Hormonet dhe pesticidet pa kriter, alarm në Kosovë pas importit të domateve nga Shqipëria

Sipas statistikave të dhënave nga Dogana e Kosovës, në periudhën janar-qershor, nga Shqipëria janë futur në Kosovë rreth 4.5 milionë kilogramë domate, vlera e të cilave kap shifrën e 3 milionë e 029 mijë e 462 euro.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ende është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave, të dërguara për domatet që janë importuar.

“Si AUV kemi marrë masa shtesë të kontrollit, me theks të veçantë kontrollin e domateve me origjinë nga Shqipëria. Përveç kontrollit të rregullt dhe analiza rutionre, në këtë rast janë marrë mostra /kampione përfaqësuese të regjioneve të caktuara prodhuese prej nga importohen këto produkte, të njëjtat janë dërguar në laboratorë jashtë vendit me qellim testimi në kontaminuës kimik/mbetje të pesticideve (Përcaktimi i nivelit maksimal të mbetjeve-MRL në produkt). AUV është në pritje të rezultateve të testeve laboratorike të mostrave zyrtare të dërguara. Pas pranimit të rezultateve të testeve analitike, varësisht nga gjetjet do të merren veprime/masa zyrtare”.

Sipas të dhënave nga Dogana, Shqipëria nuk e zë vendin e parë për shitjen e domateve në Kosovë.

“Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, importi më i madh i domateve në këtë periudhë është bërë nga Turqia, ku janë importuar 5,110,931.00 kilogramë në vlerë prej 4 milionë e 521 mijë e 356 euro”.

Pas Shqipërisë dhe Turqisë, Kosova ka importuar domate edhe nga Greqia, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

“Në total nga 1 janari i këtij viti e deri më sot 8 qershor, në territorin e Kosovës nga këto vende janë importuar 9,904,735.00 kilogramë domate në vlerë prej 7 milionë e 741 mijë e 532 euro”, thuhet në të dhënat e Doganës.

Taksat që i janë paguar shtetit të Kosovës nga këto importe janë 1 milionë e 722 mijë e 096.

E përfaqësues të bizneseve kanë thënë se Kosova do të duhet të ndërmarrë masa kundrejt çdo produkti që nuk i përmbush kërkesat e tregut.

Kryetari i Agjencisë Kosovarë te Biznesit Agim Shahini, ka thënë se pavarësisht a është prodhim vendor apo i importuar, çdo mall duhet të kontrollohet. /monitor


Shtuar 8.06.2023 15:20