Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Kosovë tha të martën se ekipi mjekoligjor ka tërhequr mbetje mortore nga një lokacion në veri të vendit dhe se i ka dërguar ato për ekzaminim të mëtejmë mjekoligjor.
“Qytetarët kanë hasur në eshtra (mbetje mortore), në veriun e Kosovës (Mitrovicë). Pas njoftimit nga Policia e Kosovës, ekipi mjekoligjor i IML-së ka tërhequr mbetjet mortore (eshtrat) për ekzaminimet e mëtejme mjekoligjore”, thuhet në një njoftim të komisionit.
Komisioni tha se do t’i presë rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore për të parë nëse mbetjet mortore u përkasin trupave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Gjatë luftës së viteve 1998/’99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, 10.794 shqiptarë, 2.119 serbë, ndërsa të tjerët u përkasin etnive të tjera.
Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe më shumë se 1.600 njerëz. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite nëpër varreza masive në Serbi. Kosova dhe Serbia u pajtuan më 2023 për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian. Një vit pas, asgjë prej këtyre nuk është realizuar në praktikë, të gjitha kanë mbetur vetëm në letër./ REL