Categories: kosovë

“Ligji nuk njeh etni” – mesazhi i prerë pas rrënimit të shtëpive në Ujman

Vijon të jetë në qendër të vëmendjes operacioni i institucioneve kosovare për prishjen e 11 objekteve të ndërtuara pa leje në bregun e Liqenit të Ujmanit, duke nxitur reagime të ndryshme brenda vendit dhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Të lidhura

None found

Parcelat mbi të cilat u ngritën këto ndërtime janë pronë e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” që prej vitit 1973, kur u krye shpronësimi për krijimin e liqenit. Kështu deklaroi dje për “Bota sot” kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Faruk Mujka, duke shtuar se aksionet për lirimin e tokave publike nuk do të ndalen në asnjë rast uzurpimi apo ndërtimi pa autorizim, pavarësisht përkatësisë etnike të atyre që kanë kryer shkeljen.

Të martën, ekskavatorët, me asistencën e Policisë së Kosovës, filluan shembjen e objekteve që autoritetet i cilësuan si të ngritura mbi pronën e “Ibër-Lepencit”.

Megjithatë, zhvillimet nuk kaluan pa jehonë ndërkombëtare. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehu shqetësim për vendimin e autoriteteve dhe u kërkoi atyre të ndalin rrënimet, duke u distancuar nga mënyra se si u zhvillua aksioni. Një qëndrim të ngjashëm mbajtën edhe ambasada e Gjermanisë dhe ajo e Britanisë së Madhe në Prishtinë, të cilat ngritën pikëpyetje mbi respektimin e procedurave të plota ligjore në këtë rast dhe në raste të tjera në veriun e Kosovës.

Njohësi i sigurisë Adem Lushaj, në një prononcim për gazetën, vlerëson se aksioni duhet kuptuar si zbatim i ligjit dhe ruajtje e pasurisë shtetërore. Sipas tij, nëse institucionet kanë ndjekur rrugët e rregullta ligjore, atëherë bëhet fjalë për kryerje të detyrës, jo për një çështje që duhet gjykuar përmes thjerrëzës etnike apo politike.

“Aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në bregun e Liqenit të Ujmanit duhet parë para së gjithash në prizmin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së pronës publike. Nëse institucionet kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe pas procedurave të rregullta, atëherë ky është një obligim i shtetit dhe jo një çështje që duhet të vlerësohet sipas përkatësisë etnike apo interesave politike”, u shpreh ai.

Lidhur me reagimin e Brukselit, Lushaj e pranon se shqetësimi për stabilitetin është i kuptueshëm, por nënvizon se qëndrueshmëria afatgjatë mbështetet vetëm te zbatimi i njëtrajtshëm i ligjit në çdo pjesë të Kosovës.

“Reagimi i Bashkimit Evropian, i cili bën thirrje për shmangie të tensioneve, është i kuptueshëm nga këndvështrimi i ruajtjes së stabilitetit. Megjithatë, stabiliteti afatgjatë ndërtohet mbi sundimin e ligjit, jo mbi tolerimin e shkeljeve. Ligji duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë në çdo cep të Kosovës”, shtoi ai.

Më tej, ai solli në vëmendje nevojën që ky rast të shërbejë si model për të vepruar me të njëjtin standard edhe në zona të tjera të mbrojtura, si Bjeshkët e Nemuna dhe Malet e Sharrit, ku për vite janë regjistruar ndërtime pa leje dhe ndërhyrje që dëmtojnë mjedisin. “Mbrojtja e natyrës dhe e pronës publike nuk duhet të jetë selektive, por një standard i njëjtë për të gjithë. Vetëm kështu forcohet besimi i qytetarëve në institucionet e shtetit dhe ndërtohet një shtet i së drejtës, ku ligji respektohet pa përjashtime”, përfundoi Lushaj.

Edhe analisti politik Zejnullah Jakupi sheh justifikim për shembjen e objekteve, me kusht që ajo të jetë mbështetur në procedurat ligjore. Megjithatë, ai tërheq vëmendjen se institucionet duhet të garantojnë transparencë, trajtim të njëjtë për të gjithë dhe të evitojnë çdo perceptim për zbatim selektiv të ligjit.

“Aksioni për rrënimin e objekteve pa leje në bregun e Liqenit të Ujmanit mund të vlerësohet si një veprim në funksion të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së pronës publike, nëse autoritetet kanë vepruar mbi bazën e procedurave të rregullta ligjore dhe vendimeve kompetente. Çdo ndërtim pa leje në pronë publike krijon precedent të rrezikshëm, sepse dobëson respektimin e ligjit dhe dëmton interesin e përgjithshëm”, tha Jakupi për “Bota sot”.

Ai shtoi se sidomos në zona të ndjeshme si veriu, çdo veprim duhet të shoqërohet me kujdes dhe komunikim të qartë. Sa i përket qëndrimit të BE-së, Jakupi e interpreton atë më shumë si një apel për kujdes e dialog sesa si kundërshtim ndaj sundimit të ligjit. Ai thekson se mbrojtja e pronës publike dhe respektimi i të drejtave qytetare duhet të ecin paralelisht, me ligj të barabartë për këdo.

“Reagimi i Bashkimit Evropian mund të shihet si një thirrje për kujdes dhe dialog, sidomos për shkak të ndjeshmërisë politike dhe të sigurisë në atë zonë. Megjithatë, kërkesa për ndalimin e një aksioni nuk duhet të interpretohet si kundërshtim ndaj sundimit të ligjit; më shumë duhet parë si kërkesë që zbatimi i ligjit të bëhet në mënyrë të koordinuar, transparente dhe pa rrezikuar tensione të reja”, vijoi ai.

Jakupi nënvizoi se ky rast përcjell një mesazh të fuqishëm: sundimi i ligjit duhet të vlejë njësoj për të gjithë dhe pasuria publike duhet mbrojtur nga çdo përdorim i paligjshëm. Në të njëjtën kohë, ai vuri theksin te rëndësia e profesionalizmit, drejtësisë dhe paanshmërisë së institucioneve për të ndërtuar besimin e qytetarëve dhe për të forcuar demokracinë.

“Në këtë rast duhet të ruhet një ekuilibër mes të drejtave të individit dhe interesit publik. E drejta e pronës private është një nga të drejtat themelore dhe duhet të respektohet gjithmonë, për aq sa ajo ushtrohet brenda kufijve të ligjit. Por, asnjë e drejtë individuale nuk mund të përdoret për të cenuar pronën publike, hapësirat e përbashkëta apo rregullat që vlejnë për të gjithë”, shtjelloi ai.

Në përfundim, Jakupi theksoi se vlerësimi i këtij aksioni duhet të mbështetet në fakte dhe në procedura, jo në perceptime politike. Ai sugjeroi që roli i BE-së të fokusohet në monitorimin e procesit dhe sigurimin që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë, pa dallim etnie apo përkatësie, në mënyrë që të forcohet shteti i së drejtës.

të fundit

Dita e 55-të e rezistencës qytetare: Protestuesit sërish në sheshin “Skënderbej” me thirrjen “Rama jep dorëheqjen”

Rezistenca qytetare hyn sot në ditën e saj të 55-të, duke u renditur ndër protestat më të gjata të zhvilluara…

1 minute ago

Rikthim i fuqishëm i Benjamin Sesko: Forma e re fizike mahnit tifozët e United

Sulmuesi i Manchester United, Benjamin Sesko, u rikthye në stërvitje pas një rikuperimi të gjatë nga një dëmtim, dhe ajo…

2 minutes ago

Teuta nënshkruan me gardianin brazilian, 26-vjeçari mbërrin nga kampionati kosovar

TeutaMaycon Morales është futbollisti më i ri i Teutës [...]Read More...

8 minutes ago

Frutat e verës që sigurojnë hidratim optimal në ditët më të nxehta

Gjatë ditëve të nxehta të verës, trupi humbet më shumë lëngje përmes djersitjes, ndaj hidratimi bëhet më i rëndësishëm se…

14 minutes ago

Lëvizjet e Sassuolos për Asllanin, mesfushori shqiptar pranë ribashkimit me Muric në Serie A

Kristjan Asllani mund të largohet nga Interi gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa një tjetër klub i Serie A ka shfaqur…

20 minutes ago

Pecakov: Angazhim i shtuar për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit pas vendimit të UNESCO-s

Kryetari i Komunës së Ohrit, Kiril Pecakov, e përshëndeti vendimin e Komitetit për Trashëgimi Botërore të UNESCO‑s, me të cilin…

29 minutes ago