KQZ i Kosovës nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve të Kosovës – për zgjedhjet lokale të tetorit.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e kanë kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit.

Duke folur në mbledhjen e KQZ-së, ku pritet të votohet për certifikimin apo jo të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit, Sami Kurteshi tha se mbi “90 për qind të personave që janë në listat e kandidatëve të Listës Serbe janë të anëtarësuar në institucione paralele serbe në Kosovë”.

Kurteshi e ka kundërshtuar kandidaturën e Sasha Millosheviqit nga Lista Serbe për kryetar të Novobërdës, duke thënë se ai ishte emëruar nga qeveria serbe për kryetar të komunës së Gjilanit, komunë kjo paralele serbe.

“Ky luan rol dyfish”, tha Kurteshi. “Ky punon në institucione të një shteti që ka synime agresive edhe ushtarake ndaj Republikës së Kosovës”.

Ai ishte emëruar për kryetar të Gjilanit nga Qeveria serbe më 27 shkurt 2020, si “kryetar i Organit të Përkohshëm të Komunës së Gjilanit”.

Anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, tha se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq” dhe se ajo nuk lufton për interesat e serbëve të Kosovës.

“I lus kolegët e mi të votojmë kundër certifikimit të Listës Serbe”, tha ai.

Zyra e Partive Politike në KQZ – e cila ka për obligim të shqyrtojë aplikimet e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje – ka rekomanduar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Anëtarja e KQZ-së nga Lista Serbe, Gordana Llaban, tha se nëse zyrës i është thënë se të gjithë kanë kaluar filtrat dhe se të gjithë kandidatët janë të rregullt, atëherë duhet të certifikohen të gjithë kandidatët.

“Nëse ekzistojnë çfarëdo dëshmish, le të kryejnë institucionet punën e tyre. Mendoj se janë përdorur shumë fjalë të rënda. Duke ju dëgjuar juve si flisni, pas kësaj unë mendoj se asnjë serb më nuk do të mbetet serb, pa u quajtur terrorist apo kriminel. Më intereson nëse i keni kontrolluar kështu listat e çdo partie. A ka kriminelë në ndonjë parti tjetër, apo janë të gjithë vetëm në Listën Serbe? Nuk mund ta lejoj që populli serb në Kosovë të barazohet me një numër terroristësh apo kriminelësh. Organet që janë përgjegjëse për këtë, le t’i ndjekin kriminelët dhe le t’i arrestojnë, por nuk mund të barazohet i gjithë populli serb me kriminelët”, tha Llaban, duke iu drejtuar Kurteshit.

Kurteshi ia ktheu duke thënë se “nuk e cilësoj popullin serb terrorist, por mendoj se Lista Serbe ka të kaluar dhe të tashme terroriste”.

Ndërkohë, anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, tha se ai do të abstenojë nga votimi.

“Ne si PDK abstenojmë nga certifikimi, nuk jemi për certifikim, abstenojmë nga votimi përderisa nuk kemi veprime nga institucionte e sigurisë, të cilat na tregojnë rrugën që duhet ndiqet për këtë parti”, tha Elshani.

Në prag të mbledhjes së KQZ-së, ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati, ia shprehu kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, shqetësimin e Shteteve të Bashkuara nga çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Prattipati nënvizoi se është shumë e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, duke shtuar se “jemi të shqetësuar për çdo përpjekje që ua kufizon këtë mundësi.

“Fola për këto çështje me kryeministrin në detyrë dhe i theksova vëmendjen e Shteteve të Bashkuara për këtë çështje”, theksoi ajo.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor.

Vetëvendosje luftoi kundër certifikimit të Listës Serbe edhe për zgjedhjet parlamentare të shkurtit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e kishte certifikuar atë fillimisht.

Megjithatë, pas ankesave në instanca më të larta, Lista Serbe u certifikua dhe mori pjesë në zgjedhje, duke i fituar 9 ulëse në Kuvend./REL


Shtuar 21.08.2025 18:31