Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur konfirmimin e Komisionit Evropian për zbatimin e plotë të vendimit për heqjen e të gjitha masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Me anë të një postimi në “X”, Osmani theksoi se ky vendim ishte paralajmëruar që në dhjetor nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor.
Osmani falenderoi Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare për mbështetjen në përmbylljen e kësaj çështjeje, duke nënvizuar se heqja e masave të padrejta ka pasur ndikim pozitiv për qytetarët e Kosovës, të cilët ishin prekur nga këto masa.
Presidentja gjithashtu ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të bashkëpunuar ngushtë me Bashkimin Evropian, dhe për të avancuar në rrugën drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE.

