Kosovë/ Situata në veri rrezikon procesin e rregullt të regjistrimit

Ekzistojnë parakushte reale që procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave të dështojë në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – thonë zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Me vendimin e Qeverisë së vendit, është caktuar që procesi i regjistrimit të nisë më 1 nëntor, në tërë territorin e Kosovës.

Ilir Berisha, zëvendëskryeshef i ASK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata në veri, e cila muajve të fundit është karakterizuar me tensione dhe trazira, lë pak hapësirë ose fare për të shpresuar se procesi i regjistrimit atje do të mund të realizohet.

Për më shumë, sipas tij, rekomandimet nga Agjencia evropiane e Statistikave – Eurostat, por edhe baza ligjore e Kosovës thonë se regjistrimi i popullsisë nuk realizohet në situata të veçanta, në zonat ku ka trazira në një periudhë jo më pak se gjashtë muaj para regjistrimit.

Sipas Nenit 22 të Ligjit për regjistrimin e popullsisë në Kosovë, “situatat e veçanta” përfshijnë zgjedhjet qendrore, lokale, trazirat sociale dhe faktorët e jashtëm.

Ligji përcakton që “në raste të jashtëzakonshme, data e regjistrimit të rishikohet”.

Në këtë kontekst, Berisha thotë se janë dy alternativa – që procesi i regjistrimit të zbatohet në gjithë Kosovën, përveç veriut, ose që procesi të shtyhet në tërësi për një periudhë tjetër.

“Ekzistojnë gjasat e mëdha që të shtyhet regjistrimi. Një prej arsyeve është situata në katër komunat veriore. Vendimin e merr Qeveria [e Kosovës]. Ne i kemi cekur [arsyet], por nuk i kemi dërguar [ende] në qeveri. E kemi të gatshëm dokumentin, që këto janë çështje që duhet pasur parasysh”, thotë Berisha./REL


Shtuar 5.10.2023 22:02