Katër persona në Kosovë shpallen fajtorë për terrorizëm

Katër persona janë shpallur fajtorë për vepra penale që lidhen me terrorizmin apo kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin ndaj të akuzuarve me iniciale A.Gj, E.S, N.S dhe M.B për veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Sipas njoftimit, E.S, M.B dhe A.Gj u gjetën fajtorë edhe për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I akuzuari N.S u gjet fajtor për veprën “lehtësim dhe financim i terrorizmit”.

Për shkak të mungesës së provave, A.Gj është liruar në mungesë provash nga vepra penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

Seanca për caktimin e dënimit është caktuar për 25 janar.

Aktakuza ndaj katër të akuzuarve ishte ngritur në dhjetor të vitit 2022. Atëbotë, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se katër personat akuzoheshin se nga marsi i vitit 2021 deri në tetor të po atij viti, kishin bërë përpjekje të krijonin një strukturë organizative “për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë”.

Sipas aktakuzës, katër të pandehurit kishin kontaktuar me një person që kishte një gradë të lartë “në organizatën terroriste Shteti Islamik” dhe ishin angazhuar që të siguronin armatime të ndryshme.

Dy prej të pandehurve, sipas Prokurorisë Speciale, u akuzuan se kishin fshehur armë të zjarrit dhe municion të llojeve të ndryshme, të cilat i kishin vendosur në bure të plastikës dhe i kishin groposur.

Sipas ligjeve në Kosovë, për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues parashihen dënime të ndryshme.

Që nga viti 2015, në Kosovë po ashtu ndalohet pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe sipas ligjit, parashihen dënime deri në 15 vjet burgim.


Shtuar 18.12.2023 17:08