Ish-kongresmeni republikan amerikan Joseph DioGuardi u ka dërguar një letër drejtuesve politikë të Kosovës, përmes së cilës kërkon pajtim për zgjedhjen e presidentit të ri. Ai paralajmëron se Kosova nuk e përballon dot një raund tjetër bllokadash institucionale dhe zgjedhjesh të përsëritura.
None found
Në letrën e tij drejtuar partive politike, DioGuardi ka propozuar Faton Bislimin për president të Kosovës, duke u bërë thirrje liderëve që kandidaturën e tij ta vlerësojnë sipas meritave, e jo mbi preferenca partiake apo personale.
Apel për Konsensus dhe Propozim i një Kandidati për President
Po ju shkruaj i udhëhequr nga përgjegjësia e thellë dhe dashuria për një vend, lufta e të cilit për liri ka qenë ndër kauzat që kanë përcaktuar jetën time.
Për më shumë se tri dekada kam qenë pranë popullit të Kosovës. Më kujtohet Kosova e viteve 1990, me shtypjen, vuajtjet dhe kurajën e jashtëzakonshme të një populli që nuk pranoi të heqë dorë nga ëndrra e lirisë. Më kujtohet gjithashtu Kosova e pasluftës, e cila vendosi shpresë dhe besim të madh te Shtetet e Bashkuara dhe bota demokratike.
Kjo e kaluar sjell përgjegjësi. Kosova sot është sërish para një udhëkryqi të rëndësishëm. Mospajtimet politike janë pjesë e demokracisë, por bllokimi institucional ndikon shumë përtej partive: ai prek familjet, të rinjtë, bizneset, partnerët ndërkombëtarë dhe çdo qytetar që dëshiron përparimin e Kosovës. Vendi nuk mund të përballojë një cikël tjetër ku ngërçi politik prodhon zgjedhje, zgjedhjet krijojnë një ngërç të ri dhe gjithçka nis përsëri.
Qytetarët e Kosovës meritojnë më shumë. Ata meritojnë institucione që funksionojnë, udhëheqës të gatshëm ta vendosin interesin e Republikës përpara prioriteteve partiake dhe një President që e bashkon vendin, jo që i zgjeron ndarjet.
Gjatë vizitës sime këtu, kam kuptuar se liderët politikë të Kosovës kanë biseduar për cilësitë dhe kriteret që duhet të plotësojë një kandidat konsensual për President. Sipas vlerësimit tim, Kosovës i nevojitet një person që mund të fitojë besimin e më shumë se një kampi politik; që mund të bashkëpunojë me pushtetin dhe opozitën pa u kthyer në mjet të asnjërës palë; që përfaqëson të gjithë qytetarët dhe komunitetet e Kosovës; si dhe që e përfaqëson Republikën me dinjitet dhe kredibilitet në Uashington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera ndërkombëtare.
Në këtë frymë, ju kërkoj me respekt që ta konsideroni Faton Bislimin.
Fatonin e njoh prej më shumë se dy dekadash dhe e kam ndjekur nga afër angazhimin e tij për Kosovën, si edhe rrugëtimin e tij si shërbyes publik. Rrëfimi i tij është ngushtë i lidhur me vetë historinë e Kosovës. I prekur nga lufta dhe zhvendosja, ai u arsimua në Amerikën e Veriut, përfshirë diplomimin në Harvard, fitoi njohuri të drejtpërdrejta për institucionet demokratike amerikane dhe shërbeu si deputet i Republikës së Kosovës. Ai ka vijuar punën në fusha politike, akademike, qytetare dhe ndërkombëtare për forcimin e Kosovës dhe të raportit të saj me Shtetet e Bashkuara. Për këtë angazhim, ai ka fituar respekt nga shumë njerëz, jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.
Megjithatë, një President duhet të përfaqësojë më shumë sesa një karrierë profesionale. Ai duhet të ketë karakter, pavarësi dhe gjykim të drejtë. Presidenca duhet t’i shërbejë Republikës dhe jo një partie. Presidenti duhet të dijë të dëgjojë pa braktisur parimet, të mos pajtohet pa krijuar armiq dhe të përfaqësojë qytetarë me zgjedhje politike të ndryshme nga të tijat. Unë besoj se Fatoni i ka këto cilësi.
Besoj gjithashtu se aftësia e tij për të ndërtuar ura është pikërisht ajo për të cilën Kosova ka nevojë sot: ura mes gjeneratave, mes Kosovës dhe diasporës së saj, mes Prishtinës dhe Uashingtonit, si dhe mes forcave politike që aktualisht janë të ndara. Fatoni e ka dëshmuar këtë prej shumë vitesh, edhe kur nuk ka ushtruar ndonjë funksion zyrtar. Vendosja e Fatonit në postin e Presidentit nuk do të ishte nderim për të, por do t’i mundësonte Presidencës t’i shërbejë popullit të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. Mosshfrytëzimi i një mundësie të tillë do të nënkuptonte mosmbajtjen e premtimit që çdo përfaqësues i zgjedhur ka dhënë: t’i shërbejë interesit më të mirë të vendit.
Për këtë arsye, kërkoj vetëm që, teksa liderët politikë kalojnë nga biseda për kriteret në shqyrtimin e emrave, emri i Faton Bislimit të shtrohet për diskutim dhe të vlerësohet për meritat e tij, jo sipas preferencave politike apo personale të kujtdo.
Kosova nuk ka nevojë për një President tjetër që del si trofe në fund të një gare politike. Ajo ka nevojë për një President që mund të shndërrohet në simbol të mbylljes së asaj gare.
Populli i Kosovës e ka dëshmuar tashmë guximin, qëndrueshmërinë dhe besimin e tij në demokraci. Tani udhëheqësit politikë kanë rastin të tregojnë diçka po aq të rëndësishme: guximin për kompromis në interes të Republikës.
Besoj se Kosova është pikërisht në një çast të tillë. Prandaj ju ftoj me respekt ta konsideroni Faton Bislimin jo si kandidat të një partie apo një kampi politik, por si një kosovar që ka përvojën, karakterin, botëkuptimin ndërkombëtar dhe pavarësinë e nevojshme për të shërbyer si President i Republikës së Kosovës në kohën kur vendi ka më së shumti nevojë për konsensus. Duke marrë parasysh arsimimin, përvojën, mprehtësinë politike dhe përkushtimin e tij për vendin mbi çdo gjë tjetër, nuk më vjen ndër mend askush tjetër më i përgatitur për t’i shërbyer Kosovës si President.
Vendimi përfundimtar do të jetë i juaji, por unë besoj se Faton Bislimi është zgjedhja e duhur. Historia do ta vlerësojë këtë brez liderësh jo vetëm nga emri që do të zgjedhin, por edhe nga aftësia e tyre për të gjetur gjuhë të përbashkët kur Kosova ka më së shumti nevojë. Kjo do t’i jepte vendit një President për të gjithë, të aftë të shërbejë me etikë, integritet dhe dinjitet, si edhe të gatshëm ta çojë vendin përpara që në ditën e parë të mandatit.
E njëjta letër u është dërguar katër partive më të mëdha: LVV, PDK, LDK dhe Aleancës.
Kreu i PD Sali Berisha tha se Ergys Agasi ka disponuar informacione të pakufishme. Sipas Berishës ka qenë një rrezik…
Udhëtimi i papritur i drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë mendohet se mund të ketë pasur për qëllim paralajmërimin…
Klinika e Sëmundjeve Infektive ka regjistruar vdekjen e gjashtë të një pacienti të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor. Drejtori…
Dy deputetë aktualë kanë deklaruar pasuri me vlerë mbi një milion euro, ndërsa disa të tjerë po i afrohen kësaj…
NPK "Sharri" Tetovë informon se banorët e fshatrave Poroj, Xhepçisht, Reçicë e Madhe dhe Reçicë e Vogël (prej varezave të…
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, u është përgjigjur pretendimeve për transferimin e një shume të konsiderueshme parash nga Kosova në…