Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte pjesë e ceremonisë hapëse të “AI & Tech International Summit 2026”, të organizuar në Kolegjin AAB në Prishtinë.
None found
Gjatë fjalës së tij, Kurti përgëzoi Kolegjin AAB dhe partnerët për organizimin dyditor, i cili bashkon përfaqësues të qeverisë, akademisë, industrisë dhe komunitetit të inovacionit për të trajtuar teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe ndryshimet e mëdha që ato po sjellin.
“Inteligjenca artificiale po zhvillohet me një ritëm të jashtëzakonshëm. Teknologjia që deri para pak vitesh konsiderohej eksperimentale, sot po bëhet pjesë e jetës sonë dhe po ndikon në mënyrën si punojmë, mësojmë, zhvillojmë kërkime, krijojmë biznese dhe ofrojmë shërbime publike. Çështja nuk është më nëse inteligjenca artificiale do t’i ndryshojë shoqëritë dhe ekonomitë tona, sepse kjo tashmë ka ndodhur. Pyetjet kryesore janë se si ta shfrytëzojmë për të krijuar mundësi, si t’i përgatitim qytetarët dhe institucionet dhe si të garantojmë që ky transformim ta rrisë potencialin njerëzor”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, Kosova ka mundësi të mëdha për të përfituar nga teknologjitë e reja, falë popullsisë së re, sektorit dinamik teknologjik dhe aftësisë për t’u përshtatur me zhvillimet bashkëkohore. Ai tha se synimi nuk duhet të jetë vetëm ndjekja e ndryshimeve teknologjike, por edhe pjesëmarrja aktive dhe kontributi në këtë proces.
“Transformimi digjital është një shtyllë e rëndësishme e agjendës sonë kombëtare për zhvillim. Kemi investuar në lidhshmëri, infrastrukturë publike digjitale, siguri kibernetike dhe modernizimin e administratës publike. Platforma ‘eKosova’ ka bashkuar qindra shërbime publike në një mjedis të vetëm digjital. Tani po kalojmë drejt gjeneratës së re të portalit tonë të shërbimeve, ‘eKosova 2.0’, e cila do të ofrojë shërbime më të integruara, të orientuara nga përdoruesi dhe të mbështetura nga inteligjenca artificiale”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se institucionet po i riformësojnë shërbimet sipas ngjarjeve të jetës, po forcojnë ndërveprimin mes sistemeve dhe infrastrukturën e të dhënave, po modernizojnë rrjetet qeveritare, po kalojnë drejt infrastrukturës në re dhe po investojnë në sigurinë kibernetike.
Kryeministri tha se këto baza e kanë përgatitur Kosovën për fazën e ardhshme të digjitalizimit, ku inteligjenca artificiale pritet të ketë rol gjithnjë e më të madh. Sipas tij, në administratë ajo mund t’i bëjë shërbimet publike më të qasshme, më të personalizuara dhe më proaktive, ndërsa mund t’i ndihmojë institucionet në përdorimin më efikas të informacionit, uljen e barrës administrative dhe përmirësimin e vendimmarrjes.
Në aspektin ekonomik, Kurti vlerësoi se inteligjenca artificiale u krijon kompanive teknologjike të Kosovës mundësinë për të avancuar në zinxhirin global të vlerës, duke kaluar nga ofrimi i shërbimeve teknologjike në zhvillimin e produkteve dhe platformave të avancuara.
Ai nënvizoi se arsimi përballet njëkohësisht me mundësi dhe përgjegjësi të reja, pasi të rinjtë duhet të përgatiten jo vetëm për ta përdorur teknologjinë, por edhe për ta krijuar atë dhe për të konkurruar në një ekonomi që po formësohet gjithnjë e më shumë nga inteligjenca artificiale.
“Aftësitë teknologjike, megjithatë, nuk janë të mjaftueshme. Sa më e fuqishme të bëhet inteligjenca artificiale, aq më të rëndësishme bëhen besimi, përgjegjshmëria, privatësia, siguria kibernetike, transparenca dhe mbikëqyrja njerëzore. Synimi ynë nuk duhet të jetë vetëm adoptimi i shpejtë i saj, por përdorimi i përgjegjshëm dhe strategjik, në mënyra që prodhojnë vlerë të vërtetë për shoqërinë”, u shpreh ai.
Kurti tha se vende si Kosova mund të kapërcejnë teknologjitë e vjetra dhe mënyrat tradicionale të punës, por për këtë nevojiten investime te njerëzit, bashkëpunim mes qeverisë, universiteteve dhe sektorit privat, si dhe një mjedis ku të rinjtë mund të eksperimentojnë, të inovojnë dhe të ndërtojnë.
Ai paralajmëroi se vendimet e marra sot do të përcaktojnë nëse Kosova do të mbetet vetëm konsumuese e teknologjive të zhvilluara jashtë vendit, apo do të shndërrohet në krijuese, inovative dhe kontribuuese në ekonominë e inteligjencës artificiale.
Sipas kryeministrit, përdorimi i kësaj teknologjie duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të mos përqendrohet vetëm te shpejtësia, shkalla e zhvillimit dhe optimizimi i vazhdueshëm, por edhe te ndërtimi i një shoqërie më të mirë, ku përparon çdo individ.
Në fjalën e tij, Kurti përshëndeti veçanërisht Rudolf Scharpingun, politikanin gjerman nga Partia Socialdemokrate (SPD), i cili shërbeu si ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë gjatë periudhës 1998-2002. Ai tha se Scharping mbajti këtë detyrë në vitet e luftës në Kosovë, kur regjimi i Millosheviqit në Serbi po kryente spastrimin etnik të Kosovës dhe gjenocid ndaj shqiptarëve, ndërsa 19 shtete anëtare të NATO-s ishin të angazhuara në fushatën e bombardimeve ndaj Jugosllavisë.
Kurti vlerësoi se Scharping kishte rol të rëndësishëm në koordinimin e veprimeve politike dhe ushtarake të Gjermanisë me shtetet e tjera të NATO-s që ndërhynë në vitin 1999.
Ai përmendi edhe konferencën “Humanities and Stability in Southeast Europe”, e mbajtur në Bon, ku më 1 prill 1999 Scharping bëri publik dhe dënoi planin “Horseshoe”, të cilin e cilësoi si projekt gjenocidal të shtetit serb për spastrimin etnik të Kosovës.
“Për Kosovën, zgjedhja jonë duhet të jetë e qartë: duhet të jemi ambiciozë. Duhet t’i ndërtojmë politikat mbi themelet tona digjitale, të investojmë te njerëzit dhe ekosistemi teknologjik dhe të krijojmë kushtet që Kosova të marrë pjesë plotësisht në epokën e ardhshme teknologjike”, tha Kurti.
Ai shprehu shpresën se samiti do ta mbështesë këtë synim përmes ideve, partneriteteve dhe nismave që do të dalin nga diskutimet.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti përshëndeti ish-ministrin gjerman të Mbrojtjes, Rudolf Scharping, si dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe ministrin e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulzon Jagxhiu.
Ai iu drejtua gjithashtu ambasadorëve, përfshirë ambasadorin e Kosovës në Berlin, Faruk Ajeti, ambasadorin gjerman në Prishtinë, Rainer Rudolf, ambasadorin e Shqipërisë, Petrit Malaj, dhe ambasadorin e Malit të Zi, Bernard Çobaj, si dhe rektorit të Kolegjit AAB, Blerim Olluri, folësve kryesorë, përfaqësuesve të akademisë, industrisë së teknologjisë, partnerëve ndërkombëtarë, studentëve dhe të ftuarve.
Kurti e përmbylli fjalën duke uruar që “AI & Tech International Summit 2026” të jetë produktiv dhe frymëzues.
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak më parë në qytetin e Korçës, ku për pasojë ka mbetur i…
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në bashkëpunim me UNODC-në, UNDP-në dhe Institutin e Bazelit, ka organizuar të enjten në Prishtinë…
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e “AI & Tech International Summit 2026”…
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 31 gusht 2026, V.M., ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të…
NATO është duke ndërmarrë një proces gradual për optimizimin e pozicionimit të forcave të KFOR-it në Kosovë, ndërsa Shtetet e…
Në territorin e vendit sot, deri në orën 13:00, janë regjistruar gjithsej 13 zjarre në hapësirë të hapur, nga të…