Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza viziton çlirimtarët në Hagë: I gjeta me shëndet dhe plot entuziazëm

Kryetari dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

Ai shkruan se Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin i ka gjetur “me shëndet dhe plot entuziazëm” dhe se u ka premtuar se “do t’i gëzojë më 28 dhjetor”, kur Kosova voton në zgjedhje të parakohshme.

“Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu”, shkroi ai.

Kryetari Bedri Hamza tha se procesi gjyqësor po shkon drejt fundit, që ai tha se pret që “të jetë i drejtë”, sepse siç thekson, zvarritjet nuk i shërbejnë askujt.

“Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare”, vijon shënimi.

Kryetari dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, shkruan se Kosova po i pret bijtë e saj me krenari, sepse liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi.


Shtuar 16.12.2025 18:40

Tags: ,