyre drejtuar Kushtetueses.

Gjykata Kushtetuese një ditë më parë konfirmoi se në ankesën e paraqitur nga Lista Serbe në këtë institucion nuk figurojnë termat “Kuvendi i Prishtinës” ose “Kuvendi në Prishtinë”.

“Në kërkesën e parashtruar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, më 30 gusht 2025, nuk figuron askund termi ‘Kuvendi i Prishtinës’ ose ‘Kuvendi në Prishtinë’”- është përgjigjur shkurt Kushtetuesja në pyetjen nëse janë përdorur ndonjëri prej këtyre termave në ankesën e kësaj partie.

Termin “Kuvendi i Prishtinës”, Lista Serbe në fakt e ka përdorur në njoftimin për dorëzimin e ankesës në Gjykatën Kushtetuese, më 30 gusht 2025.

Lista Serbe tha se pret nga Gjykata më e lartë e vendit “të reagojë menjëherë dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e sundimit të ligjit, si dhe të drejtave të popullit serb në përputhje me aktet juridike në fuqi”.

Seanca konstituive e Kuvendit u mbyll nga kryetari Dimal Basha anipse nuk është zgjedhur nënkryetari nga radhët e partive të komunitetit serb.

“Ne si Kuvend nuk kemi mundësi tjetër se si të vazhdojmë sa i përket nënkryetarit që vjen nga komuniteti joshumicë serb, prandaj me këtë rast konsideroj se kemi ezauruar edhe pikën e katërt të rendit të ditës të seancës konstituive dhe meqenëse nuk ka mundësi tjetër objektive se si të procedohet tutje, konsideroj që kjo seancë konstituive konsiderohet e përmbyllur”- tha Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha gjatë mbylljes së seancës.

Emilja Rexhepi është zgjedhur nënkryetare nga partitë joshumicë joserbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ekipi i saj ligjor është duke zhvilluar një analizë mbi procesin e konstituimit të Kuvendit.

Kushtetuta e Kosovës thotë se nënkryetari “do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”. Kurse, Rregullorja e Kuvendit parasheh që kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb.

Ish-partitë e bllokut opozitar nuk ia dhanë votat deputetit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq me arsyetimin që forma qysh po vepron Kryetari i Kuvendit nuk është kushtetuese.

Ndërkohë, Lista Serbe nuk pranoi kandidat tjetër pos Sllavko Simiqit, emri i të cilit është propozuar tri herë dhe nuk ka marrë votat e mjaftueshme.

Votat nuk i kanë marrë as tetë deputetët tjerë t’u zgjedhur nënkryetar. Si rrjedhojë, pas tri raundeve të gjithë janë eliminuar nga gara.

Seanca konstituive ishte hapur më 15 prill 2025.


Shtuar 3.09.2025 19:05