Qeveria e Serbisë ka emëruar të hënën Sreqko Spasiqin kryetar të komunës paralele serbe të Vitisë në Kosovë, pak ditë pasi ai kishte hequr dora nga gara për kryetar të Kllokotit në balotazhin e 9 nëntorit në Kosovë për ta mbështetur kandidatin e Listës Serbe.
Spasiq u emërua në krye të Organit të Përkohshëm Komunal të Komunës së Vitisë, pavarësisht se kjo strukturë paralele ishte mbyllur nga autoritetet e Kosovës në fillim të këtij viti.
Kosova i sheh si të jashtëligjshme të gjitha organet e përkohshme komunale dhe institucionet e Serbisë në tokën e saj. Beogradi nuk pranon t’i mbyllë këto institucione dhe shumicën prej tyre i ka zhvendosur brenda territorit të Serbisë.
Vendimi i Qeverisë së Serbisë për emërimin e Spasiqit u publikua të hënën në Gazetën Zyrtare të Serbisë, pasi ishte marrë më 6 nëntor, tri ditë pasi Spasiqi u tërhoq nga gara dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij ta votojnë kundërshtarin e tij nga Lista Serbe, Bozhidar Dejanoviq.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e përshëndeti vendim e Spasiqit, duke e cilësuar si “dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë”.
Kjo parti, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i fitoi zgjedhjet lokale në Kllokot më 9 nëntor me më shumë se 90 për qind të votave, ndërsa në rundin e parë mori pushtetin në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe.
Spasiqi kishte qenë më herët kryetar i Kllokotit nga Lista Serbe, por e kishte lënë këtë parti në vitin 2017, kur kjo forcë politike e serbëve të Kosovës ishte distancuar nga kandidati i saj, Strahinja Spasiq (djali i Spasiqit), dhe kishte mbështetur kundërkandidatin Bozhidar Dejanoviq nga Nisma Qytetare Kllokot–Vërbovc.
Pikërisht Bozhidar Dejanoviqi i fitoi në zgjedhjet lokale të së dielës në Kllokot.
Në vitin 2022, Dejanoviqi ishte dënuar me një vit burgim me kusht për veprën penale “ndikim mbi vullnetin e lirë të votuesve”.
Në atë kohë u përcaktua se Dejanoviq, në cilësinë e kryetarit të komunës, siguroi në mënyrë të paligjshme vota për subjektin politik Lista Serbe, ndërsa një tjetër i dyshuar për të njëjtën vepër penale, Sasha Mirkoviq, në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Kllokotit, siguroi vota për subjektin politik me numër rendor 129 “Bashkësia e Bashkuar – Ardijana Hoxhiq”.
Hoxhiq fitoi një mandat parlamentar të rezervuar për komunitetin boshnjak në zgjedhjet e vitit 2021, por ia hoqën, për shkak të dyshimit se e mori falë votave nga komuniteti serb, mbi të cilin “Lista Serbe ushtroi ndikim për të vënë nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”. Edhe Sreqko Spasiqi ka qenë më parë i dënuar, por për keqpërdorim të detyrës zyrtare./REL
