Ish-ministrja e arsimit në Shqipëri, Besa Shahini ka shpallur kandidaturën e saj për kryetare të Prishtinës. Përmes një postimi në rrjetin e saj social, Facebook, Shahini ka ndarë një video ku njofton vendimin e saj për të kandiduar në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë në Kosovë.
Shahini thotë se Prishtinës i duhet një ndryshim radikal, ndaj do të garojë në zgjedhjet lokale, teksa iu bën thirrje qytetarëve për t’u bërë pjesë e këtij ndryshimi.
‘‘Para 4 viteve jam kthyer të jetoj në Prishtinë nga Tirana, në një qytet që e dua fortë, që e ka një potencial të jashtëzakonshëm i cili ka marr një kahje të gabuar në zhvillimin e vet. Është një qytet që është kryesisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbërta, kryesisht i papastër dhe jo shumë miqësor për fëmijët. Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahjen e zhvillimit. Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi, ndaj në vjeshtë do të garoj për kryetare të Komunës në zgjedhjet lokale 2025. Ju ftoj të më bashkangjiteni të gjithë ju që i ndani shqetësimet e mia për qytetin dhe që keni sado pak energji që të përfshiheni në përpjekjen tonë të përbashkët për ndryshim’’, ka deklaruar ajo.
Më parë, Besa shërbeu si ministre dhe zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë, nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.