Kurti urdhëron që Manastirit të Deçanit t’i jepen pronat sipas vendimit të Kushtetueses

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Qeveria e tij i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, në paraditen e 13 marsit, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Kurti ka thënë se, ndonëse Qeverisë së Kosovës nuk i pëlqen vendimi – të cilin e ka cilësuar “të çuditshëm” e “të padrejtë” – ajo nuk ka mjete ligjore e juridike për ta anuluar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Shefi i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk do të ndryshojë qëndrimi i Qeverisë ndaj “këtij vendimi të dëmshëm asnjehere”, por se, në anën tjetër, nuk ka dyshim se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës “do të ishte jo vetëm fitore historike, por edhe një hap gjigant për republikën tonë drejt njohjes së pesëshes evropiane, që mundëson anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian për Kosovën e pavarur”.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës është përshëndetur menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një konferencë për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, në Prishtinë, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se “aq sa ishte i rëndësishëm dhe i vështirë, vendimi i sotëm për Manastirin ushte shumë i domosdoshëm”.

Më herët, këtë muaj, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Qeveria e Kosovës priste që pushteti lokal në Deçan – komunë në pjesën perëndimore të vendit – ta zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Komuna e Deçanit, e cila gjatë gjithë këtyre viteve e kundërshtoi zbatimin e këtij vendimi, thotë se nuk ka ndryshuar qëndrim.

Kjo komunë udhëhiqet nga zyrtarë të partisë opozitare të Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë më 6 mars, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka thënë se deklaratat e tij për këtë çështje janë publike dhe se nuk dëshiron të shtojë asgjë më shumë.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Qeveria e Kosovës do të kërkonte zbatimin e vendimit, ai ka thënë se nuk besonte që Qeveria do ta kërkonte një gjë të tillë./REL/


Shtuar 13.03.2024 12:20