Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë sot në një deklaratë për mediat ku ka reaguar ashpër mbi deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Presidenti serb është shprehur se Serbia do të “përgjigjet ashpër” ndaj arrestimit të Igor Popoviq, i cili e ka quajtur UKÇ-në “organizatë terroriste”.
Kuriti i ka cilësuar këto deklarata si kërcënuese, destabilizuese dhe të papranueshme, duke theksuar se Kosova është një shtet demokratik dhe ligjor, ku drejtësia vepron pa dallime etnike apo politike.
“Republika e Kosovës është demokratike dhe ligjore me pushtete të ndara, institucione të konsoliduara e zbatim të barabartë të ligjit. Sundimi i ligjit nuk diskriminon sipas etnisë, pozitës apo ndikimit politik,” deklaroi Kurti. Sipas tij, arrestimi i Popoviq lidhet me vepra penale për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes etnike, dhe po trajtohet nga institucionet përkatëse në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut.
Gjithashtu ai ka shtuar se retorika e Vuçiçit nuk është qëndrim individual, por politikë shtetërore që synon të minojë drejtësinë dhe paqen në rajon
“Beogradi zyrtar tregon se nuk e mbështet drejtësinë, paqen dhe stabilitetin, por nxitjen e tensioneve dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes,” tha Kurti.