Me shumicë votash, Kuvendi i Kosovës ka aprovuar deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
None found
Kuvendi i Republikës së Kosovës, si përfaqësues i qytetarëve dhe institucion që pasqyron vullnetin e tyre demokratik, në seancën plenare të zhvilluar më 28.09.2026, miratoi këtë deklaratë:
Kuvendi rikujton se liria dhe pavarësia e Kosovës janë rezultat i një përpjekjeje të gjatë për dinjitetin njerëzor, barazinë dhe të drejtën e popullit për të vendosur vetë për të ardhmen e tij.
Ai vlerëson se lufta e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, e udhëhequr përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u zhvillua në kushtet e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë. Në atë periudhë, popullit të Kosovës i mohoheshin të drejtat themelore dhe e drejta për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Kuvendi njeh gjithashtu rolin vendimtar të ndërhyrjes së NATO-s në ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe në çlirimin e vendit.
Asnjë aktgjykim, theksohet në deklaratë, nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia kreu gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa zhvilloi një fushatë terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë. Civilë të pafajshëm, fëmijë, gra dhe të moshuar u vranë, dhuna seksuale u përdor si armë lufte, popullsia u dëbua me forcë dhe fshatra e qytete të tëra u dogjën e u shkatërruan. Sipas deklaratës, këto krime ishin sistematike dhe pasojat e tyre vazhdojnë të rëndojnë mbi mijëra familje.
Kuvendi shprehet i bindur se shteti i së drejtës përfshin edhe të drejtën, por edhe përgjegjësinë, për të kundërshtuar përmes mjeteve ligjore dhe institucionale një aktgjykim që konsiderohet i padrejtë.
Në deklaratë thuhet se liria dhe pavarësia e Kosovës lidhen ngushtë me sakrificat e brezave, rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe mbështetjen vendimtare të aleatëve perëndimorë, përfshirë NATO-n.
1. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
2. Kuvendi e konsideron të papranueshëm konstatimin se ka ekzistuar një qëllim kriminal i përbashkët.
3. Kuvendi u kërkon të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës të ndërmarrin çdo veprim të nevojshëm për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Po ashtu, ai kërkon hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, përmes së cilës do të koordinohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike në mbrojtje dhe afirmim të së vërtetës së plotë historike për luftën e drejtë të Kosovës për liri dhe çlirim.
4. Për periudhën 1998–1999 në Kosovë, ekzistenca e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve është vërtetuar më herët përmes aktgjykimeve të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ndaj udhëheqësve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Kjo ndërmarrje u zbatua nga strukturat e një shteti që kontrollonte ushtrinë, policinë dhe mekanizmat e tjerë të pushtetit. Sipas Kuvendit, ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të jetë i qartë sa herë diskutohet lufta në Kosovë.
5. Kuvendi u kërkon Dhomave të Specializuara që mandati i tyre të respektohet në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
6. Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për ta përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për ta vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare ose për ta barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
7. E vërteta për luftën çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe e drejta e të dënuarve për një proces të drejtë gjyqësor, i përkasin të njëjtës Republikë. Kuvendi deklaron se do t’i mbrojë të tria pa kompromis.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special kërkesë për caktimin e masës…
Seanca e Kuvendit të Kosovës i vazhdoi punimet me votimin e përbërjeve për 16 Komisionet Parlamentare. Pas propozimit nga ana…
Pas më shumë se 20 vitesh pritje, nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në Kumanovë do të…
Një pacient nga Shkupi (70 vjeç) është viktima e dhjetë me virusin e Nilit Perëndimor në Maqedoni.Ai vdiq këtë fundjavë…
Panorama Online ka siguruar fotot e dy të arrestuarve për mashtrim, të cilët i kërkuan 100 mijë euro kreut të…
Suedia mbetet pa një rrugë të qartë për formimin e qeverisë, megjithëse blloku i qendrës së majtë fitoi shumicën në…