Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se kryetari i saj ka vendosur ta thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm, pasi është plotësuar kushti statutar me sigurimin e nënshkrimeve nga të paktën një e treta e delegatëve.
None found
Mbledhja e jashtëzakonshme është caktuar të zhvillohet të enjten, më 30 korrik.
Pas këtij njoftimi, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se kuvendi i paraparë për 30 korrik është “i panevojshëm, i pakohë dhe i pavend”.
Abdixhiku deklaroi se e sheh procesin si “të dëmshëm dhe përçarës”, por sqaroi se vendimin për thirrjen e kuvendit e mori për shkak të respektit ndaj demokracisë.
“Duhet ta pranoj si të tillë, edhe pse nuk e konsideroj të drejtë. Demokracinë e respektoj sepse besoj në të dhe, për këtë arsye, përballem me këtë proces. Pres që edhe të tjerët të veprojnë njësoj pas së enjtes, kur LDK-ja të shprehet sërish”, shkroi Abdixhiku.
Bajram Gecaj pret kapitull të ri për LDK-në dhe Kosovën
Anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj, në një prononcim për “Bota sot”, tha se nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm pret reflektim, ndryshime dhe energji të re brenda partisë.
Ai beson se mund të shfaqen pakënaqësi, por nuk parashikon ndarje, ndërsa shpreson që kjo mbledhje të hapë një etapë të re si për LDK-në, ashtu edhe për Kosovën.
“Pres që në Kuvendin e Jashtëzakonshëm Lidhja Demokratike e Kosovës të tregojë përsëri se mbetet e vetmja parti serioze në Kosovë që ka krijuar procedura, kulturë dhe frymë të mirëfilltë demokratike. Ajo duhet ta trajtojë me pjekuri edhe çështjen e ndryshimit të lidershipit”, u shpreh Gecaj.
Ai kujtoi se, megjithëse proceset nuk kanë kaluar gjithmonë pa vështirësi, LDK-ja deri tani ka zgjedhur tre udhëheqës pasues të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe më pas është rreshtuar përkrah drejtimit të zgjedhur, sikurse ndodhi edhe më 31 janar të këtij viti.
“Të enjten duhet të kemi kurajën për të reflektuar, për të bërë ndryshime dhe për të vazhduar përpara. LDK-së i duhen energji e re, një strategji tjetër, veprime më të fuqishme dhe besnikëri e palëkundur ndaj vlerave të ndërtuara gjatë 37 vjetëve”, tha ai.
Sipas Gecajt, pakënaqësitë janë të mundshme, por nuk priten përçarje ose thyerje të tjera, pasi partisë i nevojitet kontributi i secilit anëtar dhe i shumë personave të tjerë që dëshirojnë t’i bashkohen.
“Besoj se ky Kuvend do të shënojë nisjen e një kapitulli të ri, jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën”, deklaroi Gecaj.
Saim Tahiraj: 30 korriku, sfida më e madhe e LDK-së në periudhën politike të pasluftës
Për këtë çështje foli për “Bota sot” edhe veprimtari Saim Tahiraj. Ai vlerësoi se Kuvendi i Jashtëzakonshëm, në parim, duhet të zhvillohet si një procedurë normale statutare, por paralajmëroi se përplasjet ndërmjet dy kampeve mund ta pengojnë arritjen e rezultatit të dëshiruar nga anëtarësia dhe elektorati i LDK-së.
“Në kushtet e një demokracie funksionale, një kuvend i tillë i jashtëzakonshëm duhet të shihet si proces tërësisht normal, i organizuar sipas Statutit të LDK-së. Fituesi, kushdo qoftë ai, duhet të pranohet nga të gjithë dhe t’i urohet suksesi. Më pas, partia duhet të vazhdojë me reforma të thella në çdo nivel, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të paraqitet e bashkuar dhe e fuqishme”, tha Tahiraj.
Megjithatë, ai theksoi se më 30 korrik do të kuptohet nëse një synim i tillë mund të realizohet. Sipas tij, çështja kryesore është nëse pjesëmarrësit do të arrijnë t’i lënë mënjanë egot, inatet dhe interesat individuale, duke i dhënë përparësi interesit të LDK-së.
“Zhvillimet e deritanishme nuk krijojnë shumë arsye për optimizëm të plotë. Të dy taborët kanë marrë tashmë pozicione mjaft të forta dhe, nëse tensionet nuk zbuten, ekziston mundësia që kuvendi të mos japë rezultatin që presin anëtarët dhe votuesit e partisë”, deklaroi ai.
Tahiraj u kërkoi gjithashtu figurave autoritative dhe me ndikim në LDK që të angazhohen maksimalisht për ruajtjen e qetësisë, vazhdimin e dialogut dhe forcimin e unitetit demokratik.
Ai nënvizoi se LDK-ja duhet me çdo kusht të dalë e bashkuar nga kjo mbledhje, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të fuqizohet dhe të ecë përpara si alternativa më serioze politike.
Sipas Tahirajt, nevojiten konsultime të gjera për përzgjedhjen e një figure konsensuale dhe bashkuese, e cila ka besimin e anëtarësisë dhe përfaqëson vlerat e LDK-së.
“Nuk është momenti për eksperimente me persona që nuk janë formuar politikisht brenda LDK-së ose që i janë bashkuar asaj vetëm së fundmi. Figura që do ta bashkojë partinë duhet të vijë nga vetë gjiri i saj dhe të përfaqësojë identitetin, traditën dhe frymën e LDK-së. Çdo zgjidhje tjetër eksperimentale mund të sjellë pakënaqësi të reja, ndarje dhe dobësim të mëtejshëm të partisë”, përfundoi Tahiraj për “Bota sot”.
Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra nga rrëzimi i një krani në një kantier ndërtimi…
Edhe pak ditë kanë mbetur deri në mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës, ndërsa të hënën…
Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi se kryetari i partisë ka marrë vendim për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, pasi është…
Një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra nga rrëzimi i një krani në një kantier ndërtimi…
Edhe pak ditë kanë mbetur deri në mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të ri të Kosovës, ndërsa të hënën…
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dalë në mbrojtje të projektit të tij të ri për shitjen e aksioneve të…