Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar përfaqësues të partive politike që kanë siguruar mandatet për legjislaturën e nëntë, takim që shërben për përgatitje për seancën e parë konstituive. Seanca konstituive është ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani për të martën e 15 prillit.
Në të njëjtën seancë pritet të betohen deputetët dhe të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit dhe nënkryetarët në mënyrë që seanca të konsiderohet e konstituuar. Pozita e kreut të Kuvendit i takon ekskluzivisht grupit më të madh parlamentar qe në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.
Opozita ka dhënë sinjale se do të mbështesin çdo propozim të Vetëvendosjes për kryeparlamentar pasi vetëm në këtë mënyrë fillon edhe rrjedhja e afateve ligjore për votimin e Qeverisë së Kosovës.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje mori 48 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 24, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, AAK-NISMA 8. Sipas këtij rezultati, formimi i institucioneve nuk mund të bëhet nga një parti e vetme.