Këshilli Gjyqësor i Kosovës: Ngjarja në Apelin e Tiranës, e rëndë! Goditje e madhe për shoqërinë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), i është drejtuar me letër ngushëlluese Këshillit të Lartë Gjyqësor të Shqipërisë, përkatësisht kryetarit Ilir Rusi, pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, vlerëson se “kjo ngjarje e rëndë përbën një goditje të madhe jo vetëm për sistemin e drejtësisë shqiptare, por për të gjithë shoqërinë, duke cënuar rëndë vlerat themelore të shtetit të së drejtës dhe sigurinë e atyre që janë në shërbim të zbatimit të ligjit”.

Ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku është qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, i cili për pasojë ka humbur jetën. Nga të shtënat janë plagosur gjithashtu dy persona të tjerë, palë në një proces gjyqësor.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Gjatë zhvillimit të një seance gjyqësore, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç, palë në proces, ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe shtetasve R. K., 65 vjeç, dhe E. K., 45 vjeç, babë e bir, pala tjetër në proces.

“Letra e plotë e KGJK-së:Këshillit të Lartë Gjyqësor të Republikës së Shqipërisë,

Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, z. Ilir Rusi,

Me dhimbje të thellë morëm lajmin tronditës për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u nda tragjikisht nga jeta gjatë ushtrimit të detyrës në shërbim të drejtësisë.

Kjo ngjarje e rëndë përbën një goditje të madhe jo vetëm për sistemin e drejtësisë shqiptare, por për të gjithë shoqërinë, duke cënuar rëndë vlerat themelore të shtetit të së drejtës dhe sigurinë e atyre që janë në shërbim të zbatimit të ligjit.
Në emër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, të gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë me familjen e tij, me kolegët dhe me gjithë sistemin gjyqësor të Republikës së Shqipërisë.

Në këtë moment të rëndë për drejtësinë shqiptare, ndajmë dhimbjen tuaj dhe nënvizojmë nevojën për reflektim institucional dhe shoqëror. Kujtimi për jetën dhe veprën e tij të mbetet një shembull i qëndrueshëm frymëzimi dhe nderimi në shërbim të drejtësisë.”


Shtuar 6.10.2025 23:39