Kosovë/ Bedri Hamza zgjidhet kryetar i ri i PDK-së

Bedri Hamza, është zgjedhur para pak minutash kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka qenë kandidati i vetëm për këtë pozitë.

Hamza, ka marrë besimin e delegatëve për të udhëhequr me PDK-në, teksa nuk ka pasur asnjë votë kundër.

Ndryshe, Hamza fjalimin e tij në këtë konventë e filloi duke i falënderuar aktivistët dhe anëtarësinë e PDK-së për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira.

“Sot është një prej atyre ditëve kur shpirti i PDK-së flet më shumë se çdo fjalë. Dhe unë, para jush, ndjej një peshë të madhe: peshën e përgjegjësisë. Përgjegjësinë ndaj sakrificës suaj, ndaj çdo ditë pune, çdo orë mundi e çdo sakrifice që keni bërë për partinë dhe vendin tonë. Ndjej përgjegjësi ndaj rrugës sonë të përbashkët, ndaj historisë që e kemi shkruar me punë e përkushtim dhe ndaj të ardhmes që po na pret. Ju falënderoj secilin prej jush, aktivistë të degëve, rininë e PDK-së dhe të gjitha strukturat, për punën, durimin dhe qëndrueshmërinë në kohë të vështira. Ju keni qenë gjithmonë motori i PDK-së. Pa ju, asnjë sfidë nuk do të ishte përballuar. Pa ju, asnjë fitore nuk do të ishte arritur”, u ka thënë Hamza, strukturave dhe delegatëve të PDK-së.

Ai ka thënë se si parti i kanë mbijetuar çdo goditjeje për një arsye të madhe.

“A e dini pse?”, i ka pyetur Hamza të pranishmit.

“Sepse, PDK është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale. Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, ka thënë Hamza.


Shtuar 17.11.2025 19:52