Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i tha Zërit të Amerikës se propozimi evropian për një marrëveshje me Serbinë përfshinë koncepte universale që e bëjnë marrëveshjen të qëndrueshme, por që sipas tij, Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta pranojë.
Ai rithekson se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, është e vetmja që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk shpalosi ndonjë plan rreth zbatimit të kësaj marrëveshjeje për përmbushjen e së cilës është shtuar trysnia ndaj tij. Në një intervistë me korrespondentin tonë në Prishtinë, Besim Abazi, kryeministri Kurti, thekson se qeveria e tij nuk bëri asnjë lëshim për heqjen e bllokadave në veriun e vendit të vendosura muajin e kaluar nga grupe qytetarësh serbë të mbështetur nga Beogradi.
Zëri i Amerikës: Kosova la pas një vit sfidues, çfarë prisni të jetë viti i ri për të?
Albin Kurti: Sigurisht që do të ketë sfida të cilat i trashëgojmë nga viti i kaluar, por në të njëjtën kohë mund të ketë edhe sfida të reja. Jemi në një kohë kur kontinenti evropian ndodhet në një luftë dhe në anën tjetër fqinji ynë verior është i lidhur më ngushtë se kurrë dhe më gjerë se kurrë pikërisht me Federatën Ruse, e cila kreu agresion ushtarak dhe invazion në Ukrainë. Në anën tjetër, brenda vendit tonë kemi pasur suksese të pamohueshme, për 17 vende jemi ngritur te Transparency International sa i takon luftimit të korrupsionit, pastaj edhe sa i përket lirisë së medieve sipas Reporterëve pa Kufij dhe gjithashtu për herë të dytë jemi të parët në Ballkan sa i përket sundimit të ligjit dhe të dytit në botë sa i përket përmirësimit në sundimin e ligjit. Kemi lëvizur nga grupi C në grupin B sa i përket qeverisjes të fokusuar në digjitalizim, kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës me 12 maj, në Bashkimin Evropian me 15 dhjetor dhe po përgatitemi që të aplikojmë edhe për anëtarësim në NATO. Imazhi i Kosovës është përmirësuar dhe kjo ka ndikuar që nga një janari i vitit 2024 të mos ketë regjim të vizave në zonën ‘Shengen’ për qytetarët e Republikës së Kosovës. Buxheti i vitit 2023 është më i madhi në historinë e Kosovës, 3.2 miliardë që është 17 për qind më i lartë se buxheti i vitit të kaluar dhe rritja ekonomike është 4 për qind pasi që të hiqet inflacioni, këtë rritje nuk e kemi ndaluar për shtetin por e kemi shpërndarë në shoqëri. Pakoja e ringjalljes ekonomike ishte diku përafërsisht 4 për qind të bruto produktit vendor në 2021-shin, e në vitin 2022 kësaj pakoje ia shtuam edhe pakon për përballje me inflacion gjithsej rreth 5 për qind të bruto produktit vendor. Kemi pasur edhe universitetin për herë të parë falas për të gjithë studentët, pra pa asnjë pagesë përveç atyre që bëjnë doktoraturë, edhe bachelor edhe master është falas në universitetin publik. Në të njëjtën kohë kemi vazhduar me ndihmën, me mbështetjen për lehonat dhe për fëmijët, tashmë për të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeçare, pra nën moshën 16 vjeçare do t’i marrin shtesat për fëmijë dhe diku rreth 30 mijë lehona apo nëna të reja marrin po ashtu mbështetjen financiare nga qeveria, gjithsej janë rreth 260 mijë përfitues. Edhe në aspektin e energjisë këtë vitin që shkoi kemi pasur një sukses shumë të madh me korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, grant prej 202 milionë dollarëve – programi kompakt dhe gjithashtu 105 megavat me parkun e erës në Selac dhe 70 megavat me parkun solar për ngrohje. Eficienca e energjisë është duke u ngritur, me ç’rast kemi subvencionuar familjet të cilat kanë përdorur pajisje të cilat kursejnë energjinë elektrike, në nëntor të vitit që shkoi 15 për qind më pak kanë shpenzuar amvisëritë sesa një vit më herët. Andaj në shumë aspekte jemi më mirë dhe besoj që do të vazhdojnë sukseset edhe në vitin 2023, por vështirësi padyshim që do të ketë.
Zëri i Amerikës: Vështirësitë vijnë në një mënyrë të trashëguara nga viti që e lamë pas e tensionet që përshkuan gjysmën e dytë të vitit 2022 sikur kulmuan në veriun e Kosovës në muajin dhjetor. Ato u zbutën, të paktën përkohësisht, me heqjen e bllokadave. Si u bë e mundur një gjë e tillë, çfarë ofruat në shkëmbim të heqjes së tyre?
Albin Kurti: Ne kemi ofruar gjentilesën tonë karshi KFOR-it, i cili kërkoi pak më shumë kohë që të hiqen ato pa ndërhyrjen e policisë tonë. Policia jonë do të ndërhynte para vitit të ri nëse nuk do të hiqeshin barrikadat. Ne i dhamë KFOR-it kohën të cilën e kërkoi sepse natyrisht që më mirë është të hiqen pa intervenim. Pra nuk është që ne i gëzoheshim intervenimit të policisë, ne dëshironim që KFOR-i, i cili për 23 vite vazhdimisht ka afirmuar lirinë e lëvizjes, ta sigurojë atë dhe u bë mirë që ata që i vendosën barrikadat edhe i hoqën ato. Bindja ime e fuqishme është që nga frika edhe i kanë vendosur e nga frika edhe i kanë hequr.
Zëri i Amerikës: Pra nuk pati ndonjë marrëveshje?
Albin Kurti: Nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje.
Zëri i Amerikës: Por a pati komunikim gjatë asaj kohe zoti kryeministër?
Albin Kurti: Ka pasur me ambasadën amerikane, ka pasur me ambasadorët e Quintit dhe sidomos më KFOR-in dhe EULEX-in, por ne nuk kemi ofruar asgjë në shkëmbim përveç kohës shtesë për KFOR-in. Gjithashtu, ishte e qartë që ato barrikada u ngritën nga strukturat ilegale të Serbisë që u shndërruan në banda kriminale pikërisht në kohën kur ne u dakorduam që t’i shtyjmë për prill të vitit 2023 zgjedhjet në katër komunat në veri. Pra, në njëfarë mënyrë mu atëherë kur ne e bëmë një konsecion, ata i ngritën barrikadat sepse kishin ngelur pa pretekst.
Zëri i Amerikës: Ju gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar disa herë keni diskutuar me bashkësinë ndërkombëtare, posaçërisht me diplomacinë amerikane, u janë bërë kërkesa për shtyrje, fillimisht keni refuzuar pastaj siç thotë opozita keni pranuar në fund duke dëmtuar madje edhe marrëdhëniet me diplomacinë amerikane. Përse ka ndodhur kështu zoti kryeministër?
Albin Kurti: Po u kërkua prej nesh të shtyhet 12 muaj ose 10 muaj sepse periudha një vjeçare sipas marrëveshjes së Brukselit thanë se nuk është konsumuar ende, por kjo nuk është e vërtetë. Nga mesi i janarit të vitit 2018 targa KM, PR, GL e të tjera nga koha e (Sllobodan) Millosheviçit, nuk do të duhej as të prodhoheshin as të lëshoheshin e as të ripërtëriheshin. Andaj është qëndrim i qeverisë së Republikës së Kosovës se ajo periudha 12 muajshe e kësaj marrëveshje për targat që është bërë në Bruksel, është konsumuar, pra nuk mund t’i pranojmë këto afate të cilat tashmë janë të konsumuara. Në anën tjetër neve na u tha që duhet t’i japim afat 12 muaj sepse nuk kemi informuar mjaftueshëm me fushatën tonë. Besoj që as kjo nuk qëndron, disa video i kemi bërë anëtarë të ndryshëm të qeverisë, fushata nëpër televizionet tona dhe nuk besoj që ka ngelur dikush i painformuar. Kërkohej që ne ta bënim këtë shtyrje në kohën kur digjeshin makinat e serbëve që i konvertonin targat KM në ato RKS që janë legale e legjitime, pra në njëfarë mënyre ne nuk mund të pranonim që po dështon shteti në efikasitetin e lëshimit të targave RKS për ata që dëshirojnë t’i konvertojmë dhe në anën tjetër nuk mund të pranonim një shpjegim alternativ për marrëveshjet e Brukselit. Çfarë kemi bërë? Ne nuk e kemi anuluar vendimin tonë mirëpo kemi bërë sekuencim dhe diferencim në zbatimin e tij, filluam me qortimet – afër dy mijë qortime dhe asnjë ankesë e asnjë incident dhe ne nuk e bëmë më pas gjobitjen për shkak se pranuam që t’i japim afat deri në pranverë të vitit të ardhshëm marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve, që do ta ketë në qendër njohjen reciproke. Pra ishte jo anulim i vendimit por sekuencim dhe diferencim në zbatim, është ende aty dhe tregon vullnetin e mirë të qeverisë së Republikës së Kosovës, ne jemi qeveri e një shteti sovran.
Zëri i Amerikës: Por gjatë kësaj periudhe kur tensionet shpesh herë vluan shumë, a ka pasur momente kur mund të keni thënë ‘nuk ja ka vlejtur për targat e makinave të tensionojmë situatën kaq shumë’?
Albin Kurti: Nuk besoj që kam pasur asnjë moment të tillë për shkak se unë nuk pres prej Serbisë së këtillë autokratike e cila nuk distancohet as nga e kaluara – Millosheviqi, as nga e tashmja – Putini, që ta ndërrojë qasjen ndaj Kosovës. Andaj unë nuk besoj që duhet brenda vetes tonë të gjejmë defekte, ne duhet ta kuptojmë që në veri e kemi një shtet armik i cili nuk e ndryshon Kushtetutën dhe i cili është shumë agresiv ndaj vendit tonë me ato 48 bazat ofensive, 28 të ushtrisë dhe 20 të xhandarmërisë. Do të ishte gabim i madh nëse kushdo në Kosovë tash provon që të hyjë në tezën e vetfajsimit, kur kemi një Serbi pro ruse e agresive si rrallë herë më parë.
Zëri i Amerikës: Por kishit kërkesa të diplomatëve amerikanë të cilët kanë dhënë garanci të fuqishme për sigurinë dhe sovranitetin e pavarësinë e Kosovës, por që kërkonin afate të caktuara për shembull si zoti (Derek) Chollet i cili në një moment u shpreh i zhgënjyer që ju nuk e dëgjuat atë.
Albin Kurti: Unë jam kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presidenti (Joe) Biden ka thënë që qeveria e Kosovës është qeveri e një shteti sovran. Asnjëherë partneriteti, aleanca, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është cenuar, nuk është rrezikuar, përkundrazi, por duhet ta kuptoni që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përveç se na kanë njohur edhe ndërmjetësojnë midis Prishtinës e Beogradit dhe në këtë kuptim shpesh herë na vijnë edhe me ndonjë kërkesë e cila paraqitet si ide për kompromis. Nëse ne e konsiderojmë të arsyeshme si qeveri atëherë edhe e bëjmë, mirëpo asnjëherë nuk është kontestuar e drejta jonë që të vendosim për veten tonë, fundja ky është edhe kuptimi i 14 shkurtit të vitit 2021, ende nuk janë bërë dy vjet të fitores më të madhe demokratike në Kosovën e pasluftës./VOA/