Albulena Haxhiu, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar se kush do t’i ushtrojë kompetencat e presidentit pas mbarimit të mandatit të saj gjashtëmujor, në rast se Kuvendi nuk zgjedh një president të ri.
None found
Zyra e Presidentes e konfirmoi këtë përmes një përgjigjeje me shkrim më 6 tetor, pikërisht në ditën kur përfundon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.
Sipas njoftimit të Zyrës, kërkesa iu dërgua Gjykatës më 5 tetor, bazuar në nenin 113, paragrafi 3, nënparagrafi 1 të Kushtetutës.
“Kemi kërkuar sqarim se si dhe nga kush mund të ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, nëse deri atëherë nuk është zgjedhur presidenti i ri”, tha Zyra e Presidentes për REL-in.
Kush ka autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve?
Çështja është veçanërisht e rëndësishme, pasi Kushtetuta parashikon shpërndarjen e Kuvendit nëse deri më 6 tetor nuk zgjidhet presidenti.
Në mars, Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se moszgjedhja e presidentit brenda afatit sjell shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe se zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Megjithatë, mbetet e paqartë se cili autoritet do t’i shpallte zgjedhjet. Kushtetuta ia njeh këtë kompetencë presidentit, ndërkohë që neni 90 nuk lejon ushtrimin e detyrës së presidentit për më shumë se gjashtë muaj.
Kjo është njëra prej çështjeve për të cilat Haxhiu ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
“Kushtetuta ia cakton presidentit këtë kompetencë. Një nga çështjet kryesore që i kemi paraqitur Gjykatës është përcaktimi i autoritetit që mund ta ushtrojë atë në rrethanat e krijuara”, deklaroi Zyra e Presidentes.
Zyra tha se, sipas qëndrimit të saj, duhet gjetur një zgjidhje në përputhje me Kushtetutën, e cila do të mundësonte shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve brenda afateve ligjore.
Zyra e Presidentes përmend parimin e “vijimësisë institucionale”
E pyetur nga REL-i për mënyrën si e vlerëson situatën, Zyra e Presidentes tha se mbështetet te parimi i “vijimësisë institucionale”.
“Dispozitat kushtetuese duhen lexuar së bashku, në mënyrë që mbarimi i një afati të mos pengojë zbatimin e detyrimeve të tjera kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e saj.
Sipas Zyrës, kërkesa iu paraqit Gjykatës Kushtetuese për të përcaktuar një zgjidhje që ruan vijimësinë institucionale brenda rendit kushtetues.
Haxhiu mori detyrën e ushtrueses së presidentes pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit, më 4 prill.
Kushtetuta përcakton qartë se një person mund të ushtrojë detyrën e presidentit për jo më shumë se gjashtë muaj.
Deri më tani, Gjykata Kushtetuese nuk ka publikuar ndonjë vendim për çështjet e paraqitura nga Haxhiu.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Gjykatës për të konfirmuar nëse e ka pranuar kërkesën dhe për të marrë informacione të tjera mbi trajtimin e saj. REL-i është në pritje të përgjigjes.
Sulmuesi i Anglisë, Ivan Toney, mund të përballet me pasiguri rreth pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian 2028, pasi gjyqi i tij…
Në Londër, Harry Kane fitoi me diferencë të ngushtë Topin e Artë 2026 përpara Kylian Mbappe. Ishte një finale e…
Modeli aktual i financimit të lejes së lehonisë në Kosovë po krijon pabarazi në tregun e punës, ndërsa kërkohet përfshirje…
Apple do të prezantojë të mërkurën MacBook-ët e parë me ekran me prekje, në një zhvillim që mund të ndryshojë…
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur një delegacion prej 11 anëtarësh nga nëntë shtete të ndryshme, të Komisionit për…
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së…